Baze: Një hap serioz i Gjykatës në gjyqin e Gërdecit 

Më të fundit


Gjykata në Tiranë ka shpëtuar integritetin e procesit gjyqësor në ngarkim të Fatmir Mediut dhe bashkëpunëtorëve të tij, mes të cilëve shquan djali i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, duke hedhur poshtë përpjekjen për të degraduar procesin gjyqësor përmes një listë butaforike dëshmitarësh, të kërkuar nga pala e paditur.

Gjykata hodhi poshtë kërkesën e Fatmir Mediut për 90 dëshmitarë, shumica personalitete të huaja, pa asnjë lidhje me masakrën e Gërdecit, të kërkuar prej tij për të demonstruar “mbështetjen” ndërkombëtare në Gjykatë, ku gjykohet për korrupsion dhe kapje të shtetit me pasojë vdekjen e 26 qytetarëve.

Vendimi i GJKKO, për të hedhur poshtë kërkesën e Mediut është shumë herë më i rëndësishëm se vendimi i saj për të pranuar kërkesën logjike të SPAK për të dëshmuar Shkëlzen Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë proces.

Është më i rëndësishëm, pasi ky vendim shmang degradimin e procesit dhe kthimin e tij në një karikaturë për të fituar kohë dhe shpresë i pandehuri kryesor, deri në triumfin e “revolucionit”.

Edhe pse shumica e shtypit i kanë dhënë rëndësi pranimit të kërkesës së SPAK për Shkëlzen Berishën, në fakt më shumë rendësi ka vendimi për të hedhur postë listën e Mediut.

Shkëlzen Berisha edhe ashtu do të hetohet dhe gjykohet në çështjen 279/1, për personat e lidhur me çështjen penale të hetimit dhe gjykimit të Fatmir Mediut, kështu që do të ketë shans të përballet me drejtësinë për këtë çështje.

Vendimi bëhet i rëndësishëm dhe për faktin se Mediu ka një javë që bredh kafe më kafe në SHBA, duke bërë sikur do të shpëtojë Kosovën nga Serbia, por në fakt do të krijojë idenë që është në Uashington dhe gjykata nuk duhet t’i bjerë më qafë.

Vendimi i gjykatës mes të tjerash i ka shkaktuar Mediut dëmin e parë financiar, atë të harxhimit kot të parave të udhëtimit në SHBA, me shpresë se do të ndikonte mbi të.

Me këtë rast është mirë që ai të kthehet dhe të ruajë paratë për avokatët, se nuk besoj se Shkëlzeni e ndihmon më me lekë në këtë proces. Atij i duhen për vete.



Skip to toolbar