Fake News për “terroristët” shqiptarë, njëri në burg prej 3 vitesh

AKTUALITET


Një Fake News u shpërnda në mediat italiane ditën e shtunë, ku thuhej se dy shtetas shqiptarë, Bujar Hysa dhe Bardhyl Hoxha, ishin në kërkim për sulme terroriste nga policia italiane. Ngjarja që bëri bujë jo vetëm në shtypin italian, por dhe atë shqiptar, në fakt rezulton i rremë. Shqiptari i kërkuar Bujar Hysa ndodhet në burgun e sigurisë së lartë prej 3 vitesh në Shqipëri. Hysa është dënuar me 18 vite heqje lirie dhe ndodhet nën monitorim të vazhdueshëm. Ai u arrestua 3 vite më parë me një grup imamësh të vetë shpallur që rekrutonin besimtarë të rinj për të luftuar në Siri.

Ndërsa shtetasi Bardhyl Hoxha, gjatë një deklarate për Ora News, tha se nuk ka lidhje me terrorizmin dhe akuzat janë të stisura.


“Me akuzat jam njohur pra një ore duke parë lajmet. Nuk kam lidhje fare me terrorizëm. Mi kanë bërë false. Unë kam 18 vite në Francë me gjithë fëmijët jam me të gjithë njerëzit e mi këtu. Këtu nuk kam asnjë lloj problemi, le pastaj të jem i lidhur me terrorizmin”, tha Hoxha, i cili theksoi se të akuzuarin tjetër, Bujar Hysa, nuk e njeh dhe nuk e ka idenë se kush mund të jetë ai.

Burime nga anti-terrori për Report Tv thanë se për Hysën dhe Bardhyl Hoxhën nuk kanë asnjë njoftim nga partnerët italian se kërkohen për sulme terroriste.

Mediat italiane shkruanin se sulmi terrorist i planifikuar nga dy shqiptarët ishte i ngjashëm me atë të “Bataclan” në Francë, ku 9 terroristë ekzekutuan 131 veta.




Skip to toolbar