Baze: Një këshillë për të pastruar Ilir Metën nga “dosja” 

Më të fundit


Ka një mënyrë të thjeshtë dhe një rrugë shumë të shkurtër për të ndalur “përbaltjen” e Ilir Metës dhe për ta sqaruar nëse ai është apo jo “bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”. Kjo nuk ka të bëjë me avokatinë që i bëjnë gazetarët e blerë prej tij në publik, apo të tjerë që kanë halle të ngjashme me të.  
E mira e këtij debati është se Shqipëria po shikon me zë dhe figurë kush është pro njerëzve me dosje të Sigurimit të shtetit dhe kush jo. Ky debat i vlen Shqipërisë sa hapja e gjithë dosjeve të Sigurimit. Deklaratat më të neveritshme pro Sigurimit të Shtetit mjerisht i kam dëgjuar nga njerëz që edhe janë burgosur nga regjimi i kaluar, pro me sa duket janë dorëzuar në burgje apo hetuesi, kush duke denoncuar babain e kush familjarët. Kam dëgjuar Fatos Lubonjën që thotë “edhe nëse është e vërtetë, bie erë”. Dmth edhe nëse ky është spiun, sipas Lubonjës, ne duhet të heshtim, pasi bie erë fakti që po e trazojnë mutin. 
Kam dëgjuar kolegë të tjerë që thonë, edhe nëse e ka bërë, e ka bërë për të mbrojtur veten, apo avokatë më të dobët që bëjnë sikur nuk kuptojnë ku është fshehur lepuri dhe thonë që Ilir Meta është kontrolluar disa herë. 
Ky është thelbi i problemit. Ilir Meta nuk është kontrolluar asnjëherë. Sali Berisha ja ka dhënë vërtetimin, në kohën që bashkëpunonte natë e ditë me të kundër Fatos Nanos në burg, ndërsa Komisioni Bezhani ka përdorur klauzolën, që “me kaq sa pash nuk gjeta gjë” pasi e kishte të përfshirë në ligj këtë alibi. 
Pas kësaj në vitin 2014, kur u bë ligji i ri i dosjeve, Ilir Meta u trondit, dhe fillimisht tentoi ta ndalonte, duke deinkurajuar ata që po e bënin. Pasi nuk i ndali dot,  Ilir Meta përmes LSI propozoi një amendament, ku saktësonte që ky ligj nuk mund të rikontrollojë ata politikanë apo zyrtarë që kanë marrë vërtetim pastërtie nga Komisioni Mezini dhe Bezhani. Pra thjesht LSI kërkonte të mos kontrollohej më Ilir Meta. E keni në procesverbalet e Kuvendit amendamentin. 
Tani që dosja e Ilir Metës të bëhet publike, duhet të merret iniciativë ligjore që të hiqet ky amendament. Ilir Meta dhe Sali Berisha e quajnë këtë komplot kundër Ilir Metës. 
Në fakt kundër Ilir Metës është dhe shokëve të tij të ngjashëm. Por nëse doni që kjo të mos bëhet (se ajo do bëhet që javën e parë të Shtatorit), ka një rrugë të thjeshtë. Ilir Meta si njeri i përfolur ka të drejtë të shkojë nesër në mëngjes pranë autoritetit të dosjeve dhe t’i kërkojë autoritetit, të njihet me materialet që e lidhin atë me Sigurimin e Shtetit. Kjo i heq pengesën Autoritetit të Dosjeve që të kërkojë rreth tij dhe nuk ka nevojë për gjithë këtë debat.  
Ka shumë politikanë që e kanë bërë këtë kur i kanë akuzuar. Mbaj mend e ka bërë Myslym Murrizi, e kanë bërë vullnetarisht deputetët e Partisë Bindja Demokratike dhe të tjerë. Thjeshtë ligji i jep të drejt çdo shqiptari të mbrohet nga akuzat false mbi bashkëpunimin e Sigurimit të Shtetit. Ligji ja jep këtë të drejt dhe Artan Fugës nëse do ta përdorë. Kujtdo që dikush i thotë spiun, mund të aplikojë për këtë vërtetim dhe pastaj t’i ballafaqojë akuzat në gjyq si të qëllimshme. 
Ilir Meta mund ta bëjë këtë dhe shpëton me këtë rast dhe gjithë njerëzit që ka vënë në siklet ta mbrojnë edhe si spiun të diktaturës dhe si kryetar të partisë së lirisë, dhe si bashkëpunëtor sigurimi dhe si të djathtë të ri në jetën e tij të dytë politike. 
Deri tani për të Autoriteti ka hasur në një raport bashkëpunimi me Sigurimin e Shtetit. Ilir Meta insiston që nuk ka dosje. Bashkëpunëtorë të Sigrumit të Shtetit janë ata që kanë dosje, ata që kanë denoncuar vullnetarisht dhe ata që kanë bashkëpunuar kundër viktimave të Sigurimit si dëshmitarë të rremë. Nëse Ilir Meta, i cili e ka provën në dosje, nuk e ka bërë denoncimin në cilësinë e Bashkëpunëtorit të Sigurimit por të denoncuesit, kjo është dhe më e rëndë, se të kishte qenë bashkëpunëtor, pasi e ka bërë si njeri që ka bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit me dëshirën e tij, pa u shtrënguar edhe pse faktet që përfliten janë ndryshe. Në atë kohë dhe atë vit, rrallë gjeje student të dilte denoncues vullnetar.  
Zhdukja e një dosje, nuk do të thotë zhdukje regjistrash dhe procesverbalesh. Në të gjitha rastet emri i tij mund të kërkohet në procesverbalet e asgjësimit të dosjeve, apo denoncimeve, pasi nuk shpëton dot. Por për ato duhet kërkim më i thelluar. Aktualisht Autoritetin e ndalon ligji.  
Por mund ta lejojë vetë Ilir Meta. Të shkojë nesër në mëngjes e të plotësojë formularin duke thënë “kërkoni për mua”.  
Nëse nuk e bën dot, nuk ka nevojë ta vazhdojmë më këtë debat.  
Nëse e bën, do argëtohemi me talentin tij të hershëm.  





Skip to toolbar