Cakaj: Samiti i Poznanit, të japë mesazh për hapjen e negociatave në Tetor

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, që po merr pjesë në Samitin e Poznanit shprehet se ky samit duhet të përfundojë me një mesazh të fuqishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë në tetor.

Ai thotë se bashkëpunimi rajonal megjithëse është i rëndësishëm, nuk e zëvendëson procesin e anëtarësimit në BE.

Duke marrë pjesë në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor me Ministrat e shteteve anëtare të BE-së, mbështetëse të Procesit të Berlinit, Cakaj kërkon që vendet pjesëmarrëse të shprehen qartë në mbështetje të hapjes së negociatave me Shqipërinë.

“Platforma e bashkëpunimit rajonal ka dhënë rezultate konkrete sidomos në fushën e ndërlidhjes, lëvizjes dhe digjitalizimit deri tani. Sidoqoftë, këtu vlen të nënvizohet se platforma zhvillimore e bashkëpunimit rajonal, përkundër dobisë madhore të saj, nuk mund të zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Samiti i Poznan duhet të përfundojë me një mesazh të fuqishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë në tetor”, shkruan Cakaj në Facebook.

Ai thotë se shoqëria civile duhet me doemos të jetë e përfshirë në strukturat negociuese në rrugën e integrimit evropian.

“Fuqizimi i shoqërisë civile si mekanizëm i patjetërsueshëm i nxitjes së ndërveprimit rajonal. Nisma sikurse a) RYCO dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor janë duke pasur një ndikim mjaft pozitiv në procesin e pajtimit ndëretnik në Ballkan; b) marrëveshja për uljen e çmimeve të shërbimeve të roaming, njohja e diplomave dhe kualifikimeve akademike dhe mbështetja e nismave të tjera në shërbim të aftësive teknologjike dhe digjitale do të kenë një efekt të konsiderueshëm në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm profesional dhe ndërveprimit të thellë doganor në nivel rajonal; c) përfshirja e shoqërisë civile në strukturat negociatore të interesit nuk është thjesht vlerë e shtuar por një detyrim themelorë i rrugëtimit evropian”, shkruan Cakaj.

Në samitin e Proznan merr pjesë edhe kryeministri Rama dhe kancelarja gjermane Merkel përpos liderëve të vendeve të tjera të Ballkanit.

https://www.facebook.com/cakajgent/posts/2361323247470636?__xts__[0]=68.ARDjjmvtiuic9AyyDOzq7Kn7XRp5ng5YlVbYcoY5yFNEwrO_Gd3Xg3zCOe_PqwfNwfw7GMDwUA1aFC5PejElVyy9CnS8A22a4mZqtvBaeaxgQREIthfeO8hHcFrX_9Vdnxre98WSRYVorsDF031n1j7yb9_t8k95qZRNAl6H8E3R9CWv47UDviDyYolSBTCrIhc0NSO-EscSULx67GEgoeSY8a82HIq547jqLQyYbhLqxJ5MykiI2HbO88z5uiJgWaoFg-_Ik2EiaJtbXjaMtaNEOtu4ptXbc_cHrT9IFdlP7g4gRYiQTakHq4TKha_Y313Hy01lc5VsQLdp6H9wpglEp0sR&__tn__=-R

Hapën portat e përmbytën HEC-in ‘Bistrica 2’, pranga dy autorëve

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Sarandës pasi akuzohen se kanë hapur portën e kanalit ujitës, duke përmbytur kështu Hidrocentralin ‘Bistrica 2’.

Të arrestuarit janë V. R., 51 vjeç, banues në Finiq dhe N. R., 66 vjeç, banues në Delvinë. Ngjarja për të cilën ata akuzohen ka ndodhur në datën 3 korrik të këtij viti në vendin e quajtur “Mesopotam i Sipërm” Finiq, ku të dy personat e arrestuar kanë portën e kanalit ujitës dhe si rrjedhojë nxorën jashtë funksionit HEC-in.

Policia nuk ka dhënë detaje mbi arsyet e kryerjes së këtij veprimi, ndërsa vepra penale e konsumuar prej tyre cilësohet e rëndë, pasi HEC-et janë objekte të rëndësisë së veçantë.

