Avokati i Redjan Rrajës, Besnik Çerekja tha se klienti i tij nuk ka lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja. Pas seancës gjyqësore te Krimet e Rënda ku u vendos masa “burg pa afat” për të dyshuarin Redjan Rraja, avokati Çerekja tha për mediat se klienti i tij nuk ka pasur konflikte me prokurorin dhe se nuk ka qenë i përfshirë në atentatin kundër tij. Avokati cilësoi se vetëm syzet ku janë gjetur gjurmët e tij janë si sjellë si provë dhe nuk ka asnjë tjetër.
“Nuk ka asnjë lidhje, nuk është i përfshirë në këtë histori. Të njëjtën gjë konfirmuam dhe ne, kontestuam provat që pretendojnë prokurorët, qoftë për ligjshmërinë e arrestimit qoftë për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Prokuroria solli si prova gjurmë të gishtërinjve në një nga sendet që ndodheshin në makinë. Akuzohet për një sërë veprash penale, që nga vjedhja deri të vrasja e funksionarëve të lartë të mbetur në tentative. Rraja ndodhej në Shqipëri në momentin e atentatit, nuk po tentonte që të largohej, ishte në mjetin e tij, me pasaportën e tij, normalisht. Nuk janë gjetur shenjat e gishtërinjve përveç objektit. Redjani deklaroi vetëm ‘Jam dakord me mbrojtjen dhe shpresoj drejtësia të bëjë punën e saj“.– tha Çerekja.
Gjatë seancës gjyqësore Redjan Rraja nuk ka folur për tu mbrojtur, por ka lënë avokatin e tij. Seanca që zgjati rreth një orë u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa Rraja ka mohuar përfshirjen në atentat duke kundërshtuar akuzat. Avokati Çerekja madje ka dhënë alibi duke pretenduar se klienti i tij ndodhej në një tjetër vend për arsye personale të premten në orën 16:15 minuta kur u bë atentati dhe jo te mbikalimi i Shkozetit. Arrestimi i tij u bë të dielën në darkë në pikën kufitare të Hanit të Hotit, ndërsa tha se “ishte një udhëtim i planifikuar”