Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka postuar të premten videon bashkë me thirrjen për të marrë pjesë në protestën e datës 8 korrik në Tiranë.
“Me 30 qershor 85% e shqiptarëve refuzuan dhunimin e Kushtetutës. 85% e shqiptarëve refuzuan farsën e votimeve moniste, 85% e shqiptarëve refuzuan politikën e bërë njësh me krimin. 85% e shqiptarëve refuzuan politikat e varfërisë dhe mjerimit. 85% e shqiptarëve refuzuan vjedhjen me ligj, me PPP, me koncesione dhe oligarkë. 85% e shqiptarëve refuzuan Edi Ramën! Të hënën 8korrik në ora 20:00 bashkohemi të gjithë në Tiranë kundër diktaturës, bashkohemi në mbrojtje të lirisë dhe pluralizmit, bashkohemi për familjet dhe fëmijët tuaj, për Shqipëria Si Europa! Asnjë hap pas! Rama Ik”, shkruan Basha, i cili në fund të zgjedhjeve të 30 qershorit thirri fitore nga selia blu, ndërsa tani thërret protestë. Dy gjëra që bien në kundërshtim me njëra tjetrin pasi fitimtarët nuk bëjnë protesta.
Pas 5 muajsh protesta të një pas njëshme të opozitës të mbëshetura në përgjimet e Bild, pyetja që ngrihet është: a do t’i përmendë Basha këto përgjime në protestën e së hënës?
Arben Imami tha të enjten në mbrëmje në studion e Sokol Ballës në Real Story se Basha i ka pasur përgjimet që në kohën e çadrës së famshme, kur opozita protestonte 24-orë në 24 pa pushim poshtë zyrave të Ramës. Dhe pa pritur Basha bëri marrëveshjen e famshme të 17 majit 2017.
“Një pjesë të përgjimeve i ka ditur Basha. I ka ditur ato përgjime para marrëveshjes së 17 majit. Unë e di që ka pasur përgjime problematike, por e di në parim, çështjet që janë publikuar të Dibrës. E ka thënë në çadër. Kurse rastin e Durrësit, sipas informacioneve që unë kam, dosjen e Durrësit e ka pasur të zbardhur. Unë i kam marrë vesh para një viti e gjysmë, pasi i kam shkëputur marrëdhëniet me të. Unë e di që Basha ka marrë një person në telefon e i ka thënë që kam një dosje. E ka pyetur se çfarë u bë me dosjen, i ka thënë e kam humbur”, tha Imami në Real Story.
Pas kësaj deklarate a do të mundet Basha t’i thotë demokratëve që do të vijnë për herë të 10 në protestë se përse i mbajti për 2 vjet këto përgjime?