Zgjedhjet në PS nisin nga Elbasani, Balla kërkon hapje të partisë

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Partia Socialiste i është nënshtruar një fushate ristrukturimi i të brendshëm që do të shtrihet në të gjitha degët e saj. Strukturat e PS në Elbasan kanë qenë të parat që kanë zhvilluar zgjedhjet. Ky proces zgjedhjesh fillon të shtunën (sot) në çdo organizatë, përfundon deri në fund-janarin e ardhshëm në Kongres.

Në mbledhjen e Asamblesë së Elbasanit, Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla ka bërë të ditur se kjo fushatë zgjedhore brenda partisë do të jetë ndryshe nga herët e tjera dhe se synimi kryesor është hapja e partisë duke thithur persona me kontribute.

“Objektivi ynë për këto zgjedhje të brendshme duhet të jetë realizimi i procesit më të thellë të komunikimit të organizimit dhe të hapjes së PS që kemi realizuar ndonjëherë në periudhat e mëparshme ne zgjedhjet tona të brendshme.

Kjo kërkon që të gjithë ne deputetët, por do të jenë edhe ministrat e Qeverisë, kryetarët e bashkive, si dhe të gjithë të zgjedhurit në këshillat bashkiakë do të shkojnë në çdo organizatë socialiste në të gjithë territorin e Elbasanit. Organizatat duhet të kenë mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me ne, dhe në çdo njësi administrative të krijohet një procesi komunikimit e drejtpërdrejtë me njerëzit.

Duhet të ketë një debat konstruktiv në çdo organizatë me anëtarët e partisë. Debat me simpatizantët dhe me çdo qytetar që dëshiron të marrë pjesë në bashkëbisedim, pavarësisht bindjeve të veta dhe përkatësisë së vet, debat në çdo lagje, në çdo fshat në çdo njësi administrative dhe bashki. Forumet e Debatit Qytetar do të jenë një risi e këtij Procesi të ri komunikimi e ballafaqimi mes të zgjedhurve tanë dhe komuniteteve.

Zgjedhjet tona të brendshme që startojmë sot nuk do t’i ngjajnë zgjedhjeve të brendshme të viteve të shkuara, por duhet të jenë një proces debati kombëtar, jo vetëm partiak. Ky proces përmban një hapje të re shumë serioze, shumë reale të Partisë Socialiste në të gjitha nivelet tona të organizimit e në të gjitha nivelet e administrimit të punëve të këtij vendi ndaj njerëzve të zotë, të gatshëm të japin kontributin e tyre për Shqipërinë”, tha Balla.

Ai theksoi se PS do të bashkëpunojë me opozitën parlamentare dhe jo-parlamentare në Komisionin e posaçëm të Reformës Zgjedhore për të garantuar që zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 të zhvillohen me një Kod të ri Elektoral.

Raporti i OSBE, Balla: Rekomandimet adresohen për Reformën Zgjedhore

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar për raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, ku thotë se konfirmoi që zgjedhjet u mbajtën në përputhje me standardet për zgjedhje demokratike dhe legjislacionin elektoral të vendit. Balla tha se të gjitha rekomandimet që janë bërë në raport lidhen me Kodin Elektoral dhe duhet t’i adresohen atij sa më shpejtë.

 “Raporti përfundimtar ODIHR për Zgjedhjet e 30 Qershorit e thotë qartë se korniza ligjore për zgjedhjet, ndonëse kryesisht e pandryshuar që prej zgjedhjeve të fundit, siguroi në përgjithësi zgjedhje demokratike. Tashmë të gjitha rekomandimet t’i adresojmë në Kodin Elektoral” shkruan Balla.

Në raportin përfundimtar të OSBE-së, rekomandimet prioritare kanë të bëjnë me angazhimin e palëve politike në një dialog gjithëpërfshirës mbi reformën zgjedhore. Raporti thekson se edhe pse në Kodin Elektoral nuk ishin bërë ndryshimet e herës së fundit të kërkuar nga ODIHR, raporti tregoi “përputhjen e zgjedhjeve shqiptare me angazhimet e OSBE-së, detyrime dhe standarde të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe me legjislacionin kombëtar.”