Murrizi: 15 deputetë do shoqërojnë Metën në qeli

Nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi, i cili është pjesë e grupit parlamentar të PD-së tha të enjten në seancë parlamentare se 15 deputetë do të shoqërojnë presidentin në qeli.

Në këtë kontekst, Murrizi ishte i qartë kur theksoi se kushdo që ka futur duart në xhepat e qytetarëve shqiptarë, qoftë president apo zyrtar i lartë i shtetit, sipas tij, meriton të shkojë pas hekurave.

“Hallin që keni me presidentin është hall i përbashkët, i 10-15 individëve që shumë shpejt do të jenë ortakë apo banorë të ndonjë burgu të famshëm a të Reçit apo Peqinit, apo të ndërtojë ndonjë të

vetin si Eskobari. Edhe luftën që keni me njëri tjetrin nuk na bie mendja fare, keni që në 1942 me Qemal Stafën që keni vrarë dhe prerë njër-i tjetrin. Kështu që të gjithë, nëse meritojnë të shkojnë në burgun e Reçit, rruga e mbarë qoftë. Nga presidenti, ish-presidenti, kryeministri, ish-kryeministri, nëse meritojnë nga kjo drejtësi që të shkojë në burg, le ta gëzojnë, nëse i njohim do t’i çojmë ndonjë paketë cigare. Haramin nuk do të gëzojë askush, as çunat që ishin dhe as çunat që janë këtu”, u shpreh deputeti i opozitës.

Ai gjithashtu tha se opozita është gati të mbështesë nismën e PS për të shkarkuar presidentin, ndërsa në këmbim të votave kërkoi miratimin e reformës zgjedhore dhe zhbërje të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.

“Ne do ta kushtëzojmë çdo ndryshim me reformën zgjedhore. Po keni qejf i bëni zgjedhjet edhe në 16 tetor t’i bëni qejfin liderit. Do të kushtëzojmë votën edhe për ligjet e reformës në drejtësi edhe për të shpallur shokun Mehmet armik dhe për ti vënë prangat te komiteti qendror vetëm me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ta ndryshojmë kushtetutën e prillit të 2008. Kështu që nëse do të votojmë ndryshimet zgjedhore, do keni edhe votat tona për çdo nismë”, deklaroi ai.

Vodhën 11 banesa në një javë, hajduti u ikën nga duart policëve

Një shqiptar u vu në pranga nga policia italiane pas sinjalizimeve për një vjedhje banese në zonën e Mazzano-s. Identiteti i tij nuk është bërë publik. Mësohet se një bashkëpunëtor i tij arriti t’i shpëtojë arrestimit dhe u arratis. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, ku forcat e rendit u vunë në ndjekje të një makine “Lancia Delta”, pas raportimeve për grabitje. Mjeti me dy hajdutët brenda arriti në një garazh në Ciliverghe.

Në këtë moment ndodhi dhe aksioni për kapjen e tyre, të cilët reaguan ndaj policëve. Mes shtyrjeve dhe goditjeve, njëri prej tyre arriti të largohej, por në pranga ra një 32-vjeçar, i cili u dërgua në burgun Canton Mombello. Dyshja e banditëve sapo kishte kryer një vjedhje, e cila sipas mediave dyshohet të jetë e 11-ta në një javë. Në Ciliverghe, ata kishin ngritur bazën e tyre në një banesë në pronësinë e një shqiptari tjetër. Aty planifikoheshin të gjitha grabitjet në vilat e zonës.

Hajdutët hynin në aksion natën, në momentin që verifikonin se pronarët nuk ndodheshin në shtëpitë e tyre. Për të hyrë brenda banesave thyenin portat dhe dritaret duke përdorur mjete të ndryshme si shkopinj, sharra dhe gur fleksibël. Sapo futeshin brenda merrnin vetëm gjërat e shtrenjta ora, bizhuteri, para, tableta dhe smartfone. Një pjesë e tyre është sekuestruar nga karabinierët. Ndërkohë po punohet për të arrestuar edhe autorin tjetër të vjedhjeve, i cili u arratis, duk u ikur nga duart policëve.

