Opozita e Bashkuar ka lajmëruar se do të protestojë sot në orën 18:00 duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në disa akse kryesore të vendit. Mirëpo gjatë paradites, një tjetër protestë është zhvilluar para Kuvendit, ku po zhvillohej edhe seanca parlamentare.
Kjo protestë, aspak e zakonshme në llojin e protestave të opozitës deri më sot, është zhvilluar në mënyrë simbolike nga të rinjtë e forumit demokratik dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim , përkatësisht FRPD dhe LRI.
Të rinjtë kanë mbajtur një banderolë të madhe ku shkruhej ‘Ti Shqipëri s’më jep nder, më jep emrin Mërgimtar” dhe kanë lënë në rrugë me dhjetëra këpucë dhe flamuj të BE-së. Kjo protestë simbolike është bërë në kuadrin e largimeve në masë të të rinjve drejt vendeve të BE-së për një jetë më të mirë.
Të rinjtë u shprehën për mediat se “çdo këpucë përfaqëson një të ri, një të re, një familjar, të cilët janë larguar nga Shqipëria.”