Çmimi i bukës, PD thërret në seancë Autoritetin e Konkurrencës

EKONOMI


Përmes një deklarate të nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, Sorina Koti, PD njoftoi sot se do të thërrasë për një seancë në Komision Autoritetin e Konkurrencës.

“Duke parë situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet Shqipëria prej shumë kohësh, sot Partia Demokratike, Komisoni i Ekonomisë, dorëzoi kërkesën për thirrje në Komision të Autoritetit të Konkurencës, pasi, jo më larg se dy ditë, ky autoritet me votën pro qeverisë, votoi kundër marrëveshjes së tregut të lirë, votoi kundër qytetarëve shqiptarë për uljen e çmimit të bukës dhe të miellit.  Ky Autoritet cënon ndjeshëm mirëqënien e qytetarëve shqiptarë pasi vendimi për të mos gjobitur kompanitë të cilat cenojnë një produkt bazë siç është buka, po bëjnë përditë e më shumë vendime të cilat cënojnë jetën e qytetarëve.


Ne sot, me bindje siç kemi qenë edhe 2-3 javët e fundit afër qytetarëve për këtë produkt jetik siç ka qenë çmimi i bukës, thërrasim Autoritetin e Konkurencës në dëgjesë për të na shpjeguar se përse e votoi kundër qytetarëve shqiptarë, përse votoi pro rritjes së çmimit të bukës dhe gjithashtu do t’i kërkojmë që shporta bazë të jetë një nga prioritetet që duhet marrë në konsideratë qoftë nga Autoriteti i Konkurncës, qoftë nga qeveria.  Sepse, jemi një nga vendet e fundit në rajon për shkak të uljes së pagave, të rritjes së çmimeve, të nivelit të varfërisë dhe të rritjes së korrupsionit.

Ky Autoritet duhet të japë llogari përpara Komisionit të Ekonomisë dhe përpara të gjithë shqiptarëve se çfarë po ndodh me shportën bazë, me produktet jetike dhe është në dorën e tyre që në kushtet e një varfërie, në kushtet e një mosbalancimi të tregut, janë autoritetet shtetërore, të cilat me mekanizmat e tyre ndërhyjnë për të balancuar këtë treg. Ne jemi pranë qytetarëve, ishim përsëri në Komision dhe ditën e hënë do të vazhdojmë tentativat për të sjellë Autoritetin në Parlament”, tha Koti.




Skip to toolbar