Rrahën lojtarin e Maliqit, përjashtohen nga futbolli dy lojtarë të Këlcyrës

#NËRADAR


Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit përjashtoi përjetësisht dy futbollistët e skuadrës së Këlcyrës, Saimir Kule dhe Aristidh Coli. Shkak i këtij vendimi drastik të FSHF-së është bërë dhuna ndaj futbollistit kundërshtar të ekipit të Maliqit, në ndeshjen e disa ditëve më parë në Kategorinë e Dytë të futbollit në vend.

“Lojtari i KF Këlcyra Saimir Kule për sjellje të gabuar ndaj zyrtarit te ndeshjes dhe kundërshtarit ne baze te Nenit 48/1/b, 47/1/f dhe Nenit 31/1 te KDS dënohet me përjashtimin përjetë nga çdo aktivitet futbollistik.  Lojtari i KF Këlcyra Aristidh Coli për sjellje të gabuar ndaj kundërshtarit në bazë të Nenit 47/1/f të KDS dënohet me përjashtim përjetë nga aktiviteti futbollistik”, thuhet në vendimet e Komisionit të Disiplinës për dy lojtarët e skuadrës së Këlcyrës.


Po çfarë ndodhi në ndeshjen Këlcyra-Maliqi?

Të dielën, ishte planifikuar të luhej ndeshja e Kategorisë së Dytë Këlcyra-Maliqi. Ndeshja nisi normalisht, por gjatë zhvillimit të saj ndodhi një incident i rëndë. Futbollistët e Këlcyrës qëlluan me grushte futbollistin Arlind Xaka të skuadrës së Maliqit. Xaka u dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi pësoi fraktura në nofull. Ngjarja u publikuar nga trajneri i skuadrës së Maliqit, Egli Malësia, i cili është shprehur për media të ndryshme se lojtarët e Këlcyrës kishin tentuar të qëllonin dhe atë vetë.

Një gjë e tillë është përgënjeshtruar nga skuadra e Këlcyrës, që bëri një deklaratë publike ku pretendon se inxidenti me futbollistin Xaka ndodhi pas një dyluftimi në lojë. “Për dëmtimin e futbollistit mik Xaka, i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmën e shpejt, përplasja ka qenë në një dyluftim për topin”, thuhet në deklaratën e klubit të Këlcyrës.

Precedenti

Në fakt, nuk është hera e parë që në Këlcyrë ndodhin të tilla akte dhune në fushën e futbollit. Vetëm dy vjet më parë, në derbin Këlcyra-Përmeti, futbollistët vendas sulmuan arbitrin Alvi Paço, pas pretendimit për një penallti. Pamjet ishin të rënda, ku dukeshin lojtarët që sulmonin me grushte e shkelma arbitrin, që përfundoi në spital. Ndërkohë, për atë ngjarje, një nga lojtarët u shoqërua në komisariat, ndërsa klubi i Këlcyrës u përjashtua nga kampionati për pjesën e mbetur të sezonit. Gjithashtu ndaj disa lojtarëve të këtij klubi u aplikuan masa të ashpra ndëshkimore deri në përjashtim përjetë nga futbolli. Ndërkohë, gjatë ditës së diel janë shënuar dhe incidente të tjera të rënda në ekipet e Kategorisë së Dytë. /Realstory.al/




Skip to toolbar