Calavera foli për burg, Meta luan në mbrotje: Sapo kalova Spaçin…

Presidenti Ilir Meta nuk e ndal sulmin kundër ndërkombëtarëve dhe Reformës në Drejtësi. Ai ka postuar sërish të premten një tjetër “refleksion” përmes të cilit sfidon SPAK dhe deklaratat e shefes së ONM-së se Shqipëria duhet të japë prova konkrete, pra duhet të shohim njerëz në burg për të merituar negociatat me BE-në.

“Të jeni të sigurt se fajin nuk e ka Reforma e bërë me 140 vota në Kuvend tre vjet më parë, por transformimi i saj në Ramaformë bashkë me një kor të strukturuar ndërkombëtar që nuk do të pranojë bashkëfajësinë për këtë dështim që po e vuajnë qytetarët, ekonomia dhe biznesi. Shpresoj që këto “arritje” të Ramaformës të mos i mësojnë Profesorët e nderuar të Komisionit të Venecias, të paktën gjatë verës, se më e pakta do kalojnë në gjendje të fikti, përveçse s’do e kuptojnë kurrë pse duhet të punonin e studionin për mëse një vit me intensitet aq të lartë e të vinin e të iknin shumë herë kur këtë Ramaformë mund ta kishte mbyllur z.Agaci për një javë dhe disa miq të inamoruar pas reformës të brohorisnin “È buono per l’Albania””, shkruan Presidenti, i cili teksa ka kaluar Tropojën.

“E di që disa do thonë se kam frikë nga Reforma në Drejtësi e sidomos nga Spaku. Pa merak për të gjithë sepse sapo kalova edhe Spaçin. Kalofshi bukur sot të gjithë”, shkruan Meta, i cili premton se gjatë ditës do të kemi të tjera reagime prej tij në lidhje me reformën në Drejtësi.

“Më vonë, kur të jem më i lirë që të shkruaj me terezi do kënaqeni kur t’ju tregoj se pse sot pas tre vitesh nuk keni asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Askush më mirë se unë nuk ua tregon dot, jo se jam ndonjë tregimtar i madh, por për shkak të detyrave të larta edhe si ish-Kryetar i Kuvendit e si President i Republikës”, shkruan Meta.

Por ajo që bie ne sy është se presidenti e lexon Reformën në Drejtësi me syzet e Nikollë Lesit. Madje fton shqiptarët që edhe ata ta lexojnë pikërisht kështu, pasi i propozon një shkrim nga gazeta e tij.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/2358751614171098?__xts__[0]=68.ARCKLT9RNeyG2VXpurfvaGHMgNExeAGIzxZkayaU02LPndbjfphTcKjRv95zUO-MG5TRnX9SSw1Ekr4JxlwIxKfeMf4L5WPObvw0NQDmXNgvPtl1I9cBEG6YtWHCDpdRXfugKIkTyLdgknou0ikvaW6CBifasKLlRXW7vVddPW8MhV2Zhv09eOUTKVpovRY1XE46QTdVkGGG72FJ4jJVn9YOJJ6A3-pSMrAVomvMzINt51BvgpFZvVkwD1u_QFmug3BtozZ21QUzuHqKNrkpikHAtI7BmOFq-dIUiBjnzLZPrKF-wGXTyTTx45pWurHwtFkJWBHgvvRs_M6GY8mYQO2HkjRr&__tn__=-R

Ky reagim i Metës vjen pas deklaratave që shefja e ONM-së, Calavera tha se reforma në Drejtësi po ecën në drejtimin e duhur dhe se politikanët shqiptarë duhet ta kuptojnë se këtë herë ne duam prova konkrete për hapjen e negociatave, që do të thotë se duam të shohim njerëz në burg. “Këtë herë kur ne negociojmë anëtarësimin, ne kërkojmë një historik treguesish. Kjo do të thotë që ne duam të shohim që ligjet të zbatohen, duam të shohim njerëzit në burg, asetet e krimit të sekuestrohen dhe ne duam të kemi mjaftueshëm fakte/prova, jo vetëm ligje, për të demonstruar që sistemi është i konsoliduar. Vetëm mund të shpresoj që në Shqipëri, kur sistemi po tronditet, të gjithë politikanët ta kuptojnë vlerën e që ka respektimi dhe mbështetja e kësaj reforme”, tha Calavera, që pas reagimit të Metës duket si një mesazh fiks për të.

