Një tjetër arratisje e shqiptarëve nga burgjet greke, ku këtë radhë kanë mundur të arratisen 4 shqiptarë. Nga mediat greke raportohet se arratisja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që disa orë më vonë, për njërin nga shqiptarët ka marrë fund aventura, pasi është arrestuar nga policia vendase
Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur sot në orën 04.00 të mëngjesit në burgun e Koridhalos. 4 shqiptarë të vendosur përkohësisht në burgun e transferimit janë arratisur, pasi pak ditë më parë ishin implikuar në episode të dhunshme në burgun Koridhalos. Ata fillimisht kanë thirrur rojet për ndihmë kur një prej tyre u shtri në shesh dhe bënte të sëmurin.
Sapo rojet hynë në qeli, i kërcënuan me thikë të improvizuar, u morën armët dhe celularët dhe i mbyllën brenda.
Më pas zbritën në katin e parë, ku kërcënuan një tjetër polic që ndodhej në makinën e transferimit, morën makinën dhe u drejtuan në hyrjen e burgut ku përsëri kërcënuan me armë rojën.
Bëhet e ditur se të arratisurit morën armë dhe celularë, të cilat u përdorën në shkëmbim zjarri, pa të plagosur. Të arratisurit braktisën makinën e policisë pak metra larg burgut dhe u larguan. Në operacionin masiv policor përdoren dhe helikopterë që mbulojnë nga orët e para të mëngjesit gjithë Athinën. Sipas mediave greke, rreth orës 07:30 të mëngjesit është arrestuar një nga shqiptarët e arratisur.