Raporti i OSBE, Balla: Rekomandimet adresohen për Reformën Zgjedhore

POLITIKË


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla ka reaguar për raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, ku thotë se konfirmoi që zgjedhjet u mbajtën në përputhje me standardet për zgjedhje demokratike dhe legjislacionin elektoral të vendit. Balla tha se të gjitha rekomandimet që janë bërë në raport lidhen me Kodin Elektoral dhe duhet t’i adresohen atij sa më shpejtë.

 “Raporti përfundimtar ODIHR për Zgjedhjet e 30 Qershorit e thotë qartë se korniza ligjore për zgjedhjet, ndonëse kryesisht e pandryshuar që prej zgjedhjeve të fundit, siguroi në përgjithësi zgjedhje demokratike. Tashmë të gjitha rekomandimet t’i adresojmë në Kodin Elektoral” shkruan Balla.


Në raportin përfundimtar të OSBE-së, rekomandimet prioritare kanë të bëjnë me angazhimin e palëve politike në një dialog gjithëpërfshirës mbi reformën zgjedhore. Raporti thekson se edhe pse në Kodin Elektoral nuk ishin bërë ndryshimet e herës së fundit të kërkuar nga ODIHR, raporti tregoi “përputhjen e zgjedhjeve shqiptare me angazhimet e OSBE-së, detyrime dhe standarde të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe me legjislacionin kombëtar.”

Për Reformën Zgjedhore, kryeministri Rama bëri sërish thirrje ditën e enjte duke “i shtrirë dorën” opozitës në rrugë që të bashkëpunojë me mazhorancën për të realizuar adresimet kryesore të raportit të ODIHR. Kryeministri i kërkoi opozitës të pranojë dialogun për realizimin e reformës zgjedhore, duke u shprehur se shqiptarët presin të ‘hapim një faqe të re dialogu e bashkëpunimi’ për vendin. Ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka refuzuar sërish dorën e shtrirë për dialog të qeverisë duke deklaruar se “raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 30 qershorit, ishte një autopsi e kapjes së shtetit nga Rama.” / RealStory.al




Skip to toolbar