Baze: Iluzioni i pandëshkueshmërisë së Berishës, që po vret opozitën

AKTUALITET


Ka një problem serioz tek mënyra se si opozita e Berishës po e përjeton arrestimin e tij. Po përpiqen ta përjetojnë si diçka kalimtare, që nuk do ta përfillin dhe do të vazhdojnë të udhëhiqen nga njeriu që do të jetë në arrest shtëpie.

Ndryshe nga socialistët, që çdo subjekt të drejtësisë e nxjerrin nga radhët e tyre dhe  e lënë të përballet vetëm me drejtësinë, opozita e Berishës po përpiqet të lidhë fatin e saj edhe më fort me Berishën, ndërkohë që atij i është prerë fleta e arrestit.


Nuk dua të hedh fall se çfarë do t’i ndodhë atij në të ardhmen, a do rrije gjatë në arrest shtëpie, a do të përfundojë në burg, por ditët e lirisë për Sali Berishën si politikanë kanë përfunduar.

Në këto pak vite që i kanë mbetur, ai do të jetë në një betejë të gjatë me drejtësinë shqiptare, jo vetëm për historinë e truallit të klubit Partizani që favorizoi vajzën e vet, por sidomos për ngjarjen e 21 janarit, për të cilën tani drejtësia shqiptare ka një vendim prej 40 faqesh shkruar nga Gjykata e Strasburgut, dhe detyra e gjykatave tona, është vetëm të njehësojnë  qëndrimin e tyre me gjykatën më të lartë evropiane.

Sali Berisha është i akuzuari kryesor në atë vendim. Në emër të pushtetit ai ka përdorur shtetin kundër katër qytetarëve dhe më pas ka prishur provat dhe ka sabotuar hetimin dhe gjykimin e asaj çështje. Kjo është e shkruar në vendim dhe ai do të përballet me atë vendim.

Edhe sikur të mos i taks ndonjë çështje tjetër, 21 janari dhe kjo për të cilën është nën hetim do të mjaftojnë që ai për aq vite jetë sa i kanë mbetur, të dergjet në dyert e gjykatave dhe të kthejë në axhendë politike hallet e tij.

Pra siç e shikoni dhe tani, çdo ditë ai do të shfaqet në Facebook dhe do të na shpjegojë sa metër katror truall kishte tek Partizani, sa ishte shpronësuar nga Italia, sa nuk ishte shpronësuar, sa mori Jamarbëri, si ua bleu kushërinjve, si fitoi pjesën e tyre për shkak të ndereve të qeverisë dhe ne do të përfundojmë që për disa vjet, të mësojmë përmendësh dhe planimetritë e 17 kullave të vajzë së Sali Berishës.

Nuk është se na bezdis kjo gjë, por opozita ka nevojë për axhendën e saj dhe jo për hallet e Sali Berishës për 17 kullat e vajzës.

Pastaj do nisë çështja e 21 janarit.

Do të fillojë të shpjegojë kush ishin puçistët, si u mbrojt garda, kush ishte zinxhiri komandues, i tha apo nuk i tha komandantit të Gardës qëllo, do na shpjegojë pse ishte gati të na jepte serverin e kamerave, pastaj do na shpjegojë pse nuk ishte gati se atë ja kishin fshirë, do na shpjegojë pse nuk i la prokurorët të dokumentonin skenën e ngjarjes, pse i zboi, pse nuk i la të arrestonin gardistët, pastaj do na shpjegojë pse i la, pastaj do na shpjegojë pse kërcënoi Edi Ramën ta vriste me snajper po t’i vinte përsëri para Kryeministrisë, pastaj do na shpjegojë pse nuk e vrau, pastaj do na thotë pse tha që “jo tre, por dhe tre mijë do vrisja”, pastaj do na thotë pse nuk vrau tre mijë etj. Broçkulla. Pra do vazhdojmë të dëgjojmë një plak të rrjedhur që flet me vete për krimet që ka bërë.

Por krimet i ka bërë Sali Berisha, jo opozita. Çfarë kusuri ka opozita të identifikohet çdo ditë me krimet dhe vjedhjet e Sali Berishës. Pse demokratët që ndjehen të braktisur dhe të zemëruar që janë të përçarë për shkak të Berishës, tani duhet të kthejnë në axhendë të tyre logoren e një plaku në hall, që nuk di kë të shpëtojë më parë, vajzën, djalin apo veten.

Drejtësia shqiptare nuk ka në target të saj opozitën, por një familje që ka marrë peng opozitën për t’i shpëtuar drejtësisë. Por nuk po i shpëton dot.

Thjesht opozita duhet të kuptojë se nuk e ndihmon dot Sali Berishën, as fëmijët e tij, në hallet me drejtësinë. Ata mund ta ndihmonin opozitën duke e lënë të qetë dhe duke u mbrojtur vetë para drejtësisë. Ata po sillen si një i mbytur që kapet pas shpëtimtarit, për ta mbytur dhe atë.

Dhe në këtë rast po mbysin opozitën.

Për këtë shkak,  është mirë që opozita të çlirohet nga iluzioni i pandëshkueshmërisë së Berishës dhe ta kuptojë se arrestimi i Berishës nuk është një gjë që do të zgjasë një javë, dy javë e pastaj ai do të kthehet triumfator. Ai nuk do dalë më nga ajo derë. 

Ndaj nuk është mirë që të mbyllen dy dyer njëkohësisht, dhe ajo e familjes Berisha, dhe e opozitës. Secili në hall të vet.




Skip to toolbar