Fshatari vdes në spital. Faji i mjekut?

AKTUALITET


Të mërkurën në mëngjes, shtetasi Telha Kelo, nga fshati Pojan i Korçës humbi jetën në spitalin e Korçës. Ai ishte paraqitur në spital me dhimbje barku e koke, dy ditë para se të ndërronte jetë. Ndërkohë, familjarët e 57-vjeçarit kanë ngritur akuza ndaj mjekut që trajtoi familjarin e tyre. Sipas shtetasit Fluturim Kelo, faji pë vdekjen e vëllait të tij është i mjekut të spitalit të Korçës. Vëllai i viktimës shprehet se i kërkuan mjekut ta dërgonin vëllain e tyre për mjekim në Tiranë, por ata nuk e autorizuan largimin e të ndjerit. Babai i dy fëmijëve ishte paraqitur me dhimbje të forta, ndërsa mjekët e diagnostikuan me gurë në tëmth.

 “E solli pardje vëllai tjetër me dhimbje koke. E shtruan këtu në spital, e mbajtën këtu dy ditë dhe në mëngjes mbaroi. Pretendimet tona janë për mjekun. A mund të vdesë njeriu nga dhimbja e kokës?! Normale që jo. Ai nuk ka vuajtur nga asnjë sëmundje më parë. Mjekët i bënin serume dhe thoshin do bëhet më mirë, kaq. U kërkuam mjekëve që ta çonim në Tiranë, por ata na thanë se nuk e kishin përcaktuar ende diagnozën që ta çonin në Tiranë. Të gjithë përgjegjësinë e ka mjeku sepse po të na e kishte dhënë diagnozën, ne do kishim shkuar në Tiranë ta mjekonim. Drejtësia duhet të veprojë, presim të përcaktohet shkaku i vdekjes nga autopsia dhe më pas të kërkojmë drejtësinë”, shprehet Fluturim Kelo, vëllai i viktimës, sipas gazetës “Panorama”.

Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë bërë denoncim në polici për ngjarjen. Blutë e Korçës reaguan duke vënë në hetim mjekun 47-vjeçar me inicialet V.K. Ai akuzohet për “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”. Hetuesit kanë kryer të gjitha veprimet procedurale, ku janë sekuestruar në cilësinë e provës kartelat mjekësore të 57-vjeçarit, deklarimet e familjarëve të tij dhe të mjekëve të spitalit, si edhe u dërguan vendimet e ekspertimit mjeko-ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do të priten aktekspertimet përkatëse për përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Për ngjarjen ka reaguar dhe Spitali i Korçës, duke u shprehur se pacientit i është dhënë ndihma maksimale, ndërsa pritet që të dali ekspertiza mjeko-ligjore. “Pas kryerjes së ekzaminimeve, pacienti ka rezultuar me Kolecistit Kalkuloz. Pas kësaj, pacienti është shtruar në kirurgji. Gjendja e tij është rënduar mëngjesin e së mërkurës dhe është dërguar menjëherë në reanimacion, ku për rreth dy orë është trajtuar nga reanimatori. Spitali Rajonal Korçë sqaron se, bazuar në protokollet e mjekimit pacientit i është dhënë ndihma maksimale nga personeli i spitalit. Jemi në pritje të autopsisë”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Shërbimit të Spitalit Rajonal Korçë.



Skip to toolbar