Vrasja e Hidës, maskat përdorën makinën e “seksit”

AKTUALITET


Makina që përdorën dy autorët e vrasjes së Besnik Hidës në Lushnje u grabit në Tiranë disa ditë më herët. Makina iu grabit nën kërcënimin e armëve dhe duke dhunuar çiftin e të rinjve në Tiranë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në autostradën Tiranë –Durrës.

Pronari i automjetit ka qenë në pozitë të vështirë kur është sulmuar nga dy personat e armatosur, pasi ishte duke kryer marrëdhënie seksuale me të dashurën e tij, kjo e fundit një grua e martuar. Ai është munduar të rezistojë por dy personat e armatosur i kanë pohuar se i kishin bërë video dhe do ja tregonin burrit të së dashurës së tij, lidhjen jashtë martesore.


Dy persona të maskuar pasi dhunuan çiftin dhe nën kërcënimin e armës u morën atyre automjetin tip “Fiat”. Megjithëse policia u vu në ndjekje të tyre, nuk arriti t’i kapte.

Kjo makinë është përdorur të martën në mëngjes nga autorët e vrasjes së 35 vjeçarit në Lushnjë.

Pas vrasjes makina u gjet e djegur në lagjen 18 Tetori, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të autorëve.

Pas hetimeve të policisë në vendin e ngjarjes, u konstatua se makina e djegur ishte pikërisht ajo e çiftit të grabitur në Tiranë. Aktualisht nuk dihen autorët e grabitjes së mjetit, si dhe vrasësit e Hidës, ndërsa policia po heton lidhur me ngjarjen. Ndërkohë ekspertë të kriminalistikës kanë bërë këqyrjen e mjetit të djegur, për të marrë prej aty mostra për t’i ekzaminuar në laboratorin shkencor për të parë për ndonjë gjurmë të mundshme, që të çojë në identifikimin e autorëve.




Skip to toolbar