Zgjedhorja, Soreca: Palët duhet të dakordësohen

POLITIKË


Angazhimin e opozitës së bashkuar për të ecur paralelisht me punimet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca e quan një hap pozitiv para, por kërkon që palët të gjejnë dakordësi. Në një intervistë për A2, Soreca duket optimist kur thotë se rruga e nisur do t’i ulë palët në dialog.

“Çdo punë e bërë për të ecur përpara me reformën elektorale është e mirëpritur. Opozita jashtë parlamentare është e angazhuar që të punojë me reformën zgjedhore dhe ky është një lajm i mirë. Në fund të ditës, do të ketë një moment që palët do të ulen me njeri-tjetrin”, u shpreh ambasadori i BE.


Gjuha e përbashkët, sipas kryediplomatit të BE, gjendet kur zhvishet nga kushtëzimet. “Parakushtet nuk janë domosdoshmërisht ato që të çojnë drejt dialogut. Ia kam thënë miqve të mi të opozitës brenda dhe jashtëparlamentare.  Do të vijë një kohë kur kompromisi duhet bërë.  Apeli është që të jenë të hapur për dialog, pa kushte”, shtoi Soreca.

I të njëjtit qëndrim është edhe kreu i OSBE, Bernd Borchard lidhur me pozicionim në dy llogore paralele të mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare për ndryshimin e ligjit elektoral. “Shumë mirë që filluan të punojnë. Ata duhet të bëjnë bashkë idetë e tyre”, tha kreu i OSBE.




Skip to toolbar