Britania “shuplakë” PD: Drejtësia funksionon

AKTUALITET


Ambasadori i Britanisë së madhe në Tiranë, Duncan Norman, ka reaguar në Twitter në lidhje me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që dënoi Saimir Tahirin me 3.5 vite burg për “Shpërdorim detyre”. Britania e Madhe shprehet se ky vendim tregoi rritjen e pjekurisë së sistemit ligjor në Shqipëri. “Dënimi i Saimir Tahirit tregon se sistemi ligjor i Shqipërisë po maturohet”, shkruan Duncan.

Kjo është përgjigja tjetër kundër deklaratave të Lulzim Bashës, që u shpreh mbrëmjen e të enjtes se “drejtësia është e kapur”. Më herët, Ishte SHBA, që me anë të një deklarate për vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, u shpreh se “dënimi i Tahirit tregoi pavarësinë në rritje të sistemit të drejtësisë”. Më tej, SHBA e quante këtë vendim një “hap përpara”, megjithëse shprehej se ishte shkurajues fakti që “Tahiri nuk u dënua për akuzat e ngritura nga Prokuroria”.

Në këtë linjë është dhe Britania, ku nëpërmjet ambasadorit Duncan Norman shprehet se “Dështimi për të dënuar Saimir Tahirin për akuzat më serioze, shtron pikëpyetje dhe tregon rëndësinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi deri në fund”, thotë Britania e Madhe.

Ajo që vihet re, qoftë në reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkura dhe të  Britanisë së Madhe, është fakti se të dyja e nisin reagimin e tyre duke përshëndetur vendimin e gjykatës dhe duke cilësuar “pavarësinë e sistemit të drejtësisë”. Ky është një mesazh i fortë ndaj partive politike dhe skeptikëve në radhët e tyre për Reformën në Drejtësi, madje për vetë PD dhe kreun e saj Lulzim Basha, që është shprehur se do të përgatitet një “draft për ndryshime në sistemin e drejtësisë”.



Skip to toolbar