Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka
bërë sërish thirrje për shqiptarët të marrin pjesë në protestë për t’i treguar
Ramës së koha e pushtetit të krimit ka marrë fund.
‘Protesta, përballja, bashkimi kundër
padrejtësisë është e vetmja shpresë për shumicën e shqiptarëve që duan një vend
normal, ku qeveria të punojë për ta e jo për krimin. Sonte në ora 19.00 të
bashkohemi si asnjëherë me njëri-tjetrin në protestën kombëtare për t’i treguar
kryeministrit ilegjitim të avdylajve, se populli ia ka hequr vizën! Asnjë hap
pas!” shkruan Basha
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me
Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar pas deklaratës së Zëvendës
Ndihmës-Sekretarit të Shtetit në SHBA, Matthew Palmer, i cili bën përgjegjës
Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin nëse do të ketë dhunë në protestë.
Spiropali përsëriti edhe njëherë qëndrimin e
Palmer, se kush prek zgjedhjet e 30 qershorit, nuk do të shkeli më në SHBA.
“Më qartë dhe me troç se kaq nuk ka!
Përgjegjësit për dhunën janë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Nuk do të shkelin
më në SHBA po s’u ndalën SOT! Zgjedhjet do të bëhen më 30 Qershor dhe PIKË!”
shkruan Spiropali në Facebook.
Lojën e bëjmë ne, pikët i merr Islanda! Kështu ndodhi dhe këtë 8 qershor në Rejkjavik, ku sapo ka nisur pranvera, por sigurisht për vendasit, pasi Shqipëria vijon të dimërojë edhe pas “rifreskimit” me një trajner ekspert, në përvojë dhe moshë… “Shqiponjat”, ndonëse dhanë shenja jete, duket se ende janë larg asaj që kanë premtuar me fjalë gjatë këtyre ditëve, pasi një gol i Gudmundsson, i kthehu me këmbë në tokë lojtarët tanë, të cilët përsëri pësuan disfatë, humbën tre pikë, ndoshta përfundimisht vulosën mbylljen e ëndrrës për kualifikim në Euro 2020.
Në minutën e 22`, Gudmundsson thyen mbrojtjen shqiptare, jo pak por pesë
lojtarë i kalon, dhe sheh Etrit Berishën të pafuqishëm për të bërë diçka. Kështu
Islandezi shënon dhe kaq mjafton për të marrë tre pikë të arta, që e mbajnë Islandën
në kuota të larata për kualifikimin në Europianin e 12 shteteve, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.
Ndeshja!
Edy Reja ndryshon mendje në minutë të fundit, nuk bën atë që kishte thënë,
ndryshon skemën dhe vendos të luajë 4-3-3, nga 3-5-2, me këtë të fundit që i “hëngri
kokën” Eros Grezdës, pasi lojtarit iu tha se s`mund të gjente hapësira. Megjithatë,
kjo skemë ishte në një farë mënyrë identitare dhe e njohur për kombëtaren tonë,
pasi në rikthen pas në kohën e De Biasit.
Skuadra përgjigjet mirë në dhjetë minutat e para, me një kthim
spektakolar të Sokol Cikalleshit në minutën e katërt të takimit, por portieri
vendas është i vëmendshëm dhe ndalon rrezikun. Vendasit fillojnë të reagojnë në
dhjetë minutshin e dytë, dhe shpërblehen në të tretin, pasi në të 22`
Gudmundsson i bën pesë lojtarë kuqezi të shijojnë “spektaklin” e tij.
Pas këtij momenti, skuadra jonë reagon përsëri, por pa mundur të shkojë
më shumë se sa gjuajtjet jashtë porte dhe sipër saj. Pjesa e parë mbyllet pa
ndryshim në rezultat, por me shpresën se gjërat do të ndryshojnë në të dytën. Por
as pas pushimit, gjërat nuk ndryshojnë. Kuqezinjtë vrapojnë pafund në fushë, ndërsa
vendasit tregohen më të saktë në lojën në ajër. Madje në disa raste bëhen të rrezikshëm,
çka detyron Edy Rejën të kryejë ndërrimet.
Kaçe, Ndoj e Sadiku i marrin vendit Bashës, Xhakës dhe Balajt. Kuotat rriten, skuadra nuk dorëzohet, por afrimi i fundit shton nervozizmin dhe asgjë tjetër. Kështu, ekipi kuqezi nuk merr atë që do, ndonëse jep gjithçka deri në përfundim të katër minutave shtesë. Kështu ndeshja mbyllet me fitoren e Islandës, që merr vendin e tretë në renditje me gjashtë pikë, ndërsa kuqezinjtë mbeten në vendin e katërt me tre pikë, teksa të martën e javës së ardhshme Shqipëria do të përballet me Moldavinë.
