Kryeministri italian Giuseppe Conte, gjatë vizitës së tij në Tiranë, foli për krizën politike, ku tha se i takon mazhorancës të paraqes një platformë për opozitën, ndërsa opozita duhet të heq dorë nga kushtet dhe të ulet për dialog. Conte tha se zgjidhja e krizës do të jetën edhe një sinjal pozitiv për BE duke treguar pjekuri politike.
“Aftësinë e Shqipërisë për të zgjidhur krizën e saj politike ka rendësi për BE duke dhënë një sinjal për pjekurinë politike dhe institucionale. Shumica dhe opozita kanë të dyja interes që të zgjidhin këtë krizë vetë. Shumica t’i propozojë opozitës një platformë për një dialog më konstruktiv. Unë do ta theksoj edhe në takimet e tjera dhe që të zhvillohet pa parakushte.” tha Conte gjatë një konference të përbashkët për shtyp të kryeministrit Rama .
Në lidhje me negociatat, Conte shprehu edhe një herë mbështetjen e plotë të tij pa kushte për hapjen e tyre për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Conte vlerësoi arritjet e bëra nga qeveria shqiptare në drejtim të reformave të rëndësishme duke i cilësuar të mjaftueshme për hapjen e negociatave, por theksoi se vendi ka ende shumë punë para për të bërë. Conte theksoi se shtyrja sërish e negociatave do të çonte në një zbehje të interesit për integrimin si nga institucionet ashtu dhe nga qytetarët.
“Italia e mbështet çeljen e negociatave. Ditën e premte do të mbështes këtë pozicion dhe do ta përqafoj me bindje dhe forcë. Ne do të bëjmë çfarë është e mundur për të arritur fillimin formal të negociatave. Është e domosdoshme që të merren disa masa konkrete për nisjen e këtij rrugëtimi, më pas duhet një sërë reformash që duhet të nisen dhe përfundohen. Shqipëria dhe Maqedonia kanë arritur të drejtën për negociatat, ne do të luftojmë për këtë gjë. Ka shumë vështirësi për t’i përfshirë të gjitha vendet e BE në këtë, por nuk do të heqim dorë. Çelja e negociatave janë instrumentet më të mira për të garantuar zhvillimin si nga aspekti politik, ekonomik dhe sigurisë. Populli është shprehur pro anëtarësimi dhe ndaj kjo përbën edhe një shtysë më tej që institucionet të ecin më tej dhe të mos zhgënjehen. Nëse do të ketë shtyje do të ketë edhe një zbehje.” tha kryeministri italian Conte