Udhëtimi drejt Greqisë, Policia: Nesër hyjnë në fuqi masat e reja, duhet test negativ nga një institucion i certifikuar

Policia e Shtetit njofton se nga dita e nesërme në pikat e kalimit kufitar me Greqinë do të hyjnë në fuqi masat e reja që shteti helen ka vendosur për të parandaluar pandeminë në koronavirusit.

Në njoftimin për shtyp Policia e Shtetit bën me dije se nga nesër do të kalojnë nga Kakavija drejt Greqisë vetëm 750 shtetas ndërsa nga Kapshtica vetëm 300 shtetas.

Qytetarët duhet të kenë kryer testin për Covid-19 dhe formularin PLF.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Nisur nga masat kufizuese për shkak të COVID-19, Policia greke ka njoftuar Policinë Kufitare në Kakavijë dhe Kapshticë se duke filluar nga data 16.08.2020, nga ora 06:00 deri në orën 22:00 të çdo dite në vazhdim, për të hyrë në Republikën e Greqisë, nëpërmjet Kakavijës do lejohet të hyjnë në Greqi vetëm 750 shtetas çdo ditë, ndërsa nga Kapshtica vetëm 300 shtetas çdo ditë.

Për të hyrë në Republikën e Greqisë prej datës 17 gusht sërish qëndrojnë në fuqi kushtet:

1. Të kenë kryer testin e COVID 19, jo me vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë negativ.

2. Testimi të jetë bërë nga autoriteti shtetëror (Instituti i Shëndetësisë) ose nga çdo spital apo klinikë e certifikuar dhe e njohur nga shteti.

3. Certifikata të përmbajë të dhënat personale të personit, numrin e pasaportës ose të kartës greke, rezultatin negativ të testit, emrin e Institucionit ku është kryer testimi, adresën, numrin e telefonit, si dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze.

4. Do të lejohen të hyjnë në Republikën e Greqisë shtetasit që kanë leje qëndrimi greke ose shtetësi greke, punëtorët sezonal, si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës;

5. Çdo shtetas që do të hyjë gjithashtu duhet të këtë plotësuar formularin PLF.

Lëvizja drejt Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi vijon si më parë.

Policia Kufitare apelon për qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë që mos të dynden në të njëjtën kohë drejt pikave kufitare dhe ata që do të udhëtojnë duhet të plotësojnë të gjitha kriteret e vendosura nga pala greke, për të mos krijuar radhë e vonesa gjatë përpunimit të dokumentacionit të këtyre shtetasve.

Vaksina kundë Covid19, BE porosit 400 mln doza

Situata me koronavirus në Europë ka angazhuar edhe një herë vendet më të prekura në ndërmarrjen e masave të reja për ndalimin e përhapjes së tij.

Brukseli zyrtar nga ana tjetër konfirmon mbështetjen për të gjitha vendet anëtare.

“Do t’i mbajmë premtimet tona”, njoftoi nëpërmjet një postimi në Twitter presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen sipas së cilës, BE ka firmosur marrëveshjen për 400 milionë dozat e para të vaksinës që do të certifikohet e para.

Por deri në atë moment, kontinenti i vjetër duhet të parandalojë rrezikun.

Gjermania regjistroi një rekord të ri gjatë kësaj jave me 1449 raste të infektuarve të rinj në 24 orë.

Autoritetet bëjnë thirrje për një ndërgjegjësim më të madh për të mos lejuar krijimin e një situate kaotike. Shtohet ndërkohë lista e vendeve me rrezikshmëri të lartë.

Spanja iu bashkohet vendeve të njoftuara më herët, përjashtuar Ishujt Kanarie. Çdokush që vjen nga ky shtet do i nënshtrohet testeve dhe do izolohet deri në daljen e rezultateve. Spanja është mes vendeve problematike për shkak të numrit të lartë të të infektuarve. Rreth 3 mijë të tillë u raportuan vetëm në 24 orë.

Ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa njoftoi 11 masa të reja, mes të cilave është edhe ndalimi i duhanpirjes në ambiente të jashtme nëse nuk respektohet distancimi fizik prej 2 m. Ndalohet grumbullimi i më shumë se 10 personave, mbyllen diskotekat dhe do të ketë një kontroll të shtuar për higjienën në bare.

Masat përfshijnë edhe Britaninë e Madhe, e cila njoftoi karantinën 14 ditore për këdo që vjen nga Franca, Holanda, Monako dhe Malta. Njoftimin e bëri në rrjetet sociale, Sekretari i Shtetit, Grant Shapps dhe si kundërpërgjigje Franca njoftoi të njëjtin vendim për këdo që vjen nga ishujt. Përgjegjësi i shëndetit publik francez njoftoi gjithashtu si zonë me rrezik të lartë Parisin dhe Marseille.

