Atentati ndaj prokurorit, Shoqata e Gjyqtarëve: Të gjendet autori, jo si ngjarjet e tjera

AKTUALITET


Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e ka cilësuar si një atentat mafioz sulmin ndaj prokurorit Albert Kuliçi. Ata theksojnë se kjo ngjarje duhet të zbardhet dhe të mos mbetet pa autor, siç kanë mbetur shumë ngjarje të tjera të ngjashme.

“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë përcjell me shqetësim të madh dhe indinjatë të thellë ngjarjen e sotme mafioze, të ndodhur në qytetin e Vlorës, ku një sasi eksplozivi ka hedhur në erë, duke dëmtuar rëndë, makinën e Prokurorit Albert Kuliçi, me detyrë Zëvendësdrejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë dhe njëkohësisht drejtues i Njësisë së Posaçme (Task Force)”, shprehet në reagimin e saj.


Sipas saj, cenimi i jetës, shëndetit apo pronës së magjistratit përbën një fenomen të papranueshëm për një shtet të së drejtës, që duhet të vërë në alarm të gjitha strukturat përgjegjëse shtetërore si dhe të zgjojë ndërgjegjen qytetare për rëndësinë e misionit të magjistratit. Autori apo autorët e këtij akti të rëndë ndaj Prokurorit Albert Kuliçi duhet të marrin një përgjigje të shpejtë, efektive dhe të ashpër nga organet ligjzbatuese.

“Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë inkurajon të gjithë organet shtetërore që janë angazhuar tashmë me hetimin e ngjarjes dhe zbardhjen e autorit/autorëve të saj për të kryer një punë profesionale me qëllim që të rikthehet qetësia e munguar dhe besimi i tronditur nga kjo ngjarje në radhët magjistratëve por edhe të të gjithë qytetarëve. Shpresojmë që kjo ngjarje të marrë emër dhe të mos mbesë e pa zbardhur sikurse rëndom ka ndodhur në raste të tjera”, deklaroi Shoqata e Gjyqtarëve.




Skip to toolbar