Dita Ndërkombëtare e Romëve, Manastirliu: Në fokus punësimi dhe integrimi i komunitetit Rom

AKTUALITET


Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është mbajtur një aktivitet ku ka marrë pjesë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, Sociale, Ogerta Manastirliu, përfaqësues të komunitetit Rom, përfaqësues të organizatave dhe shoqërisë civile.

Në fjalën e saj, Ministrja Manastirliu vuri theksin tek fuqizimi i komunitetit Rom dhe Egjiptian në tregun e punës, me qëllim integrimin e tyre.


“Nga programi i ndihmës ekonomike kanë dalë nga vështirësitë sociale dhe ekonomike më shumë se 3.500 individë, të cilët janë drejtuar drejt punësimit të qëndrueshëm dhe aftësimit profesional. Rruga e vetme për fuqizimin e komunitetit Rom është arsimimi dhe punësimi. Ne jemi të fokusuar që të zhvillojmë mekanizmin e punësimit për ata të cilët janë në moshë aktive pune dhe që janë pjesë e programeve të mbrojtjes sociale”,- tha Manastirliu.

Duke folur për programin e mbështetjes së nënave me shumë fëmijë nëpërmjet subvencionim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, Manastirliu bëri me dije se deri tani janë mbi 7 mijë gra përfituese.

“Ne e kemi filluar këtë program në janar të këtij viti dhe po mbështen vetëm në tre muajt e parë më shumë se 7100 nëna me tre e më shumë fëmijë, të cilave u subvencionohen kontributet shëndetësore dhe shoqërore nga shteti për 5 vitet e para të rritjes së fëmijës së tretë, të katërt, etj. Për komunitetin rom dhe egjiptian dua që të përçohet ky mesazh, pasi po mbështeten nëpërmjet garantimit të kontributeve nga shteti,”- nënvizoi Manastirliu.

Me synim gjithëpërfshirjen, një sërë programesh kombëtare janë në mbështetje të ketij komuniteti. Më shumë se 3 mijë familjet rome mbështeten nga programi i asistencës sociale. Bonusi i bebes është një tjetër program universal, që ka mundësuar shpërblimin e të prsalindurve, ku një pjesë janë fëmijë të komunitetit rom. Ky mekanizëm ndikoi edhe për të rritur regjistrimin e fëmijëve të porsalindur Rom në gjendjen civile.

Gjithashtu nëpërmjet Fondit Social, janë ngritur 40 qendra dhe shërbime sociale në të gjithë bashkitë dhe qarqet e vendit, duke siguruar që më shumë se 11 mijë përfitues, përfshirë këtu edhe komunitetin Rom, të marrin shërbime ditore dhe rezidenciale.




Skip to toolbar