Albi Xhunga: Në shërbim të korrupsionit me laps në dorë

Më të fundit


Në shoqëritë më normë të lartë korrupsioni pushtetarët kanë shpesh nevojë për atë që quhet mbështetje mediatike. Këto pushtete nuk kanë sesi të ndihen rehat duke pasur përballë një media kritike. Shpesh mediat janë më të vlefshme se opozita për të denoncuar korrupsionin qeverisës, sidomos kur kjo opozitë është e rrëzuar nga pushteti për shkak të aferave korruptive. Akuzave që vijnë nga një opozitë me lidership të korruptuar mund t’u përgjigjesh duke i kujtuar kësaj opozite aferat e saj (lojë që vazhdon prej dekadash në Shqipëri), por akuzave që vijnë nga një media me integritet janë përcaktuese në ngjizjen e një perceptimi të caktuar në opinionin publik dhe kur bëhet fjalë për një shtet me gjyqësor të kapur ky perceptim publik mbetet gjykatësi i vetëm. 

Nuk janë vetëm pushtetarët ata që kanë nevojë për mbështetje mediatike. Kjo nevojë është po aq jetike për lidershipin opozitar, sidomos kur ai është i korruptuar. Paraja nga korrupsioni financon gazeta, portale e madje edhe televizione të hedhur rishtazi ne treg


 Format që një pushtet përdor për të pasur mbështetjen e një medie të caktuar  ose së paku për të mos u sulmuar prej saj janë të shumta dhe kanë ndryshuar me kohën. Nëse në pushtetin autokrat të PD në vitet1992-1997 mungesa e përvojës dhe ndoshta dhe e fantazisë bënte që mediat kritike të sulmoheshin hapur, t’u digjej redaksia dhe t’u rriheshin e burgoseshin gazetarët, me kalimin e kohës gjërat kanë evoluar. Pushtetet e mëpasshme e kanë braktisur këtë praktikë që shkaktonte zhurmë deri në nivel ndërkombëtar dhe janë orientuar kryesisht nga joshja e mediave dhe gazetarëve kritikë. Pra në kohët moderne gazetarët nuk rrihen, nuk burgosen, thjesht blihen. Për t’i blerë nuk është kusht të jesh në pushtet. Mund ta bësh edhe nga opozita nëse ta lejon xhepi. Ndaj gazetarë e media blihen nga pushtetarë e nga ish pushtetarë dhe idetë e sponsorizuara bëhen kryetituj dhe mbrohen në studio televizive debatesh.

Sofistikimi

Nëse një portal do t’i shërbejë një pushteti të caktuar duke mprehur lapsin, mbrojtja e ideve, e fushatave të tij dhe sulmet ndaj kundërshtarëve janë forma aq të rëndomta e aq demode sa askush nuk do të kishte nevojë për to. Që të kesh njëfarë ndikimi në opinionin publik duhet të jesh i besueshëm dhe për të qenë i besueshëm duhet të dukesh i paanshëm. 

Mënyra më e mirë për t’u dukur i paanshëm është jo vetëm t’i kritikosh të gjithë, por t’u bësh të gjitha krahëve akuza të forta korrupsioni, t’i godasësh në moralin e tyre, t’i shash e t’i fyesh rëndë. Politikanët tanë janë mësuar me akuza e me të shara, aq sa mund të thuhet se kanë krijuar dhe njëfarë imuniteti. Ndaj nuk bën diferencë nëse ushtrisë së sharësve i shtohen edhe dy-tre që shajnë më fort se të tjerët e akuzojnë më shumë dhe e bëjnë këtë vetëm që shërbimet e tyre të jenë më të besueshme. Lidershipi politik, i rrezikuar sot më shumë se kurrë, nuk e ka problem nëse shahet, mjafton që sharësit të kenë si objektiv të fortë delegjitimimi e diskreditimi burimin e këtij rreziku. 

