Baze:Pse ka rëndësi “non grata” e Britanisë së Madhe për Sali Berishën 

Më të fundit


Britania e Madhe ka vendosur zyrtarisht të adaptojë listën dhe praktikat e SHBA për personat e përfshirë në korrupsion madhor dhe zyrtarët e lartë që minojnë demokracinë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Qëndrimi zyrtar i Britanisë së Madhe është bërë publik, ndërsa në kanale diplomatike janë përcjellë dhe emrat e personazheve që përfshihen në këtë listë, të cilat sipas praktikës së këtij vendi nuk bëhen publik.

Sali Berisha dhe familjarët e tij janë pjesë e kësaj liste. Në ditët në vijim ndoshta diplomatët britanik në disa vende të Ballkanit Perëndimor, mund të bëjnë shpjegime të adresuara qartë për kategorinë e njerëzve që prekin këto sanksione.


Vendimi i Britanisë së Madhe ka shumë rëndësi për Shqipërinë dhe Bosnjën, pasi vetëm në këto dy vende, personat e dizanjuar nga Departamenti i Shtetit e kanë kthyer në betejë kundër Perëndimit përfshirjen në këtë listë. Ata janë Sali Berisha dhe lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili në fakt ngjan si i dërguari i Putinit në Ballkan.

Ngushtimi i lakut për udhëheqësit e korruptuar të Ballkanit nga SHBA po kthehet në një proces, pas vendimit nga Britania e Madhe dhe shumë shpejt nga gjithë vendet e Bashkimit Evropian, pasi Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë ka rekomanduar që BE të shikojë adoptimin e praktikave të SHBA për liderët e korruptuar të Ballkanit Perëndimor.

Nga ana tjetër, ky vendim zhbën gjithë gënjeshtrat dhe alibitë qesharake që Sali Berisha ka shpikur për trushpëlarët e vet gjatë këtij viti, në përpjekje për të relativizuar ndëshkimin nga SHBA.

Kryegënjeshtra e tij, që vendimi në SHBA është ndikuar nga Xhorxh Sorosi, tani bëhet qesharake, pasi Soros është njeriu ndoshta me më pak ndikim në Londër, ndërkohë që qeveria britanike është një qeveri konservatore e djathtë. Kjo është një goditje dyfish, pasi zhbën dhe gënjeshtrën tjetër të Sali Berishës, që këtë vendim e kanë ndikuar administrata e majtë e SHBA. Tani ai ka një vendim të ngjashëm nga një shtet që qeveriset nga një qeveri e djathtë, armike me Xhorxh Sorosin.

Por mbi të gjitha, vendimi ka rëndësi për Sali Berishën dhe familjarët e tij, pasi po i ndëshkon ata, ndërkohë që kanë marrë flamurin e sfiduesve të Perëndimit në Shqipëri. 

Partia Demokratike, e cila tani është një ngrehinë e shkatërruar politike, të cilën po e merr zvarrë Sali Berisha për hallet e veta, përfaqëson sot lëvizjen e vetme izolacioniste në Evropë, e cila po vetizolohet nga Evropa për shkak se mes Perëndimit dhe udhëheqësit të saj, zgjedh këtë të fundit.

Një histori të ngjashme Shqipëria e ka pasur nën diktaturë, kur nën udhëheqjen e Enver Hoxhës shqiptarët ngjanin si skllevër anti-perëndimorë, por e vërteta ishte se ata ishin të gjunjëzuar nga diktatura, por nuk ishin anti-perëndimorë.

Në një vend të lire, një parti që gjunjëzohet nga një udhëheqës i korruptuar, minues i demokracisë dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë, i izoluar nga Perëndimi, është shenjë primtivizmi dhe regresi, që turpëron jo vetëm përkatësinë e saj politike, por dhe Shqipërinë.

Sali Berisha dhe familjarët e tij do të vazhdojnë të jenë përditë e më të izoluar, përditë e më të papërfillur dhe mbi të gjitha, përditë e më shumë të shënjestruar si njerëz që po krijojnë frymën anti-perëndimore në Shqipëri. Kjo jo vetëm është një diagnozë që e mban atë parti larg pushtetit, për të mirën e Shqipërisë, por nga ana tjetër është një diagnozë që tregon kalbjen e një partie dhe zhbërjen e saj, duke pranuar të flijohet në varr bashkë me Faraonin e vet.

Pushofshi të qetë në varrin e Faronit tuaj dhe pafshi ëndrra të bukura me pushtet në atë botë.




Skip to toolbar