Tërheqja e vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KE-së nga zgjedhjet e 30 qershorit, shikohet nga kreu i PD-së, si një sinjal i ndërkombëtarëve se këto zgjedhje janë të paligjshme. Por ndryshe shprehet kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla i cili thotë se KiE nuk ka pasur vëzhgues as në zgjedhjet e 2017 dhe mosprania e tyre nuk ndikon aspak në raportin përfundimtar të vëzhguesve të OSBE-së që është edhe institucioni më i lartë i monitorimit ndërkombëtar të zgjedhjeve.
“Sot bota perëndimore dha sinjalin e parë, të qartë dhe të prerë, se 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri.
Vendimi i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Europës për të anulluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 Qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri.
Për herë të parë nga rënia e komunizmit, Këshilli i Europës ka vendosur të mos dërgojë Delegacion Vëzhgues për zgjedhjet, pavarësisht ftesës që i ka bërë Qeveria shqiptare. Këtë vendim Këshilli i Europës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri”, tha Basha në një deklaratë për mediat të mërkurën. Deklaratë kjo që u zhvlerësua menjëherë nga kreu i deputetëve të PS-së, Balla i cili tha se Kongresi i Autoriteteve Lokale të KE është një strukturë e Këshillit të Evropës dhe nuk është i gjithë Këshilli dhe se ata nuk kanë pasur vëzhgues as në zgjedhjet e vitit 2017. “Është një strukturë e KE por jo e gjithë KE. Vendimi nuk prek raportin përfundimtar të OSBE-së. OSBE, zonja Glover ndodhet në Shqipëri në krye të misionit të vëzhguesve. Raporti i OSBE ka rëndësi për monitorimin e zgjedhjeve”, tha Balla.
E në fakt shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE në Tiranë, Glover ka vazhduar punën e saj për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Gjatë të mërkurës ajo ka zhvilluar një takim edhe me kreun e PD-së, Basha, pavarësisht faktit se ai ka bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit. Gjithsesi ajo ka premtuar se do të raportojë në mënyrë teknike, të paanshme dhe pa ndikuar, të gjithë procesin zgjedhor.