Ben Andoni: Kosova mund t’i vendosë edhe Shqipërisë reciprocitet

KOSOVA


Përderisa marrëdhënia e Kosovës me Serbinë ka një asimetri të theksuar si rezultat i problematikave të mëdha që mbarten prej dekadash të tëra, një shqetësim po lind në dy kryeqytetet respektive shqiptare, Tirana dhe Prishtina: A do ketë marrëdhënie normale pas zgjedhjes së Albin Kurtit për herë të dytë si kryeministër? Sfondi politik nuk është aspak i mirë, teksa Kurti dhe të tijët tashmë nuk e mbajnë aq të shtrënguar dhe më si më parë flamurin kombëtar, kredoja e tyre e ideologjisë politike kombëtare, por nga ana tjetër zyrtarët e Kurtit bashkë me të vetë në krye, janë derdhur të shtrijnë pak nga pak dominimin e tyre edhe në Shqipëri. Për momentin, me burimet, individët dhe qasjet janë ende larg dhe kjo nuk është argument, por në të ardhmen duket se një energji bajagi e mirë do të shkojë në këtë drejtim. Shembulli është dhënë në këto ditë të fundit, kur kryeministri Kurti dhe të tijët janë derdhur në Shqipëri për të mbështetur pak kandidatët e tyre në një përpjekje gati donkishoteske për situatën në vend, kur dominimi është krejt i pak partive.

Ndërkohë që ashtu si ndodhi pak muaj më parë qeveria Kurti ka paralajmëruar për rikthimin e masës së reciprocitetit, që megjithë problematikat duhet thënë se ka një justifikim të drejtë me sjelljen e Serbisë. Por, ndërsa një vit më parë kjo i kushtoi rrëzimin ish-kryeministrit Kurti -1 këtë herë, Kosova ka institucione që Vetëvendosja i ka markuar mirë me votat dhe një presidente që është krejt e tyre. Që do të thotë se sërish do ketë qasje jo normale dhe kuptohet ndërhyrjen e të huajve, të cilët në fund do ta eliminojnë si masë.


Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë, ka thënë për Koha se: “Reciprociteti është e drejtë që buron nga barazia dhe sovraniteti, pra të qenit i pavarur, në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga sjellja arbitrare apo shkelja e të drejtave dhe dinjitetit nga ana e shteteve tjera. Është obligim i Qeverisë dhe i kryeministrit Kurti që të mbrojë qytetarët e Republikës dhe interesat e shtetit të Kosovës. Andaj edhe do të ketë masa reciprociteti me secilin shtet, duke përfshirë edhe Serbinë, në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme, të cilat shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara”.

Veçse, a mund të ketë një të tillë edhe me Shqipërinë? Me ndërhyrjen e kohëve të fundit, Kosova po tregon se po futet në një realitet ndryshe, atë që pikërisht ia mohojnë serbëve në Kosovë. Krahasimi është cinik por realist. Pak ditë më parë treguan se kjo masë më së pari se për Serbinë ka gjasa që e kamufluar të ndodhi me Tiranën. E para, nëse fiton kryeministri aktual Rama, Kurti do humbasë një domen të madh të mbështetjes, paçka se ideologjikisht afërsisë me PS, dhe do të përcjellë shumë përplasje. Ato filluan me ndërprerjen e vaksinimit të mësuesve me argumentin se vaksinat ishin kineze (realisht datojnë shumë më parë), ndërkohë që në të ardhmen do të futen problematika të tjera që lidhen me tregtinë, investimet etj. Me çfarë duket, në rast të këtij konfigurimi politik në Tiranë, Shqipëria dhe Kosova do e kenë vështirë një tryezë të përbashkët qeveritare ashtu si do e kenë të vështirë këtej e në të ardhmen dhe qasjen kulturore. Të mendosh se megjithë përpjekjen e studiuesve sesa e vështirë është të hartohet një histori e përbashkët, ashtu si problematikat e tjera, që po kalohen vetëm nga pak mëndjehapur nga të dy vendet. Sa më shumë Kosova të shkojë në udhën e shtetformimit, me konceptin e Kurtit dhe të tjerëve, aq më larg do t’i largohet dhe Tiranës. Shembujt janë dhënë dhe të gjitha na tregojnë se e ardhmja e Kurtit kërkon figurën e tij si atë të një lideri mbarëkombëtar. Që është absurde në Tiranë dhe në treva. Ndaj, nuk është e largët dita kur të kemi dhe reciprocitet me njëri-tjetrin dhe Kosova të na “e tregoi” traun që e mban aq stoikisht Albini. (Javanews)




Skip to toolbar