BBC për situatën në veri: Këshillat e aleatëve ranë në vesh të shurdhër

KOSOVA


“Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti nuk kanë shkuar mirë me njëri-tjetrin. Dhe tashmë Presidenti serb dhe Kryeministri i Kosovës po përdorin skenat e dhunshme në veriun e Kosovës me shumicë serbe për të shkëmbyer akuza”. Kështu e nis artikullin e BBC News për situatën në veri të Kosovës.

Në një fjalim publik, Vuçiç tha se “Albin Kurti është përgjegjës për trazirat në Zveçan”, shkruan BBC. Atje mbetën të lënduar dhjetëra persona, mes të cilëve edhe 30 anëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, KFOR. Kjo nxiti aleancën që të shtojë trupat e saj në Kosovë.


Vuçiç u ka kërkuar njerëzve që të përmbahen nga aktet e dhunës, të cilat sipas tij përmbushin dëshirën e udhëheqësit kosovar për të pasur një konflikt mes serbëve dhe NATO-s. Nga ana tjetër Kurti pretendon se protestuesit në Zveçan ishin një “grusht ekstremistësh nën drejtimin e Beogradit zyrtar”.

Presidentja e Kosovës fajësoi për dhunën “bandat kriminale, të cilat marrin urdhra nga Vuçiç për të destabilizuar veriun e Kosovës”.

“Diku në mes, mund të dëgjoni diplomatët e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara që kërcasin dhëmbët. Ata shpenzuan pjesën më të madhe të vitit të kaluar që të shtyjnë Beogradin dhe Prishtinën drejt një marrëveshje normalizimi marrëdhëniesh”, shkruan BBC.about:blank

“Skenat e shëmtuara të së hënës të paktën përqendruan vëmendjen ndërkombëtare në çështjet e pazgjidhura mes minoritetit etnik serb në Kosovë dhe shumicës qeveritare shqiptare”, thuhet më tej në artikull.

Serbët etnikë dhe partitë serbe refuzuan që të merrnin pjesë në zgjedhjet e muajit të kaluar për katër komuna në veri të Kosovës. Pjesëmarrja e ulët në vetëm 3.5% lehtësoi zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë në qytetet ku shumica dërrmuese e njerëzve janë serbë.

Pavarësisht bojkotit, aleatët ndërkombëtarë të Kosovës kanë mbështetur zgjedhjet. Por ata ndryshuan zërin kur bënë të qartë se kryetarët e rinj nuk kishin mandat për të folur. Në prapaskena, ata i bënë thirrje autoriteteve të Kosovës që të ecin me kujdes për të shmangur tensionet në veri.

“Këshilla e tyre ra në vesh të shurdhër”, shkruan BBC.

Të premten e kaluar, policia speciale hyri me forcë në godinat e tre komunave që kryetarët të merrnin detyrën. Po ashtu ata hoqën flamujt serbë dhe i zhvendosën me flamurin e Kosovës.

Kjo nxiti një përgjigje të menjëhershme nga mbështetësit më të fortë të Kosovës. BE-ja dhe NATO i bënë thirrje Kurtit që të tërhiqej nga një pozicion qartësisht provokativ. Por deklarata më e ashpër nga të gjithë erdhi nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony blinken.

“Ai tha se SHBA-ja dënon me forcë veprimet e qeverisë së Kosovës e cila ka rritur tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai paralajmëroi se do të ketë ‘pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën’”, shkruan BBC.

“Por ky qortim pati pak ndikim te Kurti, i cili i shpërfilli thirrjet për të çtensionuar situatën dhe deklaroi me butësi se Kosova ende gëzonte mbështetjen ndërkombëtare ndërsa tensionet ‘ziheshin’ gjatë fundjavës”, shkruan BBC.

Nga ana tjetër në Serbi, Vuçiç po urdhëronte trupat në kufi me Kosovën.

“Ishte pak më shumë se sa një zhurmë, pasi Serbia nuk ka oreks për t’u ndërlidhur me 4000 trupat e NATO-s që garantojnë paqen në Kosovë”, shkruan BBC.

“E njëjta ndjenjë, me sa duket, nuk vlen për njerëzit që u filmuan duke sulmuar paqeruajtësit italianë dhe hungarezë në Zveçan”, shton më tej BBC.

Banorët insistojnë se po qëndronin ulur në tokë në një protestë paqësore.

“Kjo ngre pikëpyetje se kë përfaqësonin burrat muskulozë dhe me shkopinj, të cilët biseduan me personelin e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës”, shkruan BBC.

Tensionet janë qetësuar disi pasi kryetarët kanë pranuar të mos shkojnë më në zyrat e tyre. Megjithatë emocionet sërish udhëheqin më shumë. Këtë e ilustron përgjigja e tenistit serb, Novak Djokoviç, pas situatës së krijuar nga ai në ndeshjen e French Open.

Ai shkroi një mesazh në kamera pas fitores së ndeshjes së parë. “Kosova është zemra e Serbisë”, lexohej aty. “Stop dhunës”, shkruante në fund.

“Por derisa Kosova dhe Serbia të arrijnë të fokusohen në bashkëpunim dhe jo në akuza, tensionet nuk ka gjasa të jenë larg”, përfundon shkrimin e saj BBC.




Skip to toolbar