Për Reformën Zgjedhore, kryeministri Rama bëri sërish thirrje ditën e enjte duke “i shtrirë dorën” opozitës në rrugë që të bashkëpunojë me mazhorancën për të realizuar adresimet kryesore të raportit të ODIHR. Kryeministri i kërkoi opozitës të pranojë dialogun për realizimin e reformës zgjedhore, duke u shprehur se shqiptarët presin të ‘hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi’ për vendin. Ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka refuzuar sërish dorën e shtrirë për dialog të qeverisë duke deklaruar se “raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit, ishte një autopsi e kapjes së shtetit nga Rama.” / RealStory.al

Influenca ruse, Balla takon zyrtarin e DASH: Të palëkundur ndaj SHBA

Shqipëria nuk lëkundet nga influenca ruse, vazhdon të jetë partner strategjik i SHBA-ve. Ky është mesazhi që kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dha gjatë takimit të zhvilluar me Drejtorin për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, David Kostelancik. Në takim është rikonfirmuar partneriteti strategjik i Shqipërisë me SHBA, si një nga më të ngushtët dhe themelorët për politikën e jashtme shqiptare dhe kjo nuk ka për të ndryshuar. Gjatë një postimi në Facebook, Balla konfirmon se qeveria nuk njeh partner tjetër strategjik përveç SHBA dhe anëtarësimi në BE është rruga e duhur për vendin.

Për Shqipërinë marrëdhëniet me SHBA janë të rëndësisë parësore dhe strategjike. SHBA janë aleati dhe partneri ynë strategjik. Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara përbën një nga themelet e politikës sonë të jashtme. Qeveria jonë e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama është e angazhuar maksimalisht për të qenë partner i vendosur përkrah SHBA në drejtim të zhvillimeve demokratike, të ruajtjes së stabilitetit, paqes e prosperitetit në Ballkanin Perëndimor e më gjerë, të konsolidimit të ekonomisë së tregut, të luftës kundër terrorizmit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut.” shkruan Balla

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, David Kostelancik ka zhvilluar takime edhe me opozitën jashtë parlamentit. Fillimisht ai zhvilloi një takim me kreun e Partisë Demokratike , Lulzim Basha, takim që zgjati rreth 60 minuta në ambientet e selisë blu. Nga takimi nuk bëhen të ditura çështjet e diskutimit, por Kostelancik është dërguar nga SHBA në Tiranë për të ndaluar influencën ruse, shqetësim që amerikanët e kanë shprehur kohët e fundit pas nisjes së hetimit ku implikojnë Lulzim Bashën, se kanë përdorur para ruse për të lobuar në SHBA. Gjithashtu Kostelancik pati edhe një takim me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.

Përveç hetimit të Bashës, prania e influencës ruse në Shqipëri është parë edhe nga “mbrojtja” që Ambasada Ruse në Tiranë i bëri presidenti Meta gjatë sulmit të tij kundrejt Reformës në Drejtësi dhe filantropit George Soros. Kostelancik ndodhet në Tiranë, pikërisht për të larguar këto hije dyshimi të influencës ruse në Shqipëri.

Betohet “me paqe” kryebashkiaku i Peqinit, PDIU lë zyrën pa zhurmë

Kryebashkiaku i ri i Peqinit Lorenc Tosku është betuar mëngjesin e së mërkurës duke marrë zyrtarisht mandatin e fituar në zgjedhjet e 30 qershorit. Ceremonia e betimit dhe konstituimi i këshillit të ri bashkiak është zhvilluar në mënyrë të qetë, ndërsa ish kryetari i bashkisë përfaqësues i PDIU-së Saimir Hasalla ka liruar zyrën në mënyrë qytetare.

I pranishëm në ceremoninë e betimit ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taluant Balla, njëkohësisht deputet i qarkut të Elbasanit, i cili ka lënë porosi për kryebashkiakun e ri që të punojë për qytetin dhe qytetarët pa dallime partiake.

