Avokati: Nuk është djegur makina ime, por e fqinjit

AKTUALITET


Avokati Loren Liço ka reaguar për lajmin se makina e tij në bulevardin “Bajram Curri”, është përfshirë nga flakët gjatë natës së dielës, duke shpjeguar mjeti i tij nuk është përfshirë në këtë ngjarje.

Avokati sqaron se automjeti i tij ka qenë i parkuar pas një tjetër mjeti, i cili u dogj, pasi i kishin hedhur benzinë. Sakaq, Liço ka postuar edhe foto të makinës që ai përdor për të vërtetuar se ajo është e padëmtuar nga flakët.


“Automjeti që shihni në fotografi është automjeti që policia pretendon se është djegur duke nxjerrë fotografi me flakë. Fatkeqësisht, ky automjet ka qenë ngjitur me një mjet që i kanë vendosur flakën me benzinë, video të cilat i ka Policia e Shtetit”, deklaroi avokati Loren Liço.

Ndërsa në një prononcim për gazetën “Panorama”, Liço tha se ai ka të parkuara 3 automjete poshtë pallatit dhe “nëse dikush do të kishte qëllim të digjte një nga mjetet e mia, do ta kishte të lehtë”.

Ndërkohë policia e Tiranës ka njoftuar më herët se janë djegur dy automjete, mjeti tip “Wolksvagen Golf”, në pronësi të shtetasit L. L, por që ky i fundit e ka hedhur poshtë. Më tej policia sqaron se si pasojë e flakëve ka pësuar dëmtime të vogla edhe një mjet tjetër që kanë qenë i parkuar në anën e tij. Avokati tha se nuk janë djegur dy makina, por vetëm një, ajo e fqinjit të tij, ndërsa mjeti i Liços ka qenë i parkuar pas tij por nuk është dëmtuar aspak.




Skip to toolbar