Mashtronin vajzat me fejesë për trafikim, shkatërrohet grupi

Policia e Korçës ka shkatërruar një grup kriminal, që mashtronte vajza të mitura se do fejoheshin me to dhe më pas i trafikonin në Greqi për ushtrim prostitucioni. 7 persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës pas zbulimit të këtij grupi kriminal, që tentonte të trafikonte vajza të mitura në Greqi, ndër të cilët ishte edhe një i shumëkërkuar, i dënuar me burgim të përjetshëm. Ndërkohë, një i tetë është shpallur në kërkim nga policia.

Operacioni  për shkatërrimin e këtij grupi është në finalizim e sipër nga Prokuroria e Korçës dhe Policia e këtij qarku. Grupi kriminal është zbuluar rastësisht teksa hetoheshin për trafikim të lëndëve narkotike, ndërsa pas vëzhgimeve në terren nga ana e Prokurorisë është zbuluar se grupi në fjalë trafikonte vajza të mitura drejt Greqisë. Skema që përdornin grupi kriminal ishte çnjerëzore. Pasi mashtronin familjet e vajzave në fjalë nga Pogradeci dhe Korça me pretendimin se po fejoheshin më pas i trafikonin drejt shtetit fqinj.

Nga Prokuroria e Korçës u tha fillimisht se janë arrestuar Roland Luli, 33 vjeç, (një i dënuar më par nga drejtësia greke me burgim të përjetshëm dhe i  shpallur në kërkim), Mirel Pasho, Rezarta Memetllari dhe Ermal Basho. Më vonë, policia njoftoi se numri i të arrestuarve ka shkuar në 7 veta. Veç katër të parëve, policia tha se janë arrestuar E.K, 26 vjeç, O.M, 39 vjeç, dhe Ç.F, 36 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e L.P, 28 vjeç. Gjatë operacionit të koduar “Zereci”, fshati nga ku u tentua të trafikohet vajza e mitur, policia tha se sekuestroi armë zjarri dhe të ftohta, municione luftarake, granata dore, vlera monetare (lekë, dollarë euro), bimë narkotike.

“Nëse njohin 30 qershorin, Rama gati për tryezë me Bashën e Metën”

 “Në rast se Meta, Basha e Kryemadhi njohin rezultatet e 30 qershorit atëherë patjetër, të njohin zgjedhjet dhe të vazhdojnë përpara”. Është kjo përgjigjia që dha Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali në studion e ABC News.

E pyetur nëse Rama do të ulej në tryezë me Metën President e Bashën, kryetar të PD, Spiropali tha:  “Presidenti është në proces shkarkimi, derisa të shkarkohet ne e respektojmë si President të Republikës. Ju e keni dëgjuar gjuhën e Presidentit, ajo nuk është gjuhë për dialog. Në rast se Meta- Basha e Kryemadhi e Berisha njohin rezultatet e 30 qershorit atëherë patjetër. Të njohin zgjedhjet dhe të vazhdojnë përpara. Ne e kemi theksuar gjithmonë që tryeza është ajo ku bëhen diskutime”.

Edhe kryeministri Rama e bëri të qartë në fjalimin që mbajti në përfundim të zgjedhjeve të 30 qershorit në selinë e PS-së se është gati t’i shtrijë dorën e dialogun dhe bashkëpunimit opozitës, veçanërisht për reformën zgjedhore që është një kusht i ndërkombëtarëve. I vetmi kusht që vuri Rama dhe që tha se është e panegociueshme dhe e padiskutueshme është reforma në Drejtësi. “Reforma në drejtësi nuk diskutohet, ajo zbatohet”, tha Rama.

Pavarësisht gatishmërisë së maxhorancës për dialog, si presidenti ashtu edhe opozita e kanë bërë të qartë se nuk e njohin 30 qershorin dhe rezultatin e zgjedhjeve, kështu që zhvillimi i një tryeze të tillë s’ka gjasa të mbahet.