“Ju këshilltarët e bashkisë duhet të kujdeseni që të sillni në zyrat e bashkisë dhe në mbledhjet e Këshillit, apo të institucioneve të tjera përkatëse hallin e çdo banori, propozimet e çdo lagje, fshati, komuniteti, sikletet e çdo sipërmarrësi të madh, apo të vogël. Kryetari i ri Bashkisë Lorenc Tosku është i vetëdijshëm në ushtrimin e këtij mandati të ri për barrën e jashtëzakonshme që ai përfaqëson. Peqini nuk duhet të jetë i ndarë në mes partive politike, por i bashkuar në punët e rëndësishme ku patjetër unë gjej rastin të theksoj projektet e mëdha në infrastrukturë e bujqësi, por edhe vijimi i Rilindjes Urbane të qytetit të Peqinit. Dua ta falenderoj Kryetarin në largim Saimir Hasalla për punën e tij në katër vitet e shkuara”,-tha Balla.

Kryebashkiakët e PDIU-së, pavarësisht se zbatuan qëndrimin e opozitës së bashkuar duke mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit, pas zgjedhjeve janë treguar të qetë duke liruar zyrat në mënyrë paqësore. Kështu ndodhi edhe në qytetin e Rrogozhinës pak ditë më herët ku rotacioni në bashki u zhvillua pa asnjë incident.

Balla dhe Basha “së bashku” në Cërrik, LSI liron bashkinë pa incidente

Ndryshe nga aleati i saj PD, LSI ka vendosur që të bëjë lirimin e bashkive të saj pa incidente dhe protesta. Kjo ka ndodhur në Bashkinë Cërrik, ku kryetari  i larguar Altin Toska nuk ka pranuar të lirojë zyrën duke thënë se nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, por nuk ka bërë as rezistencë që të mbajë bashkinë me forcë apo me protesta.

Ne duam që politika të mos tensionojë jetën e qytetarëve. Çdo hyrje e paligjshme në bashki ne do e quajmë uzurpim dhe do e denoncojmë menjëherë në organet kompetente çdo shkelje ligjore. Ne jemi në shërbim të qytetarëve edhe në vijim. Presim të shprehet Gjykata Kushtetuese për dekretin e 13 tetorit. Populli do vendosë kush do jetë kryetari i bashkisë. Kur të vije dita do ta dorëzoj me dinjitet mandatin”. tha Toska

Betimi i kryebashkiakut socialist, Andis Salla është bërë jashtë ambienteve të bashkisë, por që më pas ka marrë zyrën pa protesta dhe pa incidente. Bashkia e Cërrikut tashmë ka kryetarin e saj të ri, që do të drejtojnë qytetin për 4 vitet e ardhshme .

I pranishëm në konstituimit të Këshilli Bashkiak dhe betimit të kryetarit të Bashkisë Cërrikut,  ishte edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Gjatë fjalës së tij, Balla tha se për katër vite kjo bashki kishte mbetur në vend, por tashmë ora e saj ka nisur të lëviz dhe se të ketë një rivitalizim urban.

Detyra e parë që Andis mori përpara popullit të Cërrikut ishte të vendoste në punë akrepat që nuk punuan kurrë të sahatit të Cërrikut, pjesë e një projekti të madh të Rilindjes Urbane që ka mbetur përgjysmë e që duhet të vijojë me plot projekte të tjera rivitalizimi urban. Besoj që është një shenjë e mirë për Andin, por edhe për Bashkinë Cërrik që në mënyrë simbolike që sahati i orës ka nisur të punojë. Ka filluar të rrahë zemra për punë e kësaj bashkie e cila për 4 vite ishte peng i paaftësisë që karakterizon subjektin politik nga vjen paraardhësi. “ – tha Balla

Balla nuk i ka kursyer akuzat për Lulzim Bashën, me të cilin ndodheshin ‘së bashku” në qytetin e Cërrikut. Sigurisht Basha me militantët e tij për t’i bindur se 30 qershori ishte nul, ndërsa Balla për të qenë i pranishëm në betimin e kryetarit të ri të kësaj bashkie duke treguar se 30 qershori ishte i ligjshëm. Balla tha se ky rast tregon qartë se kush është për punë dhe kush është për llafe.

