Shqipëria nën ujë, Xhaçka: Situata, nën kontroll

AKTUALITET


Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka deklaroi se situata e përmbytjeve e krijuar nga reshjet e pazakonta është drejt përmirësimit dhe se problematikat janë prezente vetëm në disa zona. Gjatë një deklarate për mediat në lidhje me situatën e shkaktuar nga reshjet e dendura mbrëmjen e së hënës, ministrja Xhaçka tha se falë bashkëpunimit dhe koordinimit të mirë të institucioneve dhe mekanizmit të ri të Mbrojtjes Civile ka pasur një reagim shumë herë më pozitiv dhe të efektshëm se herët e kaluara.

Xhaçka tha se problematikat paraqiten kryesisht në Bashkinë Kamëz të qarkut të Tiranës, ku në 105 banesa ka ende prezencë uji, ndërsa dalja e lumit Ishëm nga shtrati ka çuar në përmbytjen e tokave bujqësore në fshatrat Bilaj, Murqine dhe Mallkuc. Përmbytje të banesave ka pasur edhe në Kurbin dhe Fushë Krujë, ndërsa ministrja shtoi se Forcat e Armatosura po punojnë me kapacitete të plota për ardhjen në ndihmë të qytetarëve dhe zgjidhjen e zgjidhjen e problemeve të tyre.

Në vetëm disa orë ka pasur reshje me intensitet të pazakontë, sa për 1 muaj. Situata është e stabilizuar, me përjashtim të disa zonave, të cilat po asistohen nga autoritetet. Kemi pasur mundësinë të testojmë sërish mekanizmin e ri të Mbrojtjes Civile që ka çuar në koordinimin mes institucioneve në një nivel të ri dhe shumë më tepër efikase sesa në të shkuarën. Akset rrugore dhe sistemet kryesore të furnizimit me energji dhe ujë janë funksionale.

Në qarkun e Tiranës, në 105 banesa ka prezencë uji, kryesisht në Bashkinë Kamëz, ku 400 efektivë e mjete janë në gjendje gatishmërie. Në Fushë Krujë në 10 familje në fshatin Larush dhe 8 familje në Bubq ka prani uji në banesat e tyre, ndërsa dalja nga shtrati i lumit Ishëm, ka përmbytur toka Bujqësore në fshatrat Bilaj, Murqine dhe Mallkuc. Në Kurbin, rritja e nivelit në kolektorin Laç-Milot, përmbyti disa banesa” tha Xhaçka, e cila shprehu solidaritetin me familjet në vështirësi deri në zgjidhjen e problemeve të tyre.



Skip to toolbar