Ultimatum Britanik: Dënojmë aktet e dhunës, uluni urgjent në dialog

AKTUALITET


Ambasada e Britanisë së Bashkuar në Tiranë ka zgjedhur ta japë mesazhin e saj për opozitën në dy gjuhë. Në anglisht dhe shqip, selia diplomatike në Britanisë në Tiranë, i drejtohet opozitës dhe kryetarit të saj Lulzim Basha, që të ushtrojë të drejtë për të protestuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

Ndërkohë që respektojmë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve shqiptarë për të demonstruar, ritheksojmë rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejtë në mënyrë të rregullt dhe paqësore”, shkruan në nisje të deklaratës së saj ambasada e Britanisë.


Më tej, mesazhi bëhet dhe më i qartë, më domethënës për opozitën dhe drejtuesit të saj, pasi ambasada e Britanisë shprehet se “dënon të gjitha aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mpërashme të opozitës, dhe asnjë formë e dhunës nuk është e tolerueshme”, thuhet në deklaratën e ambasadës së Britanisë.

“Përdorimi i eksplozivëve ose i ndonjë sendi tjetër të projektuar për të shkaktuar lëndim është krejtësisht i papranueshëm. Është përgjegjësi  e drejtuesve të protestës të sigurojnë që demonstrimet të mbahen në mënyrë të sigurt si për pjesëmarrësit ashtu dhe për banorët e tjerë në Tiranë, si dhe për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave”, thuhet në deklaratën e ambasadës së vendit ishullor. Më tej, në deklaratë u bëhet thirrje autoriteteve të ligjit për përmbajtje, edhe nëse provokohen.

Në fund, ambasada e Britanisë dërgon dhe një tjetër mesazh, duke u kërkuar palëve angazhim urgjent për dialog. “Ne vazhdojm t`i bëjmë thirrje të gjitha palëve të angazhohen urgjentisht në një dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën politike”, mbyllet mesazhi i ambasadës britanike.




Skip to toolbar