Balla takim me gra dhe vajza sipërmarrëse në Elbasan: PS, e vetmja parti që i dha gruas dinjitetin e merituar!

AKTUALITET


“Partia socialiste është e vetmja parti politike në Shqipëri që gruas i ka dhënë vendin dhe dinjitetin që meriton. Në krahasim me vitin 2013 është rritur me 30%  numri i grave sipërmarrëse dhe drejtuese në ndërmarrje; përfaqësimi i grave në parlament arriti 29% dhe 36% në këshilla bashkiakë”.

Kështu tha sot gjatë një takimi me gra sipërmarrëse të Elbasanit, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke shtuar se “pas zerimit të TVSH-së dhe Tatim Fitimit, gratë sipërmarrëse sot janë më të sigurta në bizneset e tyre dhe punojnë për të rritur mirëqenien e familjes e padyshim për të rritur punësimin”.


Balla shtoi më tej se në vitin 2013 ku mori pushtetin PS gjeti një sistem pensionesh drejt falimentimit dhe u desh shumë punë për ta çuar në shinat e duhura.

E megjithatë, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i PS, pavarësisht edhe vitit të vështirë, Qeveria Shqiptare arriti të indeksojë pensionet. Duke përmendur të gjithë sektorët ku transformimi ka qenë i jashtëzakonshëm si në shëndetësi, arsim, mjedis etj Balla u ndal tek çështja kryesore, punësimi.

“Gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë është të nxisim punësimin. Por jam krenar sot që numri i sipërmarrjeve që punësojnë gra e vajza në Elbasan është tre herë më i madh; për nga numri i të punësuarve është 5 herë më i madh.

Të gjithë e dimë që në 2013 në Elbasan ishte vetëm një ndërmarrje punësuese, Kurumi që punësonte vetëm burra.”, tha Balla.

Gjithashtu Balla shtoi më tej se puna për Elbasanin do të vijojë dhe qyteti i kulturës dhe dijes do të vazhdojë të mbajë dinjitetin që meriton.




Skip to toolbar