Opozita proteston “Rama ik”, banorët për vjedhjen e bagëtive

AKTUALITET


Në Shqipëri janë të pakta protestat, që zhvillohen pa ngjyrime politike. Madje në disa raste, edhe kur nisin të tilla, ato përfundojnë me akuza politike. Një protestë origjinale, pa sfond politik kanë zhvilluar banorët e fshatit Belinë, në Patos, ndryshe nga protestat e para kohët e fundit nga opozita me parullën “Rama ik”. Banorët e këtij fshati kanë protestuar para Prefekturës për vjedhjen e bagëtive.

Ata thonë se në këtë situatë ndodhen prej disa muajsh dhe veç bagëtive u janë vjedhur orenditë dhe sendet e tjera shtëpiake. Protestuesit thonë se kanë denoncuar në polici, por situata ka vazhduar të mbetet e njëjtë dhe hajdutët nuk janë kapur. Në këto kushte ata iu drejtuan prefektit të Fierit, i cili u ka premtuar banorëve të dëmtuar, masa më të forta shtrënguese nga policia me patrulla në zonat e tyre gjatë orëve të natës.


Kujtim Grema, njëri nga banorët shprehet se i është vjedhur motori, pompa e vaditjes dhe viçi e më pas policia e ka gjetur motorin në Fushë-Krujë, por policia e ka mbuluar ngjarjen. “Nga darka dy vetë me automatik në dorë, çorape në kokë, dorashka u përballën me çunin e kisha hall mos e vrisnin, ata nuk reaguan, nuk lëviznin”, u shpreh njëri nga banorët. Kur u pyetën nga ana e gazetarit nëse dyshojnë se hajdutët mund të jenë banorë të zonës, ata shprehen se nuk e dinë dhe ia kanë lënë në dorë policisë të merret me ngjarjen.




Skip to toolbar