Bushati: Valdrin Pjetri nuk u propozua nga PS

POLITIKË


Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati bëri një deklaratë të fortë ku tha se Valdrin Pjetri nuk është propozuar nga strukturat e PS së Shkodrës. Nga studio e emisionit ‘Real Story’ Bushati mohoi deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të PS, Taulant Balla që kishte bërë po në këtë studio më herët se “kandidati i Shkodrës ishte caktuar nga drejtuesi politik i qarkut Shkodër,” që në atë kohë ka qenë Ditmir Bushati.

“Valdrin Pjetri nuk është propozuar nga strukturat e PS së Shkodrës, por kjo ka pak rëndësi. Unë këtë e shoh si çështje politike. Duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, Unë i pari kam kërkuar ndjesë për këtë dhe kam kërkuar që dhe PS t’i kërkojë ndjesë Shkodrës. Valdrin Pjetri nuk ka ardhur nga karriera politike brenda PS. Tek ne ka çaluar procesi i karrierës.” tha Bushati

Ish ministri gjithashtu tha se kjo çështje duhet të zgjidhet dhe kjo do të bëhet përmes tre kritereve ku t’i jepet më shumë peshë strukturave të partisë, komunitetit por edhe të hapet gara brenda strukturave.

“ E para duhet t’i japim më shumë peshë socialistëve dhe jo ta thërrasim vetëm kur na nevojitet. E dyta duhet t’i japim më shumë peshë komunitetit pasi mund të kenë një shqyrtim më të mirë për kandidatë. E tretë gradualisht të vendosim garën brenda strukturave. Në këtë mënyrë i japim mundësi strukturës së partisë të gjallërohet dhe zgjerohet. Kjo është më e mirë për PS dhe komunitetin që ajo përfaqëson.” tha Bushati



Skip to toolbar