Situata paraqitet e rënduar edhe në Greqinë fqinje. Kryeministri Mitsotakis u bëri thirrje të rinjve që të respektojnë masat e njoftuara nga autoritetet. Qeveria vendosi izolimin nga mesnata deri në orën 07:00 të mëngjesit që më parë ishte aplikuar në Mykonos dhe të tjerë ishuj turistikë.

Koronavirusi në Kosovë, 9 viktima dhe 145 raste të reja në 24 orët e fundit

9 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Kosovë në 24 orët e fundit, raportojnë autoritetet shëndetësore atje, shifër që e çon në 390 numrin total të viktimave.

Në 24 orët e fundit, në Kosovë janë realizuar 451 testime dhe janë konfirmuar 145 raste të reja. Në total, 11275 raste janë konfirmuar në Kosovë, prej tyre 3924 aktive.

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 144 pacientë të shëruar, shifër që e çon në 6961 numrin total të personave që kanë kaluar tashmë Covid-19.

Koronavirusi në Shqipëri, publikohen shifrat ditore

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 6 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Shqipëri në 24 orët e fundit.

Gjatë ditës së fundit janë kryer 650 testime dhe janë konfirmuar prej tyre 143 raste të reja. Ndërsa numri i të shëruarve raportohet të jetë 51.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në spitalet Covid në vend janë momentalisht të shtruar 119 persona, prej të cilëve 14 janë në terapi intensive dhe 3 të intubuar.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 650 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ndërsa 143 persona janë konfirmuar positive me Covid19.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 45 raste në Tiranë, 31 në Durrës, 17 në Korçë, nga 6 raste në Shkodër, Krujë, Vlorë, nga 4 raste në Elbasan, Lezhë, Lushnje, Tropojë, nga 3 raste në Berat, Gjirokastër, 2 në Kavajë, nga 1 rast në Kukës, Mat, Malësi e Madhe, Prrenjas, Memaliaj, Klos, Gramsh, Shijak.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 51 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3746, që nga fillimi i epidemisë.
Mjekët e familjes në të gjithë vendin po monitorojnë çdo ditë personat aktivë me Covid19, që janë të izoluar në banesë. Në rast se jeni i prekur dhe keni shenja të lehta të sëmundjes, kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun tuaj të familjes.
Në rast se simptomat përkeqësohen, kontaktoni Urgjencën Kombëtare 127, e vetmja strukturë që bën referimin dhe transportin drejt spitaleve COVID.

Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 119 pacientë të konfirmuar pozitivë, 14 pacientë janë në terapi intensive, 3 prej të cilëve të intubuar.
Ju informojmë se në dy spitalet Covid po vijojnë të trajtohen edhe 14 pacientë të cilët kanë qenë pozitivë me Covid19 dhe aktualisht janë negativizuar, megjithatë vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.
Ndërsa vazhdojnë të trajtohen sipas protokolleve përkatëse edhe pacientë të dyshuar të prekur nga virusi i rrezikshëm.
Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 58 vjeçar nga Tepelena, një 71 vjeçar nga Durrësi dhe 4 qytetarë nga Tirana; një 50 vjeçar, një 54 vjeçare, një 67 vjeçar dhe një 70 vjeçar.
I shprehim ngushëllimët familjarëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm dhe të jenë rigoroz në zbatimin e protokolleve të sigurisë. Kjo është e vetmja mënyrë që të kufizojmë përhapjen e infeksionit. Sjellja individuale është përcaktuese në këtë betejë me Covid19.
Është shumë e rëndësishme që jo vetëm personat e konfirmuar pozitivë por edhe ata që janë të dyshuar apo janë në që janë në pritje të përgjigjes së testit, duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit.

COVID-19 – Statistika (15 Gusht 2020)
Testime totale 49801
Raste pozitive 7260
Raste të shëruara 3746
Raste Aktive 3289
Humbje jete 225

(Qarku Tiranë 111, Shkodër 34, Durrës 31, Fier 10, Elbasan 8, Korçë 8, Lezhë 6, Kukës 5, Vlorë 5, Dibër 3, Gjirokastër 3, Berat 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 1771
Durrës 433
Shkodër 285
Fier 140
Lezhë 125
Vlorë 118
Korçë 118
Kukës 94
Elbasan 89
Berat 50
Gjirokastër 34
Dibër 32

Ministrja Xhacka deklaratë nga Kakavija: Po marrim masa që radha të shkurtohet sa më shpejt

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka ka mbërritur në pikën kufitare të Kakavijës, ku ka takuar edhe zyrtarë të lartë lokalë, ndërsa fokus i saj ishte radha e gjatë e automjeteve që është krijuar në pikën kufitare të Kakavijës.

