Albin Kurti, Lezha dhe Tirana

KOSOVA


Intervistë e akademikut dhe diplomatit Fatos Tarifa për gazetën ‘Dita’

Prof. Tarifa, z. Albin Kurti, i cili pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës, ishte tri ditë më parë, në një vizitë të palajmëruar, në qytetin e Lezhës për të bërë homazhe në monumentin që përkujton Besëlidhjen Shqiptare të Lezhës. Ju kenë qenë kohët e fundit një ndër zërat më kritikë ndaj sjelljes politike të tij dhe ndaj propagandës së tij populiste për bashkimin kombëtar të shqiptarëve, siç edhe jeni shprehur në një artikull të gjatë për këtë gazetë javën që shkoi dhe në një intervistë për EuroNews pak ditë më parë. Cili është mendimi juaj për atë vizitë?


Tarifa: Siç vutë në dukje edhe ju, vizita e z. Kurti në Lezhë tri ditë më parë ishte një vizitë e panjoftuar dhe, si e tillë, vizita e një politikani, që ka qenë kryeministër i Kosovës dhe që pritet të bëhet përsëri kryeministër i saj, duhet konsideruar një vizitë private. Fakti që atë e shoqëronin (ose u takua me ata në Lezhë) disa politikanë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Tuzi, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, sidoqoftë, bën që ajo vizitë e papritur e z. Kurti të mos ishte thjesht një vizitë private dhe këtu, siç e shoh unë, qëndron problemi. Më saktë, njëra anë e problemit.

Dikush mund të thotë se, duke ardhur në Lezhë, z. Kurti vinte në shtëpinë e tij dhe në shtëpinë tënde shkohet pa lajmëruar dhe as është nevoja të të presë, të të shoqërojë dhe të të përcjellë dikush. A nuk mendoni edhe ju kështu?

Tarifa: Ju e quani Lezhën shtëpinë e z. Kurti në një mënyrë figurative besoj, njëlloj siç mund të thonit se Lezha është edhe shtëpia juaj dhe shtëpia ime, apo se Përmeti e Gjirokastra janë, gjithashtu, shtëpia e z. Kurti, siç mund ta konsideroni Pejën dhe Kumanovën shtëpinë tuaj, ose shtëpinë time. Por politika, edhe pse ka gramatikën dhe metaforën e saj, nuk është thjesht një figurë letrare. Politika nuk është as vetëm retorikë, edhe pse është një formë arti. Z. Kurti, përveçse është një shqiptar, si ju dhe unë, dhe qytetar i Republikës së Kosovës, është, gjithashtu, edhe një politikan dhe, si i tillë, prej tij pritet që të sillet si një politikan. Ai nuk shkoi në Shëngjin që të pushojë i vetëm, ose me familjen apo shokët e tij, as në Durrës, në Vlorë apo në Sarandë. Z. Kurti erdhi në Lezhë (dhe në Tiranë) me një mision politik (edhe pse në dukje thjesht patriotik) dhe, për këtë arsye, lipsej të respektonte ato rregulla që kërkon protokolli zyrtar i çdo shteti—më së pari t’u njoftonte zyrtarisht ardhjen e tij dhe programin e vizitës së tij autoriteteve zyrtare të shtetit shqiptar.

Por, a mendoni se, pavarësisht natyrës private të asaj vizite, zotin Kurti duhej të kishin pritur drejtues të lartë të shtetit, ose të paktën kryetari i Bashkisë së qytetit të Lezhës?

Tarifa: Me sa jam informuar, ai u prit në takime joformale nga kryeministri i vendit dhe nga kreu i opozitës, por nuk besoj se kjo ka qenë kërkesa dhe as dëshira e tyre, aq më tepër kur, pjesë e axhendës së z. Kurti ishte edhe të bënte fushatë për një përfaqësues të “Vetvendosjes” që kandidon në zgjedhjet legjislative në Shqipëri. Kjo, me sa kuptoj dhe di unë nga politika dhe diplomacia, është një sjellje vërtet jodinjitoze për një njeri që, siç vura në dukje edhe më parë, ka qenë kryeministër e vendit të tij dhe synon të marrë përsëri atë përgjegjësi.

A nuk mendoni se homazhet pranë një monumenti që përkujton një ngjarje historike shumë të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, e justifikonte vizitën e tij në Lezhë? Ka njerëz që thonë se, edhe nëse ky nuk ishte një përvjetor jubilar i krijimit të Besëlidhjes, vizita e tij ishte e dobishme sepse, të paktën, z. Kurti u kujtua që të fshijë pluhurin e një momumenti historik, kur këtë duhet ta bëjnë autoritetet shqiptare.

Tarifa: Në fakt, formimi i Besëlidhjes së Lezhës ka qenë një ngjarje historike mjaft e rëndësishme në historinë mesjetare të shqiptarëve. Veçse kjo ngjarje ka ndodhur 577 vite më parë (më 1444), më shumë se gjysmë shekulli para se Kristofor Kolombi të zbulonte Amerikën (në vitin 1492). 577 vite nuk shënojnë një përvjetor jubilar, por një përvjetor të zakonshëm për një vizitë jo të zakonshme si kjo e z. Kurti. Unë nuk mendoj se ky veprim i tij ishte prudent, as politikisht, as intelektualisht. Dëgjova fjalën që lexoi ai në prani të disa dhjetëra njerëzve të mbledhur me atë rast para monumentit të Besëlidhjes së Lezhës dhe ajo fjalë, nuk e fsheh, përveçse një leksion i thatë historie, m’u duk edhe patetike për paralelizmat dhe mesazhet që përpiqet të përçojë sot. Ajo çfarë Skënderbeu, falë gjenisë së tij, arriti të bënte në shekullit e 15-të me fisnikët dhe feudalët shqiptarë të asaj kohe, duke i bashkuar ata rreth vetes për të organizuar qëndresën legjendare të shqiptarëve ndaj pushtuesve osmanë, nuk mund të evokohet si shembulli i një politike moderne për shqiptarët e shekullit të 21-të. A nuk kanë bërë dhe a nuk bëjnë serbët pikërisht këtë? Më duket naive të thuash, siç bëri z. Kurti në fjalën e tij, se, në këtë përvjetor të 577-të të Besëlidhjes së Lezhës, si një akt politik kolektiv për bashkimin e shqiptarëve në atë kohë, ne, shqiptarët e sotëm, duhet të vlerësojmë se “si do të mendonin e vepronin Skënderbeu, rilindasit tanë dhe, në veçanti, luftëtarët dhe dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë” për bashkimin kombëtar të shqiptarëve sot. A ka vallë z. Kurti një sens historik? A mundet të modernizohet historia në këtë mënyrë? Dhe a mundet një politikan i ditur dhe i arsyeshëm, në vitin 2021, të “zotohet” (fjalë e përdorur nga z. Kurti) para heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, ndarë nga jeta 553 vite më parë, se do ta çojë përpara amanetin e tij dhe të të parëve tanë për “çlirim, bashkim, zhvillim dhe përparim të gjithanshëm” (fjalët e tij). Pyetja që bëj unë në këtë rast është: “Kjo është vallë mënyra se si do të shkojmë përpara, si shoqëri dhe si komb, ne shqiptarët e shekullit të 21-të: duke e mbajtur vështrimin gjashtë shekuj pas, kur ende nuk ishim formuar si një komb i vetëm, ndërkohë që nuk jemi në gjendje të shohim përpara e të dimë se cilët duhet të jemi dhe çfarë duhet të bëjmë qoftë edhe në dhjetëvjeçarin e ardhshëm? Edhe pse, si të gjitha analogjitë, edhe kjo çalon, sidoqoftë, përfytyroni për një çast sikur nacionalistët flamandë në Belgjikë sot t’i justifikonin pretendimet e tyre për t’a bashkuar veriun e atij vendi (qytetet Antwerp, Ghent, Bruzh etj) me Hollandën, duke iu referuar historisë së principatave të Vendeve të Ulëta në shekujt e 14-të dhe 16-të, për të mos përmendur qindra principata të tjera në çdo pjesë të kontinentit tonë në atë periudhë të Mesjetës së vonë. Historinë mund ta përdorësh për të bërë politikë. Por, marrëdhënia mes historisë dhe politikës, siç ka vënë në dukje Louis Althusser, ka qenë e mbetet gjithnjë një marrëdhënie e vështirë. Z. Kurti nuk mund ta bëjë dot marrëdhënien mes tyre një ushtrim të lehtë.

Pra, ju mendoni, se ky përvjetor i krijimit të “Besëlidhjes së Lezhës” nuk kishte pse të përkujtohej nga qeveria shqiptare dhe e justifikoni mungesën e përfaqësuesve të saj në Lezhë atë ditë?

Tarifa: Theksova edhe më parë se 577 vjetori i një ngjarjeje historike, sado e rëndësishme të ketë qenë ajo për kohën e vet, nuk është një jubile, diçka që domosdo duhet t’i çojë politikanët tanë në vendodhjen e asaj ngjarjeje. Përndryshe, në një vend si Shqipëria, që mban mbi shpatullat e saj kaq shumë histori, politikanët tanë do të duhej të kalonin çdo ditë të vitit në vende ngjarjesh historike. Ne nuk i kemi zgjedhur ata për këtë punë. Historinë le ta vlerësojnë, ta shpjegojnë e ta përkujtojnë historianët. Politikanët duhet të përpiqen për mirëqenien e qytetarëve sot dhe për të ardhmen e vendit; për këtë i kemi zgjedhur dhe për këtë punë i paguajmë. Dhe nuk është detyrë e qeverisë që të pastrojë pluhurin e një monumenti. Ka administratorë dhe punonjës të caktuar që merren me këtë punë dhe paguhen për të bërë këtë punë. Nga ana tjetër, nëse z. Albin Kurti misionin e tij si kryeministër i ardhshëm i Kosovës e sheh në pastrimin e pluhurit të një monumenti në Lezhë dhe në të bërit fushatë për një kandidat të “Vetvendosjes” në Tiranë dhe jo te problemet e mëdha me të cilat përballet shoqëria kosovare, kjo do të ishte vërtet për të ardhur keq.

Z. Kurti ka shpallur me kohë se dëshiron dhe do të punojë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. A mendoni se ai beson vërtet se ky është një mision i mundur, apo qëllimi i z. Kurti është thjesht propagandistik?

Tarifa: Këtë çështje e kam trajtuar gjerësisht në artikullin “Bashkimi kombëtar i shqiptarëve në BE ose në një Europë post-BE”, që botova në disa numra në këtë gazetë javën e shkuar dhe më kurseni kohë që të mos përsëris ato çfarë kam thënë më parë. Ndoshta, ajo që mund të ritheksoj këtu, shkurt, është se ta konsiderosh rastin e ribashkimit të Gjermanisë Perëndimore me Gjermaninë Lindore si një shembull dhe model që duhet ndjekur për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, siç bën Albin Kurti, dëshmon jo vetëm padituri ndaj kësaj çështjeje, por edhe mungesë të perspektivës historike dhe të imagjinatës politike e diplomatike, dy kualitete shumë të rëndësishëm për një politikan të nivelit të tij.




Skip to toolbar