Pas reagimit të gjatë të ish-deputetes demokrate të Shkodrës, Jozefina Topalli, që shprehej se “Bashën nuk e njohin më demokratët”, kreu i PD-së ka gjetur një rrugë indirekte për të sulmuar Topallin. Ka qenë dega lokale e Partisë Demokratike në Shkodër, që ka reaguar në Facebook kundër Jozefina Topallit, duke u shprehur se sa herë që Rama është në pozitë të vështirë, “shfaqet Jozefina Topalli për të sulmuar Lulzim Bashën”.
“Rastësi apo shërbim ndaj Ramës, këtë e gjykojnë vetë qyetarët e Shkodrës dhe të Shqipërisë! Çudia është se s`kishte asnjë fjalë për Valdrinin, si trafikant i dënuar droge. Asnjë fjalë për Ramën që përdhosi dinjitetin e qytetarëve të Shkodrës me kandidatin e dënuar për trafik droge! Me gjasa është kujtuar, që duke injoruar kontributin e çdo demokrati të ndershëm, gjatë kohës që qeveriste PD, për hatër të Luigjit, babait të Valdrinit dhe mikut të saj, e promovojë Valdrinin në poste drejtuese, edhe pse pa asnjë kontribut në Partinë Demokratike”, shkruan ndër të tjera PD e Shkodrës duke sulmuar dhe akuzuar drejtpërdrejt Jozefina Topallin si personi që “promovoi Valdrin Pjetrin në struktura drejtuese në institucionet shtetërore kur PD ishte në pushtet”.
Por ky reagim ndaj Jozefina Topallit, më shumë se sa një përgjigje për reagimin e saj këtë të mërkurë ndaj Lulzim Bashës (lexo këtu), duket si një mbrojtje e kryedemokratit ndaj lëvizjes “Basha ik” (lexo lajmin e Realstory.al), që tashmë ka nisur dhe Topalli do të jetë një prej figurave kyçe të këtij procesi. Pra, Lulzim Basha duke përdorur PD-në e Shkodrës hidhet në kundërsulm ndaj Jozefina Topallit dhe figurave të tjera të Partisë Demokratike, që kanë shprehur qëndrime kritike ndaj tij dhe kanë kërkuar publikisht largimin nga drejtimi i PD.