Albi Xhunga: Kë po kërcënon shkëlqesia e tij?

OPINION


 Që presidenti zgjedh për krahasim me Avni Rustemin dhe jo, le të themi Qemal Stafën, duhet ta ketë një kuptim. Avni Rustemi njihet kryesisht për dy akte, vrasjen në Paris të tradhëtarit të kombit, Esat Pashës dhe rolin e tij në atentatin ndaj Ahmet Zogut, atëbotë kryeministër. Pra Avni Rustemi ka vrarë një tradhëtar dhe ka tentuar të vrasë një kryeministër. Askush nuk mund të përjashtojë mundësinë që në mendjen presidenciale këto të dyja, pra tradhëtarin dhe kryeministrin sot i përfaqëson i njëjti person. A mund të merret krahasimi i presidentit si një kërcënim për vrasje ? Qoftë me dorën e tij si Avniu në Paris, qoftë me vrasës me pagesë si Beqir Valteri në Tiranë ?  

Që shkëlqesia e tij, presidenti i republikës, është hedhur në një betejë të ashpër, kjo tashmë është më se e qartë. Por duke patur parasysh se për çdo veprim njerëzor ai që e ndërmerr veprimin synon një përfitim të caktuar, na duhet të gjejmë se çfarë synon presidenti me aktet, qëndrimet politike dhe natyrisht me kërcënimet e tij, të cilat duhet thënë se nuk kanë asgjë presidenciale. Natyrisht kjo ‘’sfidë’’ nuk vlen për ata që mendojnë, apo kanë interes të mendojnë se shkëlqesia e tij i bën të gjitha këto për t’u rikthyer shqiptarëve demokracinë e Kontratës Sociale të Rusoit, ku populli vendos me referendume. Nuk vlen as për ata që mendojnë si shkëlqesia e tij, se imperialistët anglo-amerikanë duhet të shporren nga Shqipëria. 


Kjo analizë bëhet akoma më interesante tani, kur është parë dhe provuar se me gjithë dëshirën dhe vullnetin e presidentit për t’iu imponuar jetës politike në Tiranë, ai nuk arriti asgjë. E provoi me shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale, e provoi me kërcënimin për të shpërndarë Kuvendin, e provon çdo ditë me kthime ligjesh në Kuvend. Presidenti ka krijuar shumë ‘’zhurmë’’, por rezultati nuk duket gjëkundi. 

Ka së paku dy vjet që në çdo dalje të tij publike toni i presidentit është kërcënues. Sa më shumë ai vë re se ata që supozohet të tremben nga këto kërcënime nuk e përfillin, aq më lebetitës bëhet toni i tij. Ky president ka provuar gjithçka, që nga kërcënimi i ambasadorëve, kërcënimet ndaj maxhorancës, sulmi drejt Komisionit të Venecias (që në fund tha se shkelja e tij nuk ishte aq e rëndë sa të justifikonte shkarkimin) e deri te krahasimet me heronj si Avni Rustemi, apo me presidentin e ndjerë të Kilit, Salvador Allende. 

Që presidenti zgjedh për krahasim Avni Rustemin dhe jo, le të themi Qemal Stafën, duhet ta ketë një kuptim. Avni Rustemi njihet kryesisht për dy akte, vrasjen në Paris të tradhëtarit të kombit, Esat Pashës dhe rolin e tij në atentatin ndaj Ahmet Zogut, atëbotë kryeministër, brenda Kuvendit të Shqipërisë nga një i ri 18 vjeçar. Pra Avni Rustemi ka vrarë një tradhëtar dhe ka tentuar të vrasë një kryeministër. Askush nuk mund të përjashtojë mundësinë që në mendjen presidenciale këto të dyja, pra tradhëtarin dhe kryeministrin sot i përfaqëson i njëjti person. A mund të merret krahasimi i presidentit si një kërcënim për vrasje ? Qoftë me dorën e tij si Avniu në Paris, qoftë me vrasës me pagesë si Beqir Valteri në Tiranë ? Nëse e themi këtë shkojmë shumë larg, ndaj le të mjafohemi me simbolikën. I vetmi problem në këtë krahasim të presidentit qëndron në faktin se, vërtet Avni Rustemi ishte një politikan radikal, por duhet thënë se ai nuk kishte as pallat e as vilë te Gjiri i Lalësit. 

