Bie plani i Salvinit, Italia mund të shmang zgjedhjet

AKTUALITET


Italia mund të shmang zgjedhjet e parakohshme. Paralajmërimin e ka bërë Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella. Pas dorëheqjes së kryeministrit Conte, presidenti Mattarella ka zhvilluar takime me liderët kryesor të politikës italiane. Pasditen e të enjtes ai ka konfirmuar se diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së krizës do të shtyhen deri javën e ardhshme, pasi Lëvizja 5 Yjet ka kërkuar mandat për të dialoguar me Partinë Demokratike, me qëllim krijimin e një koalicioni të ri mazhoritar dhe qeverisës.

“Ka pasur një ndarje mes dy partive që përbënin shumicën e vjetër. Kriza duhet të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër. Konsultimet e reja do të vijojnë të martën e ardhshme. Unë jam informuar nga disa parti se kanë nisur bisedimet për një marrëveshje në parlament për krijimin e një qeverie të re. Dhe më është kërkuar që të kenë kohë për të zhvilluar diskutimin”, ka thënë Mattaraella, duke i lënë kohë deri të martën partive që nuk duan të shkojnë në zgjedhje.

Megjithatë ai ka paralajmëruar se nëse marrëveshja nuk arrihet, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Unë kam një detyrë të pashmangshme që të mos e ndaloj shprehjen e vullnetit mazhoritar të Parlamentit siç ndodhi. Në të njëjtën kohë unë kam detyrën të marrë, në interes të vendit, vendime të shpejta”, tha Mattarella, duke paralajmëruar se koha për bisedime mes partive nuk do të jetë e gjatë.

Në fund ai ka sqaruar se nuk do të miratojë asnjë qeveri, që nuk do të ketë shumicën dhe besimin e Parlamentit. “Vetëm qeveritë që fitojnë besimin e Parlamentit me marrëveshje dhe me një program qeverisës, janë të mundshme, në mungesë të këtyre kushteve, rruga është ajo e zgjedhjeve”, ka thënë kreu i shtetit në Itali. Nëse partitët e tjera në Parlament do të arrijnë një marrëveshje, duke krijuar një mazhorancë të re qeverisëse, atëherë do të minohej plani dhe dëshira e Matteo Salvinit për zgjedhje në Itali.

Në fakt, zëvendës kryeministri italian, ka krijuar bindjen se ka mbështetje të madhe në elektorat, si në veri ashtu dhe në jug, nisur ky argument nga zgjedhjet për parlamentin evropian, ku Lega Nord e Salvinit, doli e para në Itali. Por tashmë do të pritet me interes deri të martën, për të parë nëse kundërshtarët e Salvinit do të arrijnë të krijojnë një mazhorancë të re, duke shmangur zgjedhjet, rezultati i të cilave mund të jetë i paparashikueshëm.



Skip to toolbar