Fjala e dhënë mbahet, duhet vetëm dëshira për punë. Sot ishim “së bashku” me Lulzim Bashën në Cërrik. Ne për të filluar punët e mëdha që na dha përgjegjësia historike e 30 Qershorit, ndërsa Luli për llafet dhe rrenën e radhës. Siç thoshte Jozefina, Luli t’rren edhe kur e pyt sa asht ora.” – tha Balla

Basha e Balla përplasen për vëzhguesit e KiE. Nuk kanë ardhur as në zgjedhjet e 2017

Tërheqja e vëzhguesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale të KE-së nga zgjedhjet e 30 qershorit, shikohet nga kreu i PD-së, si një sinjal i ndërkombëtarëve se këto zgjedhje janë të paligjshme. Por ndryshe shprehet kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla i cili thotë se KiE nuk ka pasur vëzhgues as në zgjedhjet e 2017 dhe mosprania e tyre nuk ndikon aspak në raportin përfundimtar të vëzhguesve të OSBE-së që është edhe institucioni më i lartë i monitorimit ndërkombëtar të zgjedhjeve.

“Sot bota perëndimore dha sinjalin e parë, të qartë dhe të prerë, se 30 Qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri.

Vendimi i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Europës për të anulluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 Qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri.

Për herë të parë nga rënia e komunizmit, Këshilli i Europës ka vendosur të mos dërgojë Delegacion Vëzhgues për zgjedhjet, pavarësisht ftesës që i ka bërë Qeveria shqiptare. Këtë vendim Këshilli i Europës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri”, tha Basha në një deklaratë për mediat të mërkurën. Deklaratë kjo që u zhvlerësua menjëherë nga kreu i deputetëve të PS-së, Balla i cili tha se Kongresi i Autoriteteve Lokale të KE është një strukturë e Këshillit të Evropës dhe nuk është i gjithë Këshilli dhe se ata nuk kanë pasur vëzhgues as në zgjedhjet e vitit 2017. “Është një strukturë e KE por jo e gjithë KE. Vendimi nuk prek raportin përfundimtar të OSBE-së. OSBE, zonja Glover ndodhet në Shqipëri në krye të misionit të vëzhguesve. Raporti i OSBE ka rëndësi për monitorimin e zgjedhjeve”, tha Balla.

E në fakt shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE në Tiranë, Glover ka vazhduar punën e saj për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Gjatë të mërkurës ajo ka zhvilluar një takim edhe me kreun e PD-së, Basha, pavarësisht faktit se ai ka bojkotuar zgjedhjet e 30 qershorit. Gjithsesi ajo ka premtuar se do të raportojë në mënyrë teknike, të paanshme dhe pa ndikuar, të gjithë procesin zgjedhor.

Balla: Meta u zgjodh me 87 vota, por u ndëshkua me 100 vota

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, nga një takim me shqiptarët në Selanik, tha se presidenti Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrë dhe për shkak se ka thyer Kushtetutën ai duhet të shkarkohet nga detyra. Akti i anulimit të zgjedhjeve është i paprecedentë pa asnjë lloj të drejtë kushtetuese tha Balla.

Ne nuk i kishim numrat të zgjidhnim një president tjetër, por sot Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë. Ne ia dhamë përgjigjen të enjten në Kuvend, nëse Ilir Meta u zgjodh me 87 vota, me 100 vota i thamë zoti president ke thyer parimet bazë të Kushtetutës sonë, teksa Presidenti i Republikës nuk e ka asnjë lloj të drejte, nuk figuron në asnjë paragraf, në asnjë fjalë, fjala ç’dekret dhe patjetër që ne do ta institucionalizojmë atë që paragrafi i dytë i nenit 90 të Kushtetutës sanksionon, se çfarë ndodh kur presidenti thyen Kushtetutën, presidenti shkarkohet kur shkel kushtetutën”– deklaroi Balla.