Pak para nisjes së protestës së 8 qershorit, ambasada e Bashkimi Europian në Tiranë ka
reaguar duke bërë thirrje që nuk do të tolerojnë asnjë lloj të dhunës apo përdorim
të mjeteve që janë projektuar për të lënduar. Në një deklaratë për mediat, BE cilëson
se nëse ka dhunë në protestë përgjegjës do të jenë vetëm drejtuesit e saj,
ndërsa ka bërë thirrje për një dialog urgjent për të kapërcyer situatën aktuale
politike.
“Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën
themelore të qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, ritheksojmë rëndësinë e
ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Ne dënojmë të
gjitha aktet e dhunshme që kanë ndodhur në protestat e mëparshme. Asnjë formë e
nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Përdorimi i eksplozivëve ose i
ndonjë sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndime është krejtësisht i
papranueshëm. Është përgjegjësi e drejtuesve të protestës të sigurojnë që
demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për
banorët e tjerë Tiranës, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë
protestave. Autoritetet e zbatimit të ligjit gjithashtu kanë përgjegjësi për të
vepruar me përmbajtje, edhe nëse provokohen.
Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike.” shkruhet në deklaratën e BE.
Të njëjtën retorikë mbajti edhe Ambasada Gjermane
në Tiranë, ku bëri thirrje që drejtuesit e protestës të siguroheshin që nuk do
të kishte përdorim dhune, ndërsa theksuan nevojën urgjente për tu ulur në tryezën
e dialogu.
Ambasada e Britanisë së Bashkuar në Tiranë ka
zgjedhur ta japë mesazhin e saj për opozitën në dy gjuhë. Në anglisht dhe
shqip, selia diplomatike në Britanisë në Tiranë, i drejtohet opozitës dhe
kryetarit të saj Lulzim Basha, që të ushtrojë të drejtë për të protestuar në mënyrë
të rregullt dhe paqësore.
“Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, ritheksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejtë në mënyrë të rregullt dhe paqësore”, shkruan në nisje të deklaratës së saj ambasada e Britanisë.
Më tej, mesazhi bëhet dhe më i qartë, më domethënës për opozitën dhe drejtuesit të saj, pasi ambasada e Britanisë shprehet se “dënon të gjitha aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mpërashme të opozitës, dhe asnjë formë e dhunës nuk është e tolerueshme”, thuhet në deklaratën e ambasadës së Britanisë.
“Përdorimi i eksplozivëve ose i ndonjë sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndim është krejtësisht i papranueshëm. Është përgjegjësi e drejtuesve të protestës të sigurojnë që demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët e tjerë në Tiranë, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave”, thuhet në deklaratën e ambasadës së vendit ishullor. Më tej, në deklaratë u bëhet thirrje autoriteteve të ligjit për përmbajtje, edhe nëse provokohen.
Në fund, ambasada e Britanisë dërgon dhe një tjetër mesazh, duke u kërkuar palëve angazhim urgjent për dialog. “Ne vazhdojm t`i bëjmë thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën politike”, mbyllet mesazhi i ambasadës britanike.
Pas kritikave që mori nga Ambasada Amerikane në Beograd, të njëjtën retorikë zgjodhi të mbante edhe Bashkimi Europain ndaj deklaratave fyese që ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç bën për Kosovën.
BE, përmes zëdhënëses së Shefes së Diplomacisë, Maja Kocijancic, e ka quajtur fyese dhe aspak bashkëpunuese fushatën në rrjetet sociale ku çdokush duhet të shkruaj mbi një kartëmonedhë “Kosova është Serbi”, pjesë e të cilës u bë edhe ministri Daçiç.
“Secila retorikë që është fyese, konfrontuese dhe përçarëse është në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese, për të cilën rajoni ka nevojë për të ecur përpara. Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë haptazi se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, duhet të sjellë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.” ka thënë Kocijancic
Grupe të organizuara kriminale me prejardhje
nga Shqipëria punojnë në Gjermani, për llogari të mafies italiane. Kjo del nga
përgjigja e qeverisë gjermane pas kërkesës së Të Gjelbërve mbi ndikimin e
mafies italiane. Qeveria gjermane i është përgjigjur një kërkese të partisë
“Të Gjelbrit” mbi ndikimin e mafies italiane në Gjermani. Ndër të tjera
në përgjigjen e qeverisë gjermane thuhet: “Mendohet gjithashtu se disa
anëtarë të Krimit të Organizuar Italian bashkëpunojnë me korrierë të lëndëve
narkotike dhe grupime që kanë prejardhje shqiptare. Kjo prek nga njëra anë
sektorin e trafikimit të produkteve me kanabis, të cilat prodhohen kryesisht në
Shqipëri. Veç kësaj vihet re një ndarje pune në trafikimin e lëndëve narkotike
(kokainës) nga Amerika e Jugut për në Europë dhe transportin e mëtejshëm brenda
Europës. Pjesëtarët e Krimit të Organizuar Italian organizojnë blerjen e
kokainës në vendet përkatëse. Personat me prejardhje shqiptare dhe strukturat e
tyre marrin përsipër detyra logjistike duke e transportuar mallin ilegal nga
portet detare të Europës dhe duke e shpërndarë atë më tej në Evropë”, thuhet
në raport.
