Baze: Përse Berisha e Meta po e bëjnë fushatën thellësisht politike 

Më të fundit


Kishte një mënyrë se si Sali Berisha dhe Ilir Meta t’u jepnin pak më shumë shanse kandidatëve të tyre në këtë fushatë, duke ndenjur të tërhequr, për shkak të ngarkesës politike që kanë dhe duke nxjerrë para qytetarëve vetëm kandidatët. Kjo sidomos në qytetet e mëdha, ku ata shpresojnë të ketë një farë gare, dhe ku kandidatët e tyre edhe pse mund të mos jenë fitues, duket se investojnë një lloj identiteti politik.

Por ky shans jo vetëm që nuk është lejuar prej tyre, por me një vetëdije të qartë po eklipsohet çdo lloj identiteti i kandidatëve, duke vënë në plan të parë dyshen Berisha- Meta. 


Të dy bashkë kanë vendosur të bashkohen në prezantimin e kandidatëve të primareve, në çdo tribunë dhe qytet, duke i dhënë shumë peshë anës politike të zgjedhjeve, në raport me profilin e kandidatit apo akoma më keq, premtimet e tij.

Fushata e tyre, e cila mes të tjerash është dhe dukshëm e shtrenjtë dhe nuk rrezaton as modestinë financiare të Carës apo Boçit, dhe as gjendjen formale financiare të koalicionit të tyre, që “de jure” nuk ka financime zyrtare.

Fushata e tyre ngjan si një fushatë karshillëku politik, për t’u treguar shqiptarëve se ata të dy nuk kanë vdekur.

Në përpjekje për të zbukuruar fushatën e kandidatëve të “Foltores”, ndonjë aleat i vogël i tyre propozoi që kandidatët të çanin gardhin e “Foltores” dhe të artikulonin mendime politike, që nuk janë në një gjatësi vale me dyshen Berisha- Meta.

Por kjo jo që nuk ka shanse të ndodhë, por dyshja Berisha- Meta po iu imponohen kandidatëve publikisht, duke i lënë ata në hije thjesht si ushtarë të tyre.

Dhe logjikisht kanë të drejtë. Ata të dy nuk i shikojnë këto zgjedhje si zgjedhje bashkiake, por si betejë të tyre për mbijetesë politike. Ata duan t’u imponojnë shqiptarëve fuqinë e tyre politike, të cilën e kanë të vetmin kapital për të mbijetuar më tej përballë drejtësisë apo proceseve të tjera të daljes nga politika që i presin. 

Ata nuk duan t’ia dinë fare sa kandidatë bashkish do fitojnë. Ata duan që në fund të thonë ne kemi kaq për qind të votave dhe duhet të flisni me ne. Natyrisht nuk ka ndërmend të flasë njeri me ta, por ata atë objektiv kanë. 

Ndaj mos prisni që Këlliçi, Cara, Boçi, Spahia apo ndonjë kandidat tjetër, që kanë nevojë të shfaqin personalitetin e tyre, ta kenë këtë luks në këtë fushatë. 

Kjo nuk është fushatë e tyre, por e atyre dy të mëdhenjve, që e shikojnë këtë si betejë për jetë a vdekje. Ata duan t’u thonë shqiptarëve ose na pranoni ne të dyve, ose nuk duam t’ia dimë për kryetarë bashkish. Ky është halli i tyre i vetëm, që i bën këto zgjedhje, zgjedhjet më politike në historinë e Shqipërisë, për shkak të atyre të dyve, dhe jo për shkak të kandidatëve të tyre në këtë fushatë. 

Ndaj mos na lodhni shumë me tullumbacet e premtimeve të kandidatëve të “Foltores”. I vetmi premtim që ata kanë, nuk është për shqiptarët, por për Berishën e Metën. U janë betuar që do bëjnë ç’të mundin t’i shpëtojnë faqen dhe t’u marrin ca vota që të mos duken të braktisur. Për kaq është kjo fushatë!




Skip to toolbar