Të hënën në 30 shtator, kompania shqiptare e fluturimeve “Air Albania” nisi udhëtimin në tre aeroporte të reja drejt Italisë. Qytetarëve shqiptarë u shtohet një alternativë tjetër për të udhëtuar drejt Romës, Milanos dhe Bolonjas, si dhe anasjelltas drejt aeroportit të Rinasit. Kompania “Air Albania”, për nisjen e fluturimeve në tre aeroportet italiane, lajmëroi se ofron çmime biletash që fillojnë nga 59 deri në 69 euro.
Por, a janë në të vërtetë kaq këto çmime? Po tregu çfarë ofron?
Realstory.al., kërkoi në faqen zyrtare të “Air Albania” për çmimet e biletave, duke blerë një biletë online, mundësi që ofrohet nga kompania, pa pasur nevojë për të shkuar në një agjenci udhëtimi.
Për destinacionin Tiranë-Milano, kompania promovoi çmimin 69 euro, përpara se të niste fluturimet. Por a gjen një biletë me 69 euro për të udhëtuar nga Tirana në Milano me “Air Albania”? përgjigja është Po!. Në faqen e kompanisë, ofrohen tre mundësi zgjedhjesh për qytetarët. Biletat Ekonomi Promo, fillojnë nga 69 euro apo rreth 8.500 lekë, biletat e klasit Ekonomi kushtojnë rreth 130 euro apo 16.000 mijë lekë dhe biletat Biznes Promo, kushton 343 euro apo 42.000 mijë lekë.
Po çfarë përfshihet në çmimin e biletës?
Sipas faqes së kompanisë “Air Albania”, në çmimin e biletës përfshihen taksat, tarifat dhe mbipagesat si dhe 30 kg bagazhe. Ndërkohë, kompania shqiptare e fluturimeve, ofron çmime shumë më të ulëta në krahasim me kompani të tjera që ofrojnë linja ajrore për të njëjtat destinacione. Për klasin Ekonomi Promo, që “Air Albania” e ofron me çmim 69 euro për destinacionin Tiranë-Milano, në kompani të tjera që operojonë në këtë destinacion, çmimi i biletës shkon deri në 140 euro. Sa i përket orarit, “Migjeni” do të fluturojë në destinacionin Tiranë-Milano çdo ditë në orën 11:15, ndërsa mbrritja në Malpensa është në orën 13:20. Pra, udhëtimi zgjat pak më shumë se dy orë. Ndërsa nisja nga Milano në Tiranë bëhet çdo ditë në orën 14:25 dhe mbrritja në orën 16:30.
Ndërkohë, ashtu si për biletat në destinacionin Tiranë-Milano, edhe për Tiranë-Romë çmimi nis nga 69 euro. Fluturimi drejt Romës bëhet çdo ditë nga aeroporti i Rinasit në orën 05:50 dhe mbrritja në Romë është në orën 07:15. Nisja nga Roma për në Tiranë bëhet në orën 08:20 dhe mbrritja në 09:45. Ndërkohë, Air Albania parashikon që udhëtimet drejt Bologna të bëhen në ditë të caktuara, ndërsa çmimi i biletave nis na 59 euro. /Realstory.al/