Anulohet takimi i 1 korrikut në Paris, Haradinaj: Nuk e di arsyen

AKTUALITET


Takimi i planifikuar për t’u zhvilluar në 1 Korrik mes Kosovës dhe Serbisë për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve është anuluar, por kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e di arsyen.

Ai thotë se nuk ka informacione pse është anuluar takimi i Parisit. “Arsyeja pse është shtyrë takimi i Parisit nuk i di. Por, një gjë mund të ju konfirmojë se Kosova është palë serioze. Dialogu e ndihmon atmosferën politike, por nuk është kusht për liberalizimin e vizave”, tha Haradinaj, i cili vazhdon të këmbëngulë që taksa ndaj produkteve të Serbisë nuk do të hiqet.

Ndërsa  presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, anulimin e takimit të Parisit e lidh pikërisht me refuzimin e Prishtinës që ta heqë taksën ndaj Serbisë. “Nuk do të ketë takim në Paris. Gjermanët edhe francezët e kanë kuptuar se kush nuk dëshiron bisedime dhe kush i frenon ato”, u shpreh nga Bjellorusia ku po qëndron Vuçiç.

Ndërsa qeveria gjermane dhe presidenca franceze konfirmonin anulimin e takimit të Parisit, në Prishtinë mediat njoftuan për një takim “të fshehtë”, në Berlin, të këshilltarëve të kryeministrit Haradinaj me këshilltarët e Presidentit serb Vuçiç. Më vonë ky takim u konfirmua nga Haradinaj dhe Vuçiç por, kjo ngjalli reagime të ashpra në Prishtinë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se takimi në Berlin (që u zhvillua ndërmjet Avni Arifit ish-udhëheqës i dialogut teknik dhe Marko Gjuriqit shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë) ka qenë formal jo publik. “Mendoj që është mirë që po qartësohet se çka ka mbet pa u zgjedh. Ballafaqimi i delegacionit teknik ka konfirmuar se e vetmja çështje pa u zgjidh është njohja. Është sqaruar shumë mirë se çka mundet me pas zgjidhje. Takimi ishte formal, jo publik. Delegacionit e dy palëve janë taku. Nikoqirë ka qenë Zyra e Kancelares gjermane. Partnerët e koalicionit kanë qenë paraprakisht të njoftuar. Asociacioni i komunave më shumicë serbe nuk ka qenë fare pjesë e bisedave”, tha Haradinaj, raporton Deutsche Ëelle.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se me shtyrjen e takimit të Parisit, do të vonohet edhe arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Pacolli përmes një shkrimi të bërë në Facebook, ka pohuar se Kosova nuk do të mbetet peng dhe as e izoluara nga tekat e Serbisë, ai ka shtuar se çdo pengesë që po i bëhet Kosovës, është pengesë që po i bëhet edhe rajonit në proces të rrugëtimit evropian.

Më tej ai ka theksuar se, Serbia po mbahet e lidhur fortë me Rusinë, prandaj vendet e tjera nuk kanë pse të mbesin peng i kësaj axhende.



Skip to toolbar