Johnson këmbëngul për zgjedhje të parakohshme dhe Brexit

BOTA


Kryeministri britanik Boris Johnson vazhdoi të bëjë presion të enjten për zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, me gjithë disa disfata në parlament dhe dorëheqjen e papritur të vëllait të tij nga posti i ministrit dhe nga parlamenti. Gjatë një fjalimi në Yorkshire, Johnson këmbënguli se duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme në mënyrë që votuesit të vendosin nëse do të largohen nga Bashkimi Evropian më 31 tetor me ose pa një marrëveshje.

Kur u pyetën nëse ai do t’i kërkonte Bashkimit Evropian të zgjasë afatin e Brexit, Johnson e hodhi poshtë kategorikisht një mundësi të tillë, duke shtuar se “më mirë vdes se sa kërkoj shtyrjen e Brexit”. Megjithatë, kreu i qeverisë refuzoi të thoshte nëse do të jepte dorëheqjen nëse shtyrja e daljes nga BE-ja do të ndodhë. Kryeministri akuzoi kundërshtarët e tij politikë për mbështetje të një legjislacioni që do të “sabotonte fuqinë negociuese” dhe do t’i dorëzonte “të drejtat e popullit britanik” BE-së.


Komentet e Johnson erdhën vetëm disa orë pasi vëllai i tij njoftoi në Twitter se po jepte dorëheqjen për shkak të konfliktit mes lidhjeve familjare dhe shërbimin ndaj Britanisë. “Javët e fundit, jam gjetur në mes të besnikërisë ndaj familjes dhe interesit kombëtar – është një tension i papërballueshëm dhe ka ardhur koha për të tjerët që të marrin rolet e mia si deputet dhe Ministër”, tha ai. Dorëheqja e tij pason përjashtimin nga vëllai i tij të 21 ligjvënësve nga Partia Konservatore, e cila mbetet e përçarë në lidhje me strategjinë e kryeministrit për t’u tërhequr nga Bashkimi Evropian më 31 tetor me ose pa një marrëveshje.

 Boris Johnson pësoi një tjetër disfatë të mërkurën kur Dhoma e Komunave votoi në favor të një mase që detyronte qeverinë të kërkonte nga BE-ja që të shtyjë Brexit për tre muaj të tjerë nëse Johnson nuk arrin marrëveshje për daljen deri në afatin e 31 tetorit. Kjo ishte humbja e tretë madhore e tij lidhur me Brexit brenda dy ditësh.

Ndërkohë, Kryeministri britanik u takua të enjten Londër me zëvendës presidentin amerikan Mike Pence. Gjatë një vizite në Dublin të martën me kryeministrin irlandez Leo Varadkar, Pence tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e Britanisë për t’u larguar nga BE-ja dhe u bëri thirrje vendeve të tjera anëtare të “negociojnë në mirëbesim” me Britaninë. Të mërkurën, Presidenti i SHBA, Donald Trump, shprehu besim te Johnson, duke thënë “ai di si të fitojë”.




Skip to toolbar