Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se Partia Socialiste mbetet e hapur për reformën zgjedhore, por theksoi se pjesë e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore duhet të jenë edhe grupet e tjera parlamentare.
“Kur bëhet fjalë për reformën zgjedhore, është e domosdoshme që edhe partitë parlamentare që nuk e kanë një grup parlamentar ose më mirë akoma partitë që nuk e kanë dashamirësinë e një grupi parlamentar të madh që të heqë deputetë nga vetja dhe ti japë mundësinë atyre të formojnë një grup parlamentar të jenë të përfaqësuara në komisionin e posacëm të reformës zgjedhore.
Propozimi ynë ka qenë i njëjtë me atë që është gjithmonë të jemi të barabartë edhe në numër edhe në të drejtën e vetos dhe që është garancia më e madhe që dy partitë e mëdha kanë por PS dëshiron dhe vijon të insistojë dhe ndaj e kemi lënë pezull këtë pikë të vendimit në mënyrë që ta miratojmë të gjithë së bashku edhe partitë e tjera parlamentare të jenë aty.
Tani kur ne shohim që kur PD -së këto partitë e vogla i duhen madje u merr borxh edhe kandidatin për kryetar Bashkie se vetë nuk kanë, pse duhet ti përjashtojmë ne këto partitë e vogla nga reforma zgjedhore?” u shpreh Balla, ndërsa shprehu bindjen se nesër parlamenti do i hapë dritën jeshile ngritjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
