Bashkia e Tiranës ka në planet e saj ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet të cilat do t’i japin fund mësimit me dy turne. Nënkryetari i ri i bashkisë Toni Gogu bëri të ditur se ky premtim i kryebashkiakut Veliaj për këtë mandat të dytë të drejtimit të bashkisë së Tiranës është plotësisht i relizueshëm.
Ai gjithashtu tha se prioritet në këtë mandat do të jetë zhvillimi i fshatrave të Tiranës.
“Janë një sërë sfidash të tjera. 17 shkolla të reja. Duhet të vazhdojmë sfidën me rehabilitim lagjesh. Por gjithashtu sfida kryesore e këtij mandati është gjithashtu kapja e shpejtësisë për fshatin dhe për zonat rurale, pra atë pjesë të qytetit e cila për shkak të zhvillimeve dhe ritmit që ka pasur në qytet, është duke pritur ende dhe në këto zgjedhje votoi dukshëm që do të ketë të njëjtën gjë në mesin e tyre. Puna ka filluar, ekipet janë në punë, Këshilli Bashkiak është duke u bërë gati për mbledhjen e tij të parë të punës me një rend dite goxha ambicioz, kështu që jemi duke ecur”, deklaroi Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Toni Gogu në një intervistë në Report Tv.
Gogu tha se projektet më ambicioze të bashkisë për këtë mandat janë shndërrimi i Piramidës në një qendër të inovacionit teknologjik si dhe zgjatimi i Bulevardit të ri.
“Kanë filluar punimet te Bulevardi “Zogu i I”. Ajo lloj cilësie që shohim te Sheshi “Skënderbej”, që ishte sheshi më i votuar për vitin 2018 në Europë, do të vazhdojë edhe drejt Bulevardit “Zogu I”. Për shkak se është parë se si ajo që kishim më përpara me ato tullat dhe ato fasadat ka nevojë t’i përgjigjen këtij lloj sheshi që ne kemi. Janë edhe punë të tjera. Kemi sfidën, në drejtim, të Parkut të Ri, me zgjatimin e Bulevardit, me mbërritjen e Bulevardit drejt Parkut të Ri dhe që kryetari ka vendosur disa objektiva goxha ambiciozë, por që shumë të arritshëm.
Piramida është gjithashtu jashtëzakonisht shumë interesant rehabilitimi i saj dhe kthimi i gjithë asaj sipërfaqeje të rinjve të qytetit. Atyre, të cilët duan të ndeshen me sfidat e teknologjisë, por edhe të sipërmarrjes, por edhe qytetarëve të cilët duan të vështrojnë qytetin nga një pikë vështrimi tjetër. Shumë shpejt do të fillojë edhe aty puna”, bëri të ditur nënkryetari i bashkisë së Tiranës.