Blockchain, gati ligji për tregjet kripto-financiare

EKONOMI


Ndërsa në Tiranë është duke u zhvilluar Konferenca e 41 Ndërkombëtare e Data Protection, e cila ka sjellë në kryeqytet edhe përfaqësues të kompanive gjigante të hi-tech si “Microsoft”, “Facebook” apo “Mastercard”, qeveria e Shqipërisë ka përgatitur një ligj që do të sjellë rregullimin e tregut tonë dixhital.

Projektligji për “Tregjet Financiare të bazuara në Teknologjinë e Regjistrave të Shpërndarë” pritet të dërgohet shumë shpejt në Parlament, duke rregulluar një sektor që në vitet e fundit ka marrë një hov zhvillimi edhe në vendin tonë.


Ligji i ri përcakton metodat e licencimit të operatorëve vendas apo të huaj, duke i hapur rrugë regjistrimit të kompanive që operojnë me teknologjinë më të avancuar të “Blockchain” edhe në vendin tonë.

Një teknologji e tillë e pahakueshme përdoret aktualisht edhe nga kripto-monedha më e famshme në botë, “Bitcoin”, por “blockchain” është një teknologji që mund të gjejë aplikime në shumë fusha.

Sipas ekspertëve, deri në vitin 2030, shumica e transaksioneve tregtare në botë do të realizohen përmes teknologjisë së “blockchain”, e cila për herë të parë fut konceptin e një kontrate të vetënegociueshme dhe vetëzbatueshme nga ana e biznesit.

Në fjalë të tjera, në momentin e dakordësimit të një kontrate, mbi bazën e kësaj teknologjie ajo bëhet “smart” dhe si e tillë, e vetekzekutueshme.

Aktualisht, teknologjia “blockchain” po gjen një përhapje të madhe jo vetëm në fushën e tregtisë, por edhe në shëndetësinë e avancuar, “E-Learning”, energjinë e rinovueshme, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e bujqësisë, etj.

Projektligji i hartuar në përputhje me modelet më të avancuara në botë dhe rekomandimet e Bashkimit Europian, synon që duke hapur tregun shqiptare ndaj kësaj teknologji inovatore, të nxisë formimin e start up shqiptare në fushën e hi-tech, duke rritur punësimin, veçanërisht tek të rinjtë.

Një qëllim i dytë i këtij ligji është përshpejtimi i revolucionit dixhital, sidomos përsa i përket pagesave dixhitale, të cilat falë rritjes së transparencës dhe gjurmueshmërisë shërbejnë për të luftuar direkt evazionin fiskal apo fenomenin e pastrimit të parave.

Mbi këtë çështje foli edhe Kryeministri Edi Rama në konferencën e 41 ndërkombëtare të komisionerëve për mbrojtjen e të dhënave, që po mbahet në Shqipëri. Rama e ka nisur fjalën e tij me një mesazh, se qeveria shqiptare ka hapur një konsultim publik për tregjet financiare, bazuar te teknologjia blockchain.

 “Është e qartë që përmes teknologjisë blockchain ne do kemi mundësinë për t’iu dhënë në të ardhmen sistemeve tona një efikasitet më të lartë dhe një siguri më të madhe, sa i përket psh. pronës, pronësisë. Dhe gjithashtu, për një vend si Shqipëria, blockchain mund të ofrojë një mundësi shumë efikase për dërgesat nga jashtë, duke ulur kostot dhe rritur shpejtësinë e ndërveprimeve”, deklaroi Rama.




Skip to toolbar