Balla: Nuk tërhiqemi nga vendimi për të shkarkuar Metën

Pas një takimi me delegacionin e Bundestagut gjerman, kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla tha për mediat se 2019 do të jetë viti i hapjes së negociatave për Shqipërinë. Interesimit të gazetarëve nëse do të ketë tërheqje për shkarkimin e presidentit Meta, Balla tha se Partia Socialiste është e vendosur ta shkarkojë atë pas aktit antikushtetues që ka ndërmarrë.

“PS nuk është tërhequr aspak për të shkarkuar presidentin Meta. Më vjen keq që nuk lexohet siç duhet Rezoluta e Kuvendit. Presidenti i Republikës ka bërë një akt antikushtetues. Akti i paprecedent i presidentit nuk ka asnjë vlerë juridike. Duhet të lemë Kuvendin që të bëjë detyrën që i takon. Ditën e enjte, Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë një debat dhe në fund do të dalë në përfundim. Përballë një akti antikushtetues, duhet një hap ligjor që të dënojë antikushtetueshmërinë. Presidenti mund të ketë shumë dëshira, por jo gjitha dëshirat mund t’i shndërrojë në dekrete” tha Balla.

“Iku ish-opozita, mos u merrni më me Genc Pollon”. Ralf Gjoni kërkon ndryshimin e sistemit zgjedhor

Deputeti i LSI-së Ralf Gjoni ka replikuar në seancë me Taulant Ballën në lidhje me miratimin e reformës zgjedhore. Gjoni i bën thirrje Ballës që ta marrin seriozisht dhe të nisin punën për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Genc Pollo nuk bënte punën. Bëje ti punën bashkë me Hajdarin dhe jeni të mirëpritur. E dyta që lidhet me çështjen për reformën zgjedhore. Kjo çështje u fut nga Këshilli. Ne e kemi depozituar që në qershor dhe me deputetë të rinj të opozitës jemi të gatshëm të bashkëpunojmë qoftë për reformën në drejtësi apo për reformën zgjedhore”, tha Balla në fjalën e tij.

Pas tij replikoi Gjoni i cili i tha që të mos merrej më me ish opozitën.

“Iku ish-opozita mos u merrni më me Genc Pollon na keni këtu, ne morëm vendet tona në reformën zgjedhore, çfarë prisni? Hajde e ndryshojmë që tani sistemin zgjedhor, apo prisni ndonjë mesazh në ëhatsapp, hajde pra, vetëm inflacion fjalësh, vetëm akuza, vazhdojnë akoma merren me opozitën që është në rrugë.  Keni forcën e ndryshimeve kushtetuese këtu, pa ne nuk ndryshoni dot kushtetutën. Zgjohuni”, tha Gjoni në seancë.

Pse s’është Monika, nuk funksionon parlamenti?! Balla reagon ndaj Metës

Një ditë më parë, presidenti Ilir Meta u shpreh se parlamenti është jofunksional, por përgjigjen e ka marrë sot nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Në fjalën e mbajtur në parlament, Balla u shpreh se megjithëse mungon Monika, në vend të saj në parlament është Ralfi, kështu që s’mund të thuhet se parlamenti është jofunksional. Ai gjithashtu i bëri thirrje opozitës që të ulen në tryezën e dialogut.

“Më vjen keq e më duhet ta them që Presidenti e rendit veten në krah të atyre që mendojnë se reforma nuk ka ecur sic duhet edhe pse nuk ka një partner sot që nuk e vlerëson. Parlamenti sipas Presidentit nuk qenka funksional. Po pse? Sepse nuk është Monika dhe është Ralfi? Realisht dua t’jua them le ta shfrytëzojmë këtë kohë të mbetur, të punojmë për Shqipërinë europiane”, u shpreh Balla.

Skip to toolbar