Prokurori i Kurbinit në vetting, dyshime për borxhe fiktive dhe konflikt interesi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime në lidhje me pasurinë dhe etikën e prokurorit të Prokurorisë së Tiranës, Zeqir Hoda, i cili gjatë kohës së shortit ka qenë drejtues i Prokurorisë së Kurbinit.

Hetimi për këtë të fundit është bërë në të tri kriteret e rivlerësimit: atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Sipas raportit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, prokurori Hoda ka kryer deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, ka pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurisë, nuk ka kryer fshehje apo deklarim të rremë, por se gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.

Ndërkohë, Komisioni ka kryer hetim të pavarur lidhur me deklarimet e pasurive të kryera nga prokurori Hoda. Për një apartament me sipërfaqe 92 metra katrorë në Tiranë, të blerë në vlerën e 3.9 milionë lekëve në vitin 2001, prokurori Hoda ka deklaruar si burim të ardhurat familjare dhe ato nga shitja e një apartamenti në Kukës, 300 mijë lekë dhuratë nga babai dhe dy hua në vlerat 3000 dhe 4000 dollarë.

Ai ka deklaruar edhe një kredi në shumën 7 mijë dollarë. Sipas KPK-së, babai i prokurorit Hoda nuk ka pasur mundësi për dhurimin e shumës 300 mijë lekë, sepse nuk rezulton e provuar me dokumentacion justifikues.

Komisioni ka konstatuar të njëjtën gjë edhe për huadhënësit. Komisioni ka gjetur probleme edhe në lidhje me një apartament tjetër me sipërfaqe 108.02 metra katrorë në Tiranë, të blerë për 75 mijë euro dhe të shlyer në vitin 2017, për të cilin prokurori Hoda ka deklaruar si burim krijimi kursimet nga pagat për periudhën 2004-2014 në shumën 20 mijë euro, një kredi në vlerën 50 mijë euro dhe 5 mijë euro kur të kalohej në pronësi.

Nga hetimi për këtë pronë u konstatua se ka mungesë të dokumentacionit justifikues për pagimin e këstit të parë 20 mijë euro. Ndërkohë, nga hetimi administrativ është zbuluar se prokurori Hoda ka aksione në shoqërinë “Albtelekom Sh.A”, blerë në vitin 2008 në vlerën e 50 mijë lekëve. Gjithashtu, edhe bashkëshortja e tij që ka punuar në këtë shoqëri ka rezultuar aksionere po në shumën 50 mijë lekë.

Relatorja Çiftja pohoi se referuar ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, Komisioni konstatoi se prokurori Hoda është në shkelje të ligjit të konfliktit të interesit lidhur me aksionet që zotëron në shoqërinë “Albtelekom Sh.A.”, pasi për shkak të detyrës që ai mban, nuk mund të lidhë kontrata me institucionet publike.

KED pret vettingun e dy gjyqtarëve për Gjykatën Kushtetuese

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka gati listën  kanddiatëve nga e cila do të zgjidhen 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është në pritje të rezultateve të “Vettingut” për dy gjyqtarët e shkallës së parë të Tiranës, Anila Kristani dhe Ilir Mustafaj. Gjyqtari Mustafaj ka dalë në seancë dëgjimore, por pritet të jepet vendimi përfundimtar.

Ndërsa për zonjën Kristani ende nuk është përcaktuar një datë konkrete për seancën e verifikimit.

Sapo të përdunfojnë vettingut këta dy gjyqtarë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të bëjë renditjen e propozimeve më të mira.

Janë dy lista me kandidatë për Gjykatën Kushtetuese. Ka nga ata që kanë aplikuar pranë Presidentit dhe nga ana që kanë aplikuar pranë Kuvendit. Por ka edhe kandidatë që kanë aplikuar pranë të dy institucioneve.

Kandidatët që kanë aplikuar te Presidenti i Republikës: Alban Brati, Avni Shehu, Besnik Muçi, Dedë Kasneci, Denar Biba, Gëzim Allaraj, Ilir Mustafaj, Ilir Panda, Kristaq Traja, Luan Dervishi, Petrit Kaja Rexhep Bekteshi, Theodhori Sollaku, Vladimir Gërmenji, Ardita Alsula, Elsa Toska, Regleta Panajoti, Rovena Gashi, Valbona Bala, Zhaklina Peto, Prel Martini, Sinan Tafaj, Ardita Buna Alsula.