Reforma në drejtësi, targeti kryesor

Reforma në drejtësi është i vetmi faktor që mund të ndryshojë mbretërimin e lidershipit të korruptuar 30 vjeçar shqiptar, i vetmi faktor që pritet të çlirojë podiumin prej nga dirigjohet politika majtas e djathtas. Pa këtë reformë gjithë çka mund të shpresohet në politikën shqiptare janë ca rokada emrash njësoj të korruptuar. Ndaj sulmi ndaj kësaj reforme është shërbimi më i mirë që t’i bëhet lidershipit politik. Ka fare pak rëndësi nëse shpërblimet për këto sulme vijnë nga lidershipi i majtë apo nga ai i djathtë. Të dy janë të rrezikuar dhe të dy do të bënin gjithçka që kjo reformë të dështonte. Një krah politik del hapur kundra reformës dhe një krah jo, por të dy krahët janë të rrezikuar. I vetmi ndryshim është se lidershipi i njërit krah është i rrezikuar për korrupsion, ndërsa ai i krahut tjetër është i rrezikuar për korrupsion dhe për vrasje. Kjo shpjegon pse njëri krah ka më shumë frikë se tjetri. Vjedhja dhe vrasja nuk dënohen njësoj në gjykatë. 

Një shembull i përpjekjes për të manipuluar opinionin kundra reformës është kur portali që e sulmon atë reformë prej vitesh që kur ajo ishte ende një ide, aludon frikën e kryeministrit (frikë nga burgu thuhet) për të firmosur dokumentet e prishjes së teatrit dhe ia delegon firmën vartësve. Nga cili burg duhet të ketë frikë një kryeministër që sipas tyre ka kapur reformën ?

Destabiliteti si oportunitet

Nëse me gjithë sulmet e rregullta e me gjithë përpjekjet për delegjitimim reforma po ecën përpara dhe sot është drejt fundit, atëherë destabiliteti shikohet si një mundësi e të dëshpëruarve për t’i shpëtuar drejtësisë së re. I artikuluar fillimisht nga njëri prej liderëve historikë, i cili nuk ka ngurruar në këta 30 vjet të ndezë zjarr e flakë për të mbrojtur pushtetin ose për të shpëtuar veten e familjen, ky destabilizim u mbrojt mediatikisht pikërisht nga këta shërbyes të devotshëm me laps në dorë. Ishin pikërisht këta që u bënë mbrojtësit mediatikë të daljes së opozitës nga sistemi dhe mos marrjen pjesë në zgjedhjet lokale. Megjithëse kjo dështoi, kryesisht për shkak të reagimit të fortë amerikan, shërbyesit rendin pas çdo oportuniteti që mund të krijojë destabilitet. Edhe pse çështja e teatrit nuk është një nga ato çështje që motivojnë masat (çka dukej qartë në protestat me vetëm disa dhjetëra njerëz përpara se opozita të përfshihej) kjo u pa gjithashtu si një oportunitet destabilizues. Idetë revolucionare as këtë herë nuk munguan. 

Revolucioni nënkupton që populli, ose një klasë e shtypur të ngrihet e të marrë pushtetin. Ndërsa revolucioni i proklamuar nga shërbyesit është një revolucion sui generis ku gjysma e korrupsionit ngrihet kundër gjysmës tjetër. Kur dihet se asnjë aktor me peshë ndërkombëtare nuk do të pranonte një marrje të pushtetit me forcë, gjithë çfarë mund të shpresohet nga një revoltë e mundshme e një populli të manipuluar është destabiliteti, i cili mund të shtynte në kalendat greke ndëshkimin e korrupsionit në nivel të lartë.

Sulmet ndaj ambasadorëve

Fenomeni më i shëmtuar i kësaj historie janë padyshim sulmet permanente ndaj ambasadorëve. Aspak spontane, këto sulme janë në sinkron të plotë me idetë sovraniste të të korruptuarve. Nëse shkëlqesia e tij, presidenti i Republikës, iu tregon ndërkombëtarëve Korenë e Veriut, sulmet ndaj ambasadorëve tentojnë, në mos të krijojnë një frymë anti-perëndimore në vend, të paktën delegjitimimin e përfaqësuesve të tyre. Shëmtia arrin kulmin kur ambasadorët më të rëndësishëm në vend quhen ‘’ambasadorë kinezo-siçilianë’’. Ky nivel i ulët është i pakrahasueshëm me çdo gjiriz përbaltjeje që kemi parë deri tani. 




Skip to toolbar