Krahasimi me presidentin e ndjerë kilian, Salvador Allende, është edhe më problematik. Allende vërtet ishte anti-amerikan, por ishte i tillë sepse ishte komunist idealist, jo sepse e akuzonin si të korruptuar. 

Së pari, Allende u zgjodh president i Kilit në mënyrë demokratike me 36% të votave pasi i kishte humbur zgjedhjet presidenciale tre herë. Pra ai u bë president me votë popullore, jo me kalkulime pallati. 

Së dyti, Allende përfaqësonte një pushtet real ekzekutiv. Presidenti ynë është formal dhe ka më së shumti rol honorifik e noterial. 

Së treti, në 6 muaj Allende shpërndau 6 milionë hektarë tokë për 6000 familje të varfra fshatare, duke shpronësuar pronarët e mëdhenj. Ai madje shtetëzoi edhe minierat amerikane të bakrit. Ndërsa presidenti ynë, jo vetëm që në karrierën e tij 30 vjeçare politike nuk ka asnjë akt në mbështetje të klasës së varfër, por edhe diskursin anti-oligarki e ka nisur vetëm së fundmi, njësoj si diskursin patriotik. 

Së katërti, në fjalimin e tij të fundit në radio, kur puçistët kontrollonin thuajse gjithçka, Allende i bënte thirrje popullit të ruante qetësinë e të mos sakrifikohej për të : ‘’Populli nuk duhet të lejojë të shkatërrohet e as të grihet me plumba’’. Pjesa radikale e së majtës kiliane donte të armatoste popullin për t’u mbrojtur, por Allende e kundërshtoi me vendosmëri këtë ide që e çonte vendin në luftë civile. Allende e kishte një pjesë të mirë të popullit që e përkrahte, ndërsa presidenti ynë megjithëse nuk ka popull, bën thirrje që populli të ngrihet për të marrë në dorë fatet e tij (kupto, të mbajë ende në pushtet politikanë si presidenti që mendojnë për popullin). Dhe ndryshimi i fundit, Allende thonë se shënimet nuk para i mbante në bllok. 

Tani, që t’iu dridhen këmbët amerikanëve se mos shkëlqesia e tij shtetëzon flotën e gjashtë që mbulon Mesdheun, kjo duket pak si e vështirë për t’u besuar. Por edhe që ndonjë i përkrahur prej tyre të shkojë e të bombardojë presidencën dhe aty të sakrifikohet i fundmi i patriotëve, ka pak gjasa të ndodhë për sa kohë e vetmja fuqi që ka shkëlqesia e tij ndaj tyre është që të dalë e të bërtasë në pazar nën petkun presidencial, duke na turpëruar të gjithëve.

Duke pasur parasysh se asnjë lëvizje e presidentit, sado radikale qoftë, nuk ka prodhuar asnjë rezultat të dukshëm e të prekshëm. Duke pasur parasysh se, në mos prova të tjera, së paku videoja e bashkëshortes së tij, e cila prezantonte në një emision televiziv sixhadet nga Arabia, vazot e fildishit dhe perdet e mëndafshta nga Kina, palmat e sjella me helikopter, 11 wc-të etj, sot, edhe pse e fshirë nga Youtube, duhet të ndodhet në zyrat e SPAK, presidenti ka përse të shqetësohet. Ndaj si një fëmijë që kur nuk ia varin, thyen diçka për të tërhequr vëmendjen, presidenti zgjodhi të ‘’mbrojë demokracinë’’ duke stisur një përplasje të shëmtuar me policë që po bënin detyrën e tyre. Presidenti kishte nevojë jetike të tregonte se kërcënimet e tij funksionojnë diku. Një president normal do iu thoshte krerëve të asaj partie të shkonin e ta zgjidhnin problemin në gjykatë, por kjo nuk mund të pritet nga dikush që makthin më të madh të jetës ka pikërisht funksionimin e tyre. 




Skip to toolbar