BE përçahet për Kosovën, Kukan kritika Mogherinit

Më të fundit


“BE ka treguar mungesë lidershipi në udhëheqjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës”. Kështu është shprehur Shefi i delegacionit të BE-së, Eduard Kukan duke kritikuar ashpër shefen e politikës së jashtme në BE,  Federica Mogherini, e cila ka ndërmjetësuar dialogun mes dy shteteve.

“Kërkoj falje znj.Mogherini, por BE ka treguar qartë mungesë të lidershipit në dialog. Negociata të tilla mund të kenë sukses vetëm nëse tregoni se jeni të fortë si udhëheqje. BE-ja duhet të jetë më e fortë në dialog për të parashikuar mirë ngjarjet dhe reagimet ndaj tyre”, ka thënë Kukan.

Kukan është shprehur pesimist për arritjen e një marrëveshje të shpejtë në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa thekson se ajo tashmë do të varet nga administrata e re që do të vendoset në BE pas zgjedhjeve.

“Shumë do të varet nga personaliteti i përfaqësuesit të ri të lartë apo përfaqësueses, dhe se si do ta marr rolin e tij në dialog”, ka thënë Kukan i cili mbështet fuqishëm përfshirjen në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor nuk mund të flitet për të gjithë Evropën, por kjo nuk është edhe qëndrimi i shumë kolegëve të mi këtu në Parlament, si dhe shumë politikanëve kryesor në Evropën Perëndimore. Besoj se procesi i zgjerimit do të vazhdojë dhe kjo është e nevojshme. Sa i përket vendeve të rajonit, mesazhi im është që këto vende të luajnë rol shumë aktiv për të vendosur raporte të mira me Parlamentin Evropian, në mënyrë që deputetët të jenë të gatshëm për t’u angazhuar dhe mbështetur procesin”, ka thënë ndër të tjera Eduard Kukan.



Skip to toolbar