 Kandidatët që kanë aplikuar në Kuvend :Anila Kristani, Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Çlirim Gjata, Dashamir Kore, Dedë Kasneci, Denar Biba, Elsa Toska, Gëzim Allaraj, Ilir Kadiu, Ilir Panda, Irena Nino, Kazhanxhi, Kristaq Traja, Rexhep Bekteshi, Sinan Tafaj, Sokol Hasani, Shpresa Beçaj, Theodhori Sollaku, Valbona Bala, Sinan Tafaj, Theodhori Sallaku, Vasil Bendo,  Fiona Papajorgji, Valbona Bala Avni Shehu, Marsida Xhaferllari.

Pikërisht nga këto lista do të zgjidhen 9 anëtarë për Gjykatën Kushtetuese e cila pritet të jetë funksionale brenda muajit korrik.

FMN: Rishikim uljes së pragut të TVSH-së. Barrë e shtuar me rendiment të ulët

Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon që Shqipëria të rishikojë uljen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla, veprim për të cilin ka qenë kundër që në fillim, pasi sipas FMN-së. Shqipëria rezulton të ketë efektivitetin më të ulët të grumbullimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në Rajon, pavarësisht i është shtuar barra organeve tatimore. Sipas një analizë të Fondit Monetar Ndërkombëtar në rishikimin e dytë të marrëveshje se re, kjo renditje e dobët e Shqipërisë vjen për shkak të intensitetit të lartë të përjashtimeve, normave të reduktuara dhe grumbullimit të dobët të saj. “Masa e fundit për uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë duhet të rishqyrtohet” rekomandoi FMN në kuadër të disa rekomandimeve që synojnë të përmirësojnë efektivitetin e tatimit.

Në 13 vende të Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, FMN e renditi Shqipërinë të parafundit për efektivitetin e një prej tatimeve më të rëndësishme që furnizojnë arkën publike te të ardhurave. “Vlerësimi i efektivitetit të TVSH-së në Shqipëri dhe masat për ta përmirësuar atë varen shumë nga hartimi i politikave dhe suksesi zbatimit të tyre”, raportoi Fondi.

FMN i ka kushtuar vëmendje uljes së pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 2 milionë lekë, që filloi të zbatohet nga 1 prilli i vitit të kaluar, për të cilën Fondi u shpreh që në fillim kundër, pasi do të rriste barrën tek administrata tatimore dhe nuk pritej të ndikonte në uljen e evazionit. Sipas analizës Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) u përball me një sfidë të madhe në 2018 në menaxhimin e zgjerimit të regjistrit të TVSH-së, pas reduktimit të pragut. Ky reduktim futi rreth 13,000 biznese të vogla në sistemin e TVSH-së për herë të parë në prill 2018. Kjo rriti me gati një të tretën bizneset në TVSH.

Fondi ka theksuar se menaxhimi i këtij grupi të tatimpaguesve në vazhdimësi krijon një barrë të shtuar në DPT, kundrejt një kthimi të ulët, sa i përket rendimentit të të ardhurave. Gjithashtu sjell kosto shtesë për bizneset më të vogla dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor.

Në Shqipëri, numri i konsiderueshëm i devijimeve nga një strukturë ideale e TVSH-së e ka minuar potencialin i të ardhurave si dhe efikasitetin e tatimit. Por efikasiteti i TVSH në Shqipëri cenohet edhe me tej nga detyrimet e prapambetura të rimbursimit të tatimit.

Autoritetet shqiptare i kanë raportuar Fondit se, planifikojnë të trajtojnë çështjen në dy drejtime plotësuese. E para trajton natyrën strukturore të rimbursimeve e TVSH-së, duke reduktuar akumulimin e mëtejshëm të borxheve. Drejtimi i dytë krijon një skemë të pagese me këste bazuar në konsultimet me sektorin privat. Fondi rekomandon se gjenerimi i bazës së TVSH-së dhe eliminimi i normave preferenciale do të përmirësonte dukshëm efektivitetin e të ardhurave të TVSH-së së Shqipërisë.

Skip to toolbar