“Gjendemi këtu në Kakavijë dhe po marrim masa që kjo radhë të shkurtohet sa më shpejt të jetë e mundur. Duhet t’ju vijmë në ndihmë qytetarëve.

Duhet që qytetarët të mos rrezikohen më tej me këtë kohë pandemie. Orari i punës të zgjatet përtej orës 22.00”, tha Xhacka.

Në Kakavijë, nga ora 14:00 deri në 18:00 kanë kaluar 1 300 qytetarë në kufi.

Olta Xhacka u shpreh se po bisedohet me palën greke që të punohet edhe në turn nate.

Situata në Kakavijë, Cakaj bisedë telefonike me ministrin grek: Diskutova nevojën për lëvizje më të shpejtë të qytetarëve drejt Greqisë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Gent Cakaj me anë të një statusi në rrjetet sociale, shprehet se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin aktual të Jashtëm të Greqisë, Miltiadis Varvitsiotis.

“Kam zhvilluar një bisedë telefonike me homologun grek.

Ne diskutuam nevojën për të lehtësuar kalimin në kufi për qytetarët shqiptarë, në Kakavijë.

Ne jemi duke ndjekur vazhdimisht situatën në kufirin me Greqinë, për të bërë të mundur lehtësimin dhe kalimin sa më të shpejtë të qytetarëve shqiptarë në anën tjetër të kufirit”, shkruan Cakaj.

Radhët në Kakavijë, policia shpërndan ujë për qytetarët, autoritetet kufitare takime me palën greke për të përshpejtuar punën

Policia në ndihmë të qytetarëve, të cilët për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, po qëndrojnë në radhë me orë të gjata pritjeje për të kaluar në shtetin grek.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Forcat Shqiponja dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor, gjatë paradites dhe mesditës së sotme kanë shpërndarë dhe vijojnë të shpërndajnë qindra shishe me ujë për drejtuesit e mjeteve, familjarët dhe të afërmit që udhëtojnë me ta, si dhe për pasagjerët e autobusëve që janë në pritje për të udhëtuar në drejtim të shtetit grek.

Gjithashtu, për të normalizuar qarkullimin, për të respektuar radhën dhe për të mos krijuar konfuzion janë aktivizuar edhe grupe të FNSH-së dhe të Delta Forcë në mbështetje të punonjësve të Policisë Rrugore.

Ndërkohë, nga ana e drejtuesve të Departamentit të Policisë Kufitare dhe drejtuesve të Stacionit të Policisë Kufitare Kakavijë janë marrë e po merren takime të shpeshta me qëllim ndikimin nga ana e Policisë greke të autoriteteve shëndetësore greke për të shtuar personelin me qëllim që të kryhen në kohë më të shpejtë tamponët për COVID-19.

Shërbimet e Policisë janë shtrirë përgjatë aksit rrugor Jorgucat-Kakavijë, duke i ardhur në ndihmë çdo qytetari në nevojë.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të mos dynden drejt Kakavijës, pasi në ditët e ardhshme pala greke do të kufizojë akoma më shumë lëvizjet drejt shtetit grek.

Manastirliu publikon pamjet nga spitali COVID2: Respektoni rregullat

Pacientë të varur nga oksigjeni, diku rënkime por dhe falënderime dhe shpresë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka shpërndarë një video të situatës që është aktualisht brenda spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”/COVID2, ku ka një fluks në rritje të pacientëve të prekur nga virusi i rrezikshëm si dhe të rasteve të dyshuara që po marrin trajtim në këtë spital.

Ministrja Manastirliu ka apeluar për respektimin e rregullave për të frenuar përhapjen e COVID19.
“Mbaje maskën, ruaj distancimin, kujdesu për higjienën. Mos rreziko jetën tënde dhe të njerëzve më të dashur! Të gjithë bashkë, t’i japim një dorë mjekëve dhe infermierëve kundër COVID19”, shkruan Manastirliu.
Shefja e Shërbimit të Pneumologjisë në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, prof. Silvana Bala ka bërë një apel për qytetarët: “Asnjëherë mos mendoni që kjo sëmundje është e lehtë. Është shumë e rëndë, është shumë e vështirë. Këta persona që shihni këtu, kanë qenë të shëndoshë, por në një moment, janë në vështirësi me jetën”, tha prof. Bala.

Qëlluan ndaj hotelit në Tushemisht, arrestohet ekzekutori, i shpallur në kërkim për dy vrasje të tjera

Policia njoftoi se ka arrestuar edhe ekzekutorin e atentatit ndaj hotelit në Tushemisht të Pogradecit pak ditë më parë, duke e çuar në 7 numrin e personave të arrestuar për këtë ngjarje, ku fatmirësisht nuk pati viktima.