Përveç shqiptarëve, mafia italiane bashkëpunon
në Gjermani me edhe me grupime rokerësh ose të ngjashme si edhe me banda të
krimit të organizuar ruso-eurazik. Sipas një raportit policor të Ministrisë së
Punëve të Brendshme gjermane, shqiptarët zënë vendin e katërt ndër të huajt që
kapen nga policia për vepra penale të lidhura me krimin e organizuar.
‘Ndrangheta më e rrezikshmja në Gjermani
Sipas qeverisë gjermane, organizata mafioze
‘Ndrangheta, e cila konsiderohet nga më të rrezikshmet, ka 800-1000 anëtarë në
Gjermani. Sipas raportit në fjalë, këtu ka së paku 18 deri 20 baza fikse të
ashtuquajtura “lokale” të mafies kalabreze. Meqenëse çdo bazë ka deri
në 50 anëtarë, mendohet se numri i anëtarëve mund të jetë shumë më i madh se
344 – ky është numri i anëtarëve të ‘Ndranghetas që ka regjistruar deri tani
qeveria gjermane. Irene Mihalic, zëdhënëse e grupit parlamentar për të
Gjelbrit, ka thënë për gazetën FAZ, se qeveria gjermane e ka pranuar që bazat
lokale në Gjermani kanë së paku tre herë më shumë anëtarë se sa dihej deri
tani: “Kjo është një shifër minimumi tre herë më e lartë dhe një fushë e
errët që duhet zbardhur.”
Ndikim në politikë
Sipas të dhënave të qeverisë gjermane, mafia
italiane numëron 585 anëtarë me vendbanim të përhershëm në Gjermani. Pas
‘Ndrangeta-s, e cila është grupimi më i madh, vjen Cosa Nostra me 123 anëtarë,
degët e Camorra-s nga Campania me 94 anëtarë dhe klanet mafioze nga Pulia, ku
numërohen 18 anëtarë.
Sipas raportit në fjalë, mafia italiane ka një
“shkallë të lartë organizimi dhe profesionalizmi”. Karakteristikë e
saj është se nuk bën akte dhune dhe se përpiqet të ushtrojë ndikim mbi aktorë
të politikës dhe ekonomisë. Në vitin 2017 ishin regjistruar tre tentativa të
tilla nga grupime mafioze italiane, thuhet në raportin e ministrisë, pa
specifikuar, se për cilat raste bëhet fjalë.
Aksioni më i fundit i policisë kundër ‘Ndragheta-s quhej Pollino dhe u ndërmor në dhjetor 2018. Ai synonte të godiste biznesin kryesor të saj: trafikun e kokainës që mafiozët italianë e drejtonin nga bazat e tyre në Renaninë Veriore-Vestafali e ku bashkëpunonin edhe me grupe të tjera të krimit të organizuar, si shqiptarë dhe turq. Këta të fundit mbahen si specialistë për ndërtime të fshehta nëpër makina. Në mbarë Evropën u kapën 90 vetë, mes tyre 14 në Gjermani. DW
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka sekuestruar një sasi të
konsiderueshme produktesh ushqimore në Devoll dhe Korçë, duke gjobitur dhe
bllokuar dy biznese. Sipas njoftimit të AKU-së, dega lokale e këtij institucioni
në Korçë, ka bllokuar aktivitetin e subjektit “Poli Baçi”, që prodhonte
produkte dhe nën produkte të bulmetit jashtë kushteve hijeno-sanitare dhe në mënyrë
të paligjshme.
“Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Poli Baci” (Menkulas, Devoll) me aktivitet “përpunim qumështi” u konstatua se: Subjekti ishte objekt i pagimit të TVSH, por zhvillonte aktivitetin e tij pa u pajisur me licencën përkatëse; subjekti nuk dispononte certifikatat veterinare të qumështit si lëndë e parë; mungonte ambjenti për pranimin e lëndës së parë dhe depozitimit të mjeteve të pastrimit; mungonin kartat teknologjike; si dhe nuk ishte rinovuar analiza e ujit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e AKU.
Ndaj këtij subjekti janë marrë dhe disa masa financiare deri në
mbylljen e aktivitetit, për shkak të shkeljeve të konstatuara. Kështu, AKU e ka
gjobitur këtë subjekt me 1.300.000 lekë gjobë, teksa ka bërë bllokimin e rreth
300 kg djath të bardhë dhe kaçkavall, si dhe bllokim të aktivitetit për ushtrim
të tij në kundërshtim me ligjin.
Po në zonën e Devollit, në qytetin e Bilishtit, AKU ka bllokuar
gjithashtu ushtrimin e një supermarketi, pasi gjatë kontrollit në magazinat e
mallit, janë konstatuar mbetje të brejtësve dhe shepndëve, si dhe një sasi e
konsiderueshme produktesh ushqimore, miell, oriz, niseshte, e dëmtuar nga brejtësit.
Ndaj subjektit “Aurel Zyryku” është vendosur një gjobë prej 500 mijë lekësh për
mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë dhe mos plotësim të kushteve hijeno-sanitare,
si dhe është bërë bllokim i aktivitetit.
Masa me gjobë janë marrë edhe ndaj një subjekti tjetër në Pogradec, i cili shiste produkte ushqimore pa pasur sistemin e gjurmueshmërisë. Ndaj këtij subjekti janë vendosur 100.000 lekë gjobë.
Paralajmërimi i SHBA duket se nuk ka rënë në vesh të shurdhët, pasi LSI ka reaguar pas deklaratave të Palmer, duke u distancuar nga dhuna në protesta. Sekretari i përgjithshëm i LSI, Endrit Brahimllari, pak orë para protestës ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe distancim nga dhuna. “LSI dënon çdo formë dhunë nga kushdo që e bën atë” tha Brahimllari ndërsa shtoi shqiptarët do të tregojnë se janë kundër rrugës që na kthen në diktaturë. Ashtu si kryetarja e LSI, Kryemadhi ditën e premte, edhe Brahimllari theksoi se beteja nuk është kundër policisë por pushtetit kriminal të Ramës.
“Protesta do jetë demonstrim i qytetarisë dhe
vlerave perëndimore. Në asnjë rrethanë nuk e duam dhunën e distancohemi. Jemi
bashkë me zërin e qytetarëve. LSI dënon çdo formë dhunë nga kushdo që e bën
atë. Njeriu i cili kërkon të ushtrojë dhunë përmes pushtetit kriminal është Edi
Rama. Dita e sotme do i tregojë qartë se shqiptarët janë më të bashkuar se
kurrë kundër rrugës që na kthen në diktaturë. Beteja jonë nuk është kundër
policëve po kundër sistemit kriminal të Ramës. Protesta është protestë kundër
varfërisë, arrogancës, grabitjes së taksave. Sot është ditë vendimtare të
bashkojmë zemrat në protestë jemi bashkë për Shqipërinë tonë.”- tha
Brahimllari
Katër aksidente të ndryshme kanë ndodhur të shtunën në akse të ndryshme rrugore, duke shkaktuar plagosjen e gjashtë personave, ndërkohë që një drejtues mjeti është arrestuar nga policia.
Aksidenti i parë ka ndodhur mëngjesin e së shtunës në aksin rrugor Gramsh-Kodoviat. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur dy të rinj. Drejtuesi me inicialet S.H., 30 vjeç teksa po udhëtonte me motoçikletë kishte si pasagjer një 11-vjeçar me inicialet A.H.
Drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe është përplasur më barrierën anësore të rrugës. Nga përplasja e motoçikletës, dy të rinj kanë pësuar dëmtime të rënda dhe janë dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë. Të aksidentuarit mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Një drejtues mjeti i tipi “Ford” ka aksidentuar një 70-vjeçare. Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin “1 Maji” në Elbasan. Mjeti drejtohej nga personi me inicialet L.B., 54 vjeç, banues në Elbasan. Mësohet se këmbësorja me inicialet K.F. është dërguar menjëherë në Spitalin e Elbasanit, ku edhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Një person i moshës 35-vjeçare ka goditur një 67-vjeçar. I moshuari ndodhet në Spitalin e Vlorës në gjendje jo të mirë shëndetësore. Ndërkaq, sipas policisë, drejtuesi i mjetit tip “Ford” është arrestuar në flagrancë në rrugën Kotë-Vlorë. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Një automjet është përplasur me një motor në kryqëzimin e Blinishtit të Lezhës. Dy personat që ndodheshin në motor janë dërguar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Lezhës. Sipas të dhënave të aksidentuarit ishin nga Kosova dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore.