Conte, mesazh Bashës: Mos vendos kushte, prano ftesën e Ramës

AKTUALITET


Pas takimit që patën së bashku, Kryeministri Italian Giuseppe Conte dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama, dolën në një konferencë për shtyp. Conte ftoi qeverinë shqiptare të jetë e hapur për dialogun me opozitën, ndërsa në krahun tjetër, partitët e opozitës nuk duhet të vendosin kushte për ftesën e mazhorancës.

“Ja ripërsërita edhe një herë kryeministrit Edi Rama mbështetjen për të qenë i hapur me opozitën, me qëllim zhbllokimin e krizës politike, që prej kohësh  pengon Shqipërinë të eci në rrugën e reformave, në veçanti reformës zgjedhore, dhe po i lejoj vetes si kryeministri i një vendi që ka një traditë miqësie shumë të gjatë me Shqipërinë… i ripërsëris edhe një herë kryeministrit t’i ftojë partitë opozitare, të mirëpresin një ftesë të tillë nga mazhoranca, me shpirt kontruktiv dhe nëse më lejoni, pa kushte” tha ai.


Lidhur me mos hapjen e negociatave, Giuseppe Conte përsëriti qëndrimin e Parlamentit Europian, duke e cilësuar si “gabim historik”, ndërsa theksoi se “perspektiva e Ballkanit është në Bashkimin Europian”.  Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij u shpreh se edhe pse BE nuk mbajti premtimin për negociatat, Shqipëria do të vijojë në të njëjtën rrugë. Rama foli edhe për njohjen e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve që jetojnë në Itali, ndërsa ftoi bizneset italiane të investojnë në Shqipëri.

“Bashkimi Europian nuk mbajti premtimet për negociatat, por ne do të vijojmë të njëjtën rrugë. Ne besojmë se kemi partner të fortë, si Italia. Kam informuar edhe kryeministrin mbi reformat që do të vijojnë që të çohen përpara.  Mora një mbështetje të plotë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Eksperienca e vendit fqinj, Italisë ka një vlerë të jashtëzakonshme. Duhet parë edhe situata mbi sigurimet shoqërore për të arritur një dakordësi për njohjen për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali. Në fund do të kemi edhe një bashkëpunim ekonomik që është folur në këtë takim” tha ai.

Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Itali vjen vetëm pak javë pas vizitës që Giuseppe Conte zhvilloi në Shqipëri, në prag të vendimit të Këshillit Europian për negociatat. Italia është një nga mbështetëset kryesore të Shqipërisë  në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, qëndrimin të cilin e konfirmoi kryeministri italian si në vizitën e tij në Tiranë, por dhe në pritjen që i bëri Edi Ramës këtë të enjte në Itali.




Skip to toolbar