Topalli kundër Bashës, fitorja e parë, 7.5k like në Facebook

AKTUALITET


Jozefina Topalli ka qenë zëri i vetëm kundër Lulzim Bashës, të paktën në dy ditët e fundit, ajo ka qenë e vetmja që ka reaguar kundër kreut aktual të PD-së, për atë që e quajti “vrasje mizore” të partisë. Të dielën ish-nënkryetarja e PD-së shkruajti një koment të gjatë në faqen e saj në Facebook, ku dilte kundër Lulzim Bashës dhe i kërkonte këtij të fundit të largohej nga partia, pasi e cilëson si njeriun përgjegjës për rrënimin e partisë. Ky status në rrjetet sociale nga Jozefina Topalli, duket se ka gjetur mbështetje të madhe te ndjekësit e saj. Në disa orë,  komenti i Znj.Topalli kundër Lulzim Bashës, ka marrë pëlqimin e mbi 7500 njerëzve, të cilët e kanë pëlqyer komentin. Por jo vetëm kaq, reagimi i Topallit ka gjetur mbështetjen e mbi 2 mijë personave të tjerë, të cilët kanë komentuar në brendësi të tij, ndërsa 338 ndjekës të saj e kanë shpërndarë këtë postim. Ndërkohë, krahasuar postimin e Jozefina Topallit me ato të Lulzim Bashës, ish-kryetarja e Kuvendit në kohën që në qeveri ishte PD, pëlqimet janë ku e ku larg. Lulzim Basha, në një postim të bërë pothuajse 24 orë para postimit të Jozefina Topallit, ka marrë më pak se 1/3 e pëlqimeve që ka marrë Jozefina Topalli, që në fakt reagoi 24 orë më vonë. Gjithshtu, postimi i Lulzim Bashës ka marrë vetëm 1.1 mijë komente, nga 2 mijë që ka Topalli dhe 235 shpërndarje, nga 338 që ka marrë statusi i Jozefina Topallit. Pra, Basha “humbës” edhe në rrjetet sociale.

Një ditë pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ish kryetari i PD-së, Sali Berisha është parë të futet në selinë blu ku ka takuar kreun e PD-së, Lulzim Bashën, i cili deri mesditën e së hënës nuk ka patur asnjë reagim.


Kujtojmë së gjatë këtyre ditëve Berisha ka qenë mjaft i heshtur, ndërkohë që dolën edhe lajmet se ai ndodhej për kurim në Gjenevë. Por duket se fill pas zgjedhjeve ka shkuar të flasë me Bashën për hapat në vijim të PD-së.  

Ndërkohë që më herët zëdhënësja e Berishës, Erla Mëhilli ka publikuar në rrjetet sociale një foto me Jozefina Topallin. Nuk dihet nëse është foto e ditës së sotme, apo është e vjetër. Mëhilli e ka postuar në instastory pak orë më herët.

Bie në sy se ky takim mes tyre zhvillohet vetëm një ditë pas statusit të fortë të Topallit kundër Bashës. Mbrëmjen e së dielës ish nënkryetarja e PD-së, e cila njihet si një nga zërat më të fuqishëm kundër Bashës, i kërkoi atij të largohet nga drejtimi i PD-së, pas vendimit për të bojkotuar zgjedhjet dhe pas “vrasjes” që i bëri partisë duke e lënë PD pa asnjë pushtet pas 3 dekadash.

“Pas rreth 3 dekadash, PD nuk ka më asnjë pushtet. Partia Demokratike nuk është me as në Parlament dhe nuk ka më asnjë bashki. Me urdhrin për djegien e mandateve Lulzim Basha e nxori atë me dhunë, jashtë parlamentit duke tradhtuar e fyer, mbi 400 mijë demokratë, që votuan siglën e kësaj force politike. Me këtë, që është akti më i papërgjegjshëm i historisë së demokracisë, ai praktikisht i ftoi shqiptarët në luftë vëllavrasëse”, shprehet Topalli.

Në statusin e saj ish numri dy i PD-së, ka edhe një kunj për Berishën, megjithëse nuk e përmend por thotë se Basha ishte një eksperiment i dështuar për PD (nisur nga fakti se Basha është mbështetur dhe u la si pasardhës nga Berisha).

“Ti ishe eksperimenti më i pamerituar për demokratët dhe për vendin. Partia Demokratike ka kaluar edhe një herë tjetër një moment tragjik. Edhe sot Lul, njerëz të ndershëm, të rinj e të reja, idealistë e intelektualë, patriotë, të pakorruptuar e të pashitur do ta shpëtojnë nga pengmarrja e tradhtia jote, do ta ngrejnë sërish në piedestalin që i takon, për t`i dal zot vendit, interesit publik e njerëzve që i le pa shpresë e pa perspektivë. Është koha për të ringritur Partinë Demokratike nga e para. Është koha për të larguar këtë klasë politike. demokratët, shqiptarët do ia dalin”, shkruan Topalli, duke paralajmëruar se tashmë do të nis procesi “Basha Ik”.

Jozefina Topalli dhe zedhenesja e Berishes, Erla Mehilli



Skip to toolbar