Në pamjet e publikuara nga autoritetet të arrestuarit, i identifikuar si Anterio Kaloshi, i bëhet thirrje me dron që të dorëzohet e më pas efektivët e Policisë hynë në tarracën e godinës ku ndodhej dhe e arrestojnë. Sipas autoriteteve, ai është i shpallur në kërkim për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve në Lushnjë, si dhe për vjedhjen me dhunë të një automjeti në Korçë.

Gjatë operacionit u sekuestruan edhe armë zjarri, armë të ftohta, armë gjuetie, sasi me municion luftarak, krehra, dokumente të dyshuara si të falsifikuara dhe sasi monetare. Përveç Kaloshit, 29 vjeç, janë arrestuar edhe Meardi Berberi, 34 vjeç, banues në Pogradec (person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër jetës dhe pronës) dhe Ervin Kalaja, 40 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”).

Shërbimet e Forcave Operacionale kanë bërë kapjen në flagrancë të tyre në zonën e Linzës, Tiranë, në garazhin e shtetasit Ervin Kalaja, i cili dyshohet se ka përkrahur pas kryerjes së krimit, shtetasin Meardi Berberi, duke i mundësuar kushte dhe mjete për jetesë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, këtyre shtetasve iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri tip pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 thikë, krehra, sasi municioni luftarak, të cilat i posedonin pa leje, dokumente të dyshuara si të falsifikuara, sasi monetare në lek dhe euro.

Gjithashtu janë sekuestruar pjesë të ndryshme të armëve të zjarrit që dyshohet se janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale, të cilat do dërgohen për ekzaminim ne laboratorin shkencor.

“Shtetasi Meardi Berberi, në bashkëpunim me shtetasin Ilir Berberi (i ndaluar), të dy në rolin e organizatorëve, si edhe shtetasi Anterio Kaloshi në rolin e ekzekutorit, më datë 08.08.2020, dyshohet se kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, djalin e pronarit të hotelit, shtetasin J. M., ku si pasojë e të shtënave me armë, janë dëmtuar godina e hotelit dhe 7 automjete të parkuara pranë tij.

Gjithashtu ndaj shtetasit Meardi Berberi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, kryer në bashkëpunim”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 10.02.2020, në lagjen nr. 3, përpara Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka kanosur pronarin e hotelit për të mos dëshmuar në një seancë gjyqësore, si edhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe të IEVP-së gjatë kryerjes së detyrës.

Ndërsa ndaj shtetasit Anterio Kaloshi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 07.03.2018, në lagjen nr. 1, në Korçë, ku në bashkëpunim me shtetas të tjerë kanë vjedhur me dhunë dhe nën kërcënimin e armës, mjetin tip “Benz” në pronësi të shtetasit E. G.

Gjithashtu ndaj Anterio Kaloshit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike” në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 11.10.2017, në lagjen “Loni Dhano” Lushnjë, ku dyshohet se Kaloshi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri tip automatik shtetasit Z. L., dhe J. H., si edhe kanë plagosur shtetasit M. Xh. dhe B. T.”, tha Policia.

Anthony Fauci tregon pasojat e frikshme nëse SHBA provon të arrijë imunitetin e tufës

Mjeku amerikan Anthony Fauci shpjegoi në një intervistë me aktorin Matthew McConaughey se numri i viktimave do të jetë jashtëzakonisht i madh nëse Shtetet e Bashkuara përpiqen që të arrijnë imunitetin e tufës ndaj koronavirusit.

Në një diskutim me aktorin në llogarinë e tij në Instagram, eksperti më i lartë amerikan për sëmundjet infektive tha: “Nëse të gjithë e marrin sëmundjen, pavarësisht përqindjes së lartë të personave që nuk kanë simptoma, do të vdisnin shumë njerëz. Numri i vdekjeve do të ishte totalisht i papranueshëm nëse marrim parasysh numrin e lartë të njerëzve që vuajnë nga tensioni apo diabeti apo epideminë e obezitetit në vendin tonë”, tha Fauci.

“Kjo është arsyeja pse jemi kundër kësaj strategjie, ku disa thonë që ta lëmë koronavirusin t’i infektojë të gjithë dhe më pas do të jemi në rregull. Kjo është ide e keqe”, shtoi drejtori i Institutit Kombëtar Amerikan të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive.

Komentet e tij u bënë vetëm pak orë pasi Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) lëshoi një parashikim të zymtë sipas të cilit deri më 5 shtator, numri i viktimave në SHBA do të arrinte në 189 000. Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, deri të enjten, numri i viktimave nga koronavirusi në SHBA është 167 242, me mbi 5 milionë raste të konfirmuara.

Skip to toolbar