Ndërsa aleatët e Koalicionit Opozitar kërkojnë një tryezë dialogu opozitë maxhorancë, selia blu ende duket e paqartë në qëndrimin e saj.
Një ditë më parë kryetari i PD-së, Lulzim Basha në mënyrë indirekte pranoi se është i hapur për dialog, duke thënë se qëndrimet e PD-së janë në koherencë me qëndrimet e partive aleate, ndryshe është shprehur numri dy i kësaj partie, Gazmend Bardhi.
Ai e ka thënë në mënyrë të prerë se nuk do të ketë asnjë tryezë bisedimi me Ramën kryeministër.
“Ajo që unë mund të pohoj me 100% siguri është që as kryetari i PD, Lulzim Basha, as ndonjë drejtues tjetër i PD, nuk ka asnjë kanal konunikimi me Edi Ramën.
Nuk ka për të patur asnjë kanal komunikimi me Edi Ramën, asnjë marrëveshje me Edi Ramën, sa kohë ky është kryeministër, sepse situata ku ndodhet sot vendi është për shkak të këtij njeriu.
Nuk mund të negociohet me shkaktarin e situatës. Do të duhet të largohet shkaktari i situatës Edi Rama dhe, më pas, vendi do të shkojë drejt zgjidhjes, që i japin fund krizës politike apo institucionale, por negociata me Edi Ramën sa kohë ky është kryeministër i Shqipërisë, nuk ka për të patur”, ka thënë Bardhi në emisionin e Ilir Babaramos në Report TV.