Armenia bie në fund, Italia fiton me përmbysje

SPORT


Kombëtarja e Italisë mundi me përmbysje 3-1 Armeninë në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020. Dy golat e Belotit dhe një gol i Pelegrinit i dhanë tre pikët italianeve të cilët kryesojnë grupin J me pikë të plota.

Kombëtarja e Italisë arriti një fitore drithëruese në transfertën armene në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Euro 2020. Një duel i cili rezultoi më i vështirë nga çfarë ishte parashikuar për katër herë kampionët e botës. Italianët fituan me rezultatin 3-1 dhe kryesojnë grupin J me pikë të plota. Të parët që kaluan në avantazh ishin armenët në minutën e 11 me një kundërsulm që zuri në befasi prapavijën italiane.


Gjithsesi të besuarit e trajnerit Roberto Mançini reaguan menjëherë dhe në minutën e 28 sulmuesi i cili aktivizohet me Torinon në Serine A, Andrea Beloti vendosi baraspeshën. Për italianët sfida u bë më e lehtë pasi autori i golit të vetëm u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Miqtë fituan nga epërsia numerike në fushën e lojës madje realizuan dy gola të tjerë.

Fillimisht ishte futbollisti i Romës, Pelegrini i cili kaloi në avantazh italinë për shifrat 2-1. Për të mbyllur fatet e këtij takimi mendon sërish autori i golit të parë për italianët, Beloti i cili realizon me një të majte precize golin që vlen tre pikët. Një fitore tepër e rëndësishme për Italinë e cila ndeshjen e radhës do ta luajë në transfertë ndaj Finlandës.




Skip to toolbar