Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, propozoi në Komisionin Parlamentar të Integrimit disa amendamente për porjekt-rezolutën e propozuar nga Rudina Hajdari dhe Senida Mesi për çeljen e negociatave. Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, propozoi ndryshimin e titullit të rezolutës, nga “Çelja e negociatave”, të bëhet “Mbështetje për procesin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim”.
Sipas Bushatit, Kuvendi “nuk ka tagër vendimarrës” për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Ndaj, ai kërkoi “Amendimin për vlerësimin e punës përgatitore të nisur nga KE me institucionet shqiptare të njohura si procesi “screening”.
Një tjetër amendim, është “të rikonfirmojmë angazhimet që burojnë nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë datë 24 maj 2018”. Bushati kërkon që “Kuvendi të nxisë institucionet e tjera përgjegjëse me qëllim ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), brenda vitit 2019”.
Gjithashtu, Bushati shton edhe një amendament, që sipas tij “Kuvendi të angazhohet në përfundimin e Reformës Zgjedhore brenda vitit 2019, në përmbushje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, për të garantuar një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, të ndershëm dhe demokratik”.
Ditmir Bushati kërkon që “Këshilli i Ministrave të paraqes brenda datës 31 Tetor të këtij viti, planin e punës, metodologjinë, planifikimin e burimeve njerëzore dhe financiare në mbështetje të procesit të bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian”.
Në fakt, disa prej mendimeve të Bushatit janë në përputhje me mendimet e bëra nga Senida Mesi dhe Rudina Hajdari, në Rezolutën e parqitur në Kuvend të hënën në 30 shtator. Ajo që bie në sy nga amendamentet e paraqitura nga Ditmir Bushati, është kërkesa për “përfundimin e Reformës Zgjedhore